Lotaria amerikane ndryshojne rregullat

Lotaria amerikane, ndryshojne rregullat
Zëvendësambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Emily Makely, ka zgjedhur qytetin e Shkodrës për të bërë publik fillimin e aplikimeve të lotarisë amerikane DV 2012. Këto aplikime do të fillojnë më 5 tetor dhe do të përfundojnë më 3 nëntor 2010 dhe diplomatja tërhoqi vëmendjen për ndryshimin e disa rregullave.

Ajo ka folur për aplikimet e lotarisë amerikane dhe rregullat në një takim me gazetarët e Shkodrës në ambientet e bibliotekës “Marin Barleti” të qytetit.

Zëvendësambasadorja Makely vuri theksin tek rregullat e aplikimit që duhet të kenë parasysh qytetarët shqiptarë. Znj. Emily Makely tha se “periudha e aplikimit për lotarinë amerikane është nga data 5 tetor 2010 deri më 3 nëntor 2010 dhe se nuk ka asnjë tarifë për të aplikuar. Tarifa do të ketë vetëm për ata që do të rezultojnë si të përzgjedhur të lotarisë. Aplikimi do mund të kryhet online nëpërmjet internetit në adresën http://dvlottery.state.gov.

Para se të aplikojnë, qytetarët duhet të shohin rregullat, nëse përmbushin kërkesat e arsimimit dhe punës. Kërkesa për arsimimin parashikon kryerjen e shkollës së mesme, që është e barabartë me shkollën e mesme në SHBA dhe kjo është një kërkesë e rreptë.

Diplomatja amerikane tha se, aplikimi duhet bërë vetëm një herë brenda vitit dhe duhet të përfshijë bashkëshortin dhe fëmijët nën 21 vjeç, si dhe fëmijët e adoptuar dhe fëmijët nga martesa të mëparshme.

Nëse regjistrimi bëhet dy herë në vit, atëherë aplikanti skualifikohet. Para aplikimit qytetarët duhet të shikojnë rregullat e aplikimit, pasi ka disa ndryshime. Këto rregulla mund të lexohen në gjuhën shqipe në adresën e internetit http://tirana.usembassy.gov/dv.html. Pasi të regjistroheni aplikanti do të marrë një numër konfirmimi. Numri nuk duhet humbur pasi është e vetmja metodë për të parë nëse aplikanti është fitues ose jo.

Sipas statistikave zyrtare, Shqipëria është vendi i parë në Europë për nga numri i emigrantëve që shkojnë çdo vit në SHBA (mbi 3000 në vit). Nga të dhënat e vitit 2009, rezulton se rreth dy të tretat e këtyre emigrantëve kishin përfituar viza amerikane nëpërmjet lotarisë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama