Nuk ia mbajtën fshehur Aliut fundin tragjik të të bijve dhe ky, ja se nuk besoi, ja se tashmë ndodhej përmbi gjithë mënxyrat që mund ta pllakosnin, nuk u duk se u prek shumë. E tradhtuan t'anë, tha ftohtazi, ta heqim mendjen syresh. Megjithë këtë stoicizëm, shkrehja e fuqive dha të kuptojë se shpirti i tiranit po gërryhej nga brengat.
Ai burrë që gjithnjë prirej nga ntrashja, ishte bërë tani kockë e lëkurë; sytë e kapitur në fund të orbitës së tyre arrinte t'i përshkëndiste sapak një flakë zymtane; kurse duart topolake që kishte qejf t'i stoliste dikur me xhevahirët më të çmuar ngjanin më shumë me eshtëri skeleti sesa me duart e një njeriu të gjallë; e prapëseprapë ruante atë qeshjen e tij grykore që i fshihte çfarëdolloj ndjenje, edhe tërbimin më të madh, vetëm se tani nuk shprehte më kënaqësi. Krahët e ëmbël të gjumit nuk ia mbyllnin më qepallat e përvëluara; e kur detyrohej të pushonte i mposhtur nga lodhja, binte në ca ngërçe që ia shkaktonte shterrimi i forcave, i vetëm në prani të simahorëve më të afërt. Tërhequr në fund të një bunkeri që e zbukuronin ca pllaka kadifeje, mbetje prej shkëlqimit të dikurshëm, të cilat sot fshihnin hyrjen e një depoje të hatashme baroti që mund ta hidhte në erë kur të donte, mbështeste kryet mbi gjunjtë e Thanas Vajës shpirtkatran, ndërkohë që një renegat çifut, përgjegjësi i dikurshëm i postës së tij, Ibrahim Saraçi, vëngjëllonte te porta tjetër e kësaj strehe të mbrame.
O dobësi e mjerë e despotizmit! Besimi i Ali Tepelenës, deri dje kaq i fuqishëm e kaq i frikshëm për njerëzinë, sot mbështetej i tëri mbi këta dy persona. Thanas Vaja ishte bërë sekretari i tij më i afërt, kurse Ibrahim Saraçi, zbatues i zellshëm i çdo urdhri të tij, kishte mbetur ai që kishte qenë gjithmonë, krah i tij i zgjatur e i verbër, xhelati i privilegjuar i ekzekutimeve të fshehta. Kurrë nuk ia kishte bërë dysh fjalën të zot, edhe për urdhrat më të fëlliqura. Ashtu si në ditët kur ndriste ylli i Aliut, po kështu edhe tani thoshte: po të njihja ndonjë vegël më të bindur se veten në shërbim të timzot, do t'ia kisha prerë gurmazin në vënd. Kështu ndodh që edhe krimi ka heronjtë e vet; renegati Ibrahim nuk do të ndërronte as para trekëmbëshit, shpërblimi më i denjë për besnikërinë e tij gjakatare.
Zuzari mund të ndihet i qetë kur ka pranë Seidë të tillë; por Aliu dhe madhështia e tij ndërkaq ishin vetëm hije të zbehta të së kaluarës. Komandanti i tij i artilerisë, Karetoja, oficer i paguar keq, jetonte për faqe të zezë; shtrëngoheshin ta mbanin gjithnjë nën mbikëqyrje me frikën se mos kalonte në radhët e armikut. Po të dezertonte ai, mund të ndryshonin edhe fatet e Ilionit, sepse ky njeri ishte shpirti i mbrojtjes së fortesës. Nuk mund të thuhej e njëjta gjë për akarnianin Jorgo Varnaqioti, të cilin vetë satrapi e këshilloi të dezertonte e të hidhej në Kseromeros që të organizonte aty çetat e kaçakëve me mbeturinat e bandave të shpërndara të Odhisesë, gjë që ky e kreu me sukse.
