Publicisti Fatos Lubonja, në librin e tij “Nënëdhjetëeshtata- Apokalipsi i rremë”, flet për ngjarjen kur Edi Rama u dhunua nga persona të maskuar.
“Pse kishin zgjedhur Edi Ramën? Kush e kishte krye goditjen? Ishte akti spontan i ndonjë militanti fanatik të nxitur nga klima e urrejtjes apo urdhri i dikujt që e kishte programuar qëllimisht? Kësaj nuk mund t’i përgjigjej me siguri, por anonte nga kjo e dyta,” shkruan Lubonja në pjesën e botuar nga Panorama.
“Nuk ishte e lehtë të rezistoje para asaj fytyre të nxirë e të buhavitur, gjysma e së cilës ishte e mbuluar kryqazi me dy fasha të bardha që takoheshin të gjakosura mbi hundën e thyer…
Edi Rama diç tentoi t’i thoshte, por nuk mund të fliste. Qorrin e pushtoi një ndjenjë e përzier nga ngashërimi, që i ndodhte shumë rrallë”, shkruan Lubonja që i referohet vetes si Qorri.
Ai thekson një detaj nga kjo ngjarje.
“Edi Rama, pasi qe goditur, kishte kryer një akt që iu duk sa i çuditshëm, aq edhe një mrekulli për shtypin. Ashtu siç kishte qenë, i shpërfytyruar nga goditja, me fytyrën të larë në gjak, nuk kishte pritur të vinte ambulanca, por kishte trokitur te dera e një komshiu të tij fotograf dhe i kishte kërkuar ta fotografonte…”
Kurse ish- shefi i SHIK në periudhën pas ngjarjeve të vitit 1997, Fatos Klosi, thotë se ata nuk hetuan për këtë ngjarje, pasi rrahjet nuk bëheshin me shkresa.
Por ai thotë se ishte e qartë që agresioni ndaj Ramës vinte nga SHIK.