Luan Starova ne shtepine e shkrimtareve dhe perkthyesve letrare

Luan Starova ne shtepine e shkrimtareve dhe perkthyesve letrare

Autori përurues i Shtëpisë së Shkrimtarëve dhe Përkthyesve Letrarë në Tiranë për vitin 2014 është Luan Starova. Ai do të qëndrojë në Shqipëri deri në mes të muajit qershor. Veprimtaritë që Poeteka do të organizojë rreth personalitetit dhe krijimtarisë së tij janë pjesë e programit “Tirana in Between”, mbështetur nga Traduki dhe Ministria e Kulturës së Shqipërisë. Krijimtaria, kontributi letrar dhe veprimtaria intelektuale e Luan Starovës (Pogradec 1941) i ka fillesat që në kohën e studimeve të tij për gjuhë dhe letërsi frënge (Shkup, Zabgreb), në përfundim të së cilave ai publikoi punimet shkencore me temë, "Ballkani në prozën e Gijom Apolinerit" (1968) dhe më pas tezën doktorate, "Vepra e Faik Konicës në gjuhën frënge dhe lidhjet e tij me Gijom Apolinerin" (1978). Tekstet e para Luan Starova i botoi në vitet 1960 të shekullit XX, në fillim për gazetat "Mlad Borec" dhe "Flaka e vëllazërimit". Publicistikën, udhëpërshkrimet, esetë, kritikat dhe studimet ai i botoi në librat "Afrime", "Relacione", "Miqtë", "Barrikadat e kohës", "Njerëz dhe ura", në të cilat vërehet karakteri kulturor i qasjeve dhe hapja ndaj kulturës së tjetrit. Një vit para se Luan Starova të shfaqej në prozën fiction u botua vëllimi poetik "Këngët e Kartagjenës" Prishtinë dhe Shkup, botim paralel (1991). Deri në vitin 1997 autori kishte krijuar bazën për sagën e tij ballkanike me botimin e 4 romaneve: "Librat e Babait" (1992), "Koha e dhive" (1993), "Çelësi ballkanik" (1995) dhe "Muzeu i ateizmit" (1997).

 

 Vitet në vijim, nga 1997 deri   në vitin 2011 sollën për shkrimtarin Luan Starova plotësim të sagës me tituj të rinj, të tillë si: "Dheu i mbjellur", "Udha e ngjalave", "Kështjella prej hiri", "Erveheja, libri për një nënë", "Dashuria e gjeneralit", "Ambasadat", "Ambasadat e reja", pas të cilëve ai do e forconte truallin e tij letrar me romanet e radhës: "Ballkan babel", "Jeniçerët", "Polifonistët", "Kthimi i dhive". Aktualisht Luan Starova ligjëron në Universitetin e Europës Juglindore të Tetovës dhe është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë dhe të Akademisë Mesdhetare në Napoli. Disa nga veprat e tij ende nuk janë botuar në shqip. Pas botimit të katër romaneve të para në frëngjisht: tre nga "Fayard" në Paris si: "Librat e Babait", "Koha e dhive" dhe "Muzeu i ateizmit" dhe një prej "Les Editions de l'Aube" ( "Bregu i egzilit" ) dhe pas jehonës që i bëri kritika, disa nga romanet e tij u përkthyen në 14 gjuhë të ndryshme. Renditet ndër shkrimtarët shqiptarë më të përkthyer në botë. Është fitues i çmimit më të lartë francez për Artet dhe Letërsinë. 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama