Luan Starova Shqipja letrare nuk ka pse te ndryshoje
- Botuar: 17 vite më parë
- Shkruar nga:
Më tej, prof. Starova shton: “Revoltimi i shfaqur gjatë diskutimeve e debateve të ndryshme mediatike dhe dyshimet e hedhura mbi standardin e shqipes dëshmojnë për një frustracion dhe padurim për të fituar prestigjin linguistik. Asgjë nuk mund të bëhet me forcë, duhet që proceset të rrjedhin natyrshëm. Shqiptarët pak njihen midis tyre dhe nga kjo lindin veçantirat. Megjithatë, sot shqiptarët kanë një avantazh të madh pasi nëse më parë duhej një shekull që të përhapej informacioni, në kohën kur jetojmë, kjo gjë mund të arrihet brenda një dekade nëpërmjet televizionit. Nëse të gjithë shqiptarët e Ballkanit shikojnë kanalet televizive të Tiranës dhe mësohen me të folmen e sotme të shqipes letrare, atëherë çdo diskutim mbi këtë temë e humbet kuptimin.
” Starova e thekson idenë e tij se asnjë variant nuk mund të jetë më i mirë për shqipen sesa standardi i sotëm: “Shqipja e sotme letrare ka 40 vite traditë dhe ne nuk mund të rikthehemi mbrapa për të bërë kongrese e ndryshime gjuhësore. Përshembull, gjuha maqedonase është kodifikuar në 1946-n, e pavarësisht dialekteve të ndryshme nuk diskutohet më për një rikodifikim. Gegërishtja e Kosovës mund të standardizohet siç u veprua me arbërishten e Jeronim De Radës në shekullin XIX, por shqipja letrare është një tjetër gjë. Ndërsa pyetjes sesi priten librat e tij nga maqedonasit, akademik Starova i është përgjigjur: “Jam shumë i kënaqur nga interesi i treguar prej maqedonasve ndaj krijimtarisë sime. Edhe kritika i ka ndjekur me kujdes dhe në një mënyrë tepër pozitive e dashamirëse një pjesë të mirë të romaneve të mia. Në këtë pikë, problemin e kam më shumë me Shqipërinë.
Aty duket se botuesit nuk kanë ndonjë interes të posaçëm për letërsinë që bëhet në Maqedoni. Duket sikur për ta, ne jemi vetëm ca provincialë pa interes. Është një paradoks që librat e mi botohen në Francë nga shtëpia botuese “Fayard” dhe përkthehen në 14 gjuhë, ndërsa në Shqipëri mezi kanë hyrë në një pjesë shumë të vogël të tyre. Sigurisht, shqipja jonë është pak e lakuar dhe ndryshe nga ajo e Tiranës sepse jetojmë në një vend ku duhet të flasësh disa gjuhë dhe shqipja përdoret pak. Ajo është gjuhë e vështirë dhe shkrimtarët që jetojnë këtu duhet të mbështeten nga politikat e botimeve në Shqipëri. Na thonë shpesh se bëjmë shumë gabime në të shkruar, ose që nuk dimë shqip. Megjithatë, fakti që një shtëpi botuese si “Toena” ka botuar në Tiranë tri prej librave të mia, do të thotë se edhe kjo barrierë mund të thyhet.”
Gazeta: Albania