Sa për të tjerat, satrapit i mbetej vetëm dhimbja e hidhur, po të mos mbante shpresë në ngjarje të mëdha që mund ta ndihmonin. Ishte zhdukur pallati i tij madhështor i liqenit; katërqind e pesëdhjetë hanëme të haremit të tij jetonin në fortifikime, ku kishte filluar të shinte skorbuti dhe ethet e rënda. Ndonjë zemër tjetër do të ishte thyer, por jo ajo e tija; përligjej me shprehjen e vet të dashur: kam lindur në kësolle dhe di ta përball fatin e lig, kurse djemtë e mij bythëkadifé e pambuk do të vdesin të mbuluar me turp (Sa herë që i kujtoja Ali pashës se sjellja e tij shpejt a vonë do t'i lëshonte mbi krye zemëratën e padishahut, më përgjigjej: Kam lindur në kësolle, rininë e kam shpënë me gunë krahëve, e po të lipset, prapë e hedh gunën supeve. E kur ia ktheja unë se nuk është e lehtë të harrosh madhështinë dhe mirëqënien pasi i ke gëzuar njëherë, më thoshte: as të shkon nëpër mënd se ç'mund të bëj unë. Sa për të bijtë, kur qëllonte që t'i zinte me gojë, bie fjala kur i thosha se ishte më i lidhur e më i fuqishëm se ata, shndriste i tëri dhe përgjigjej: S'do barabiten kurrë me mua, pse jo? - Edhe unë mendoj se janë mjaft prapa; po t'u besojmë parandjenjave, më duket se do t'ua shihni edhe mortjen. - Fjala jote në vesh të Perëndisë! sepse, po më çuan ata në varr, do ma bëjnë pasurinë rrush e kumbulla, pastaj kanë për t'i varur kokëposhtë si kaqola.)
Me një kryevarje të tillë, të denjë për një kauzë më fisnike, Ali Tepelena, më i madh në fatkeqësi se kurrëndonjëherë në zenith të pushtetit, dukej sikur të qe mbushur befas me rininë e jetës. Andrallat që i mrrudhnin ballin u tretën sakaq; netve, sikurse u thoshte besnikëve të vet, nuk e pllakosnin më ëndrrat e llahtarshme; bile edhe hija e Eminesë kishte rreshtur së torturuari. Në majë të këmbëve sa zbardhte agimi, i jepte audiencat në hyrje të bunkerit: vetëm guximi dhe këmbëngulja mund të na shpëtojnë, u thoshte atyre që dukeshin të lodhur nga gjendja ku ndodheshin. Po t'i fliste ndonjëri për humbjet që kishin pësuar, i përgjigjej duke i numëruar pallatet e tij që i kishte përpirë zjarri dhe pronat e zaptuara, pastaj u linte të kuptonin se do t'i shpërblente me të dyja duart po të fitonin. „Ai litar aty", u thoshte duke u treguar kurorën e maleve ngarkuar me borë që rrethonin Janinën, „do t'i marrë më qafë armiqtë tanë".
Nganjëherë bënte hoka me ushtarët e tij për çështje të anatemës që i kishin lëshuar mbi kokë. „Më quajnë Kara Ali; por s'e kanë mirë, Elmaz (margaritar) duhet të më thoshnin; sepse nuk gjën dot në mbarë Turqinë edhe një si puna ime në këtë moshë. Do bëhen keqaz pishmën lepujt, kur ta mësojnë se ç'hatara do t'u lë mbas, se ç'është në gjëndje të bënjë luani plak me trimat e vet që nuk ditën t'i çmojnë si duhej. Më lëftojnë se duan të më marrnë thesaret, po do t'i marrën, do t'i marrën të lara në gjak. Do ta shohën se ç'tufan e tërbim do t'u ngrë unë mbi krye. Edhe pak muaj e do ta shkunt dovletin me themeli, kush të më sulmonjë pastaj do dridhet si qën mu në zëmër të Stambollit. Qytet i pëgërë, prit, pa prit pak se nuk vdes Aliu pa t'i parë pallatet shkrumb e hi dhe ministrat makutër me zorrët përjashtë!"
Gazeta Shekulli