Politika aktuale e Shqipërisë dhe e Kosovës, por edhe e kaluara komuniste, emrat e përveçëm të tyre, gabimet në qeverisje, roli i intelektualit, si edhe një replikë ndaj Rexhep Qosjes, janë pikat që trajtohen në një intervistë të publicistit Fatos Lubonja. Publikuar në “Express”, “GSH” boton sot, pjesët kryesore të saj, ku sulmohen fort politika e kultura e vjetër dhe intelektualët e historianët ‘patriotë’. Teksa mohon të jetë mbështetur tek miqtë e Serbisë, sa u takon akuzave që i janë bërë Haradinajt, Lubonja rithekson qëndrimin e tij në këtë pikë.
Shkrimtari Rexhep Qosja në një intervistë tha se Fatos Lubonja mbështetet shumë tek studiues dhe publicistë të huaj që janë miq të Serbisë, kur flet për politikanët ose, siç tha ai, kur “bën demitizimin” e historisë dhe politikës, duke përmendur shkrimin tuaj në “Sudosteuropa Mittelungen”, për Ramush Haradinajn. Cila është përgjigja juaj?
E ndaj prononcimin e Qosjes në dy pjesë. NË TË PARËN ai mbron të drejtën time të fjalës, duke kritikuar sulmet banale që u hodhën ndaj meje në Kosovë pas shkrimit mbi Haradinajn si dhe mbron rolin e intelektualit që dekonstrukton mitet, duke i përpjekur të luftojë kësisoj kundër “pushtimit shpirtëror” dhe “manipulimit të njerëzve”. E për këtë do e falënderoja krejt sinqerisht, nëse nuk do të shihja se në pjesën e dytë në një farë mënyre ai e zhvleftëson këtë punë pasi, sipas tij, dekonstruktimin e paskam bërë duke u bazuar në studiues që janë miq të Serbisë.
Së pari, vë në dukje se dekonstruktimin e miteve nacional– komuniste, mbi të cilat u ndërtua ideologjia e pushtetit të Hoxhës, unë e kam ndërmarrë - me një frymë kritike antiautoritare në emër të emancipimit, lirisë dhe të së vërtetës, - pas një pune të gjatë, më së pari me vetveten. Frymën kritike ndaj këtyre miteve e kam zhvilluar hap pas hapi si rezultat i refleksionit mbi realitetin shqiptar, duke përdorur sigurisht dhe filtrin e leximit të mjaft autorëve, që në kohën e Hoxhës kanë qenë të ndaluar, pikërisht se të vërtetat e tyre nuk përputheshin me të vërtetat e ideologjisë në fjalë. Dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm për autorët e historisë shqiptare, por për filozofë, psikoanalistë, historianë, shkrimtarë etj....
Kur bëhet fjalë për studimin e historisë nuk mund të mos përmend emrat e veprat e Hobsbawm, Anderson, Gellner, Bauman etj. (edhe këta miq të të gjithë botës) tek të cilët janë bazuar edhe studiuesit që janë marrë më konkretisht me Shqipërinë si Nathalie Clayer apo Oliver Schmitt psh. Kur bëhen fjalë për historinë dhe identitetet kombëtare, që janë edhe tema jonë e nxehtë e debatit, këta nuk e shohin historinë si një kontinuitet teleologjik që zgjat në shekuj drejt një synimi të caktuar - siç na e kanë mësuar ne - por si një varg rastësish dhe diskontinuitetesh, që ndërtohen sipas rrethanave. Po ashtu, identitetin nuk e shohin në njëjës, por në shumës dhe jo sipas një qasjeje esencialiste; çka do të thotë se – për t’iu referuar psh. identitetit shqiptar - ata nuk e shohin shqiptarinë si një bërthamë e ngurtë e pandryshueshme qysh në krye të herës, por si konstruksion i lëvizjes nacionaliste (shqiptarizmës)të shekullit XIX, madje në një proces dyshimi sipas rrethanave gjeopolitike...
Mua duke lexuar prononcimin e Qosjes më erdhi menjëherë ndërmend parathënie e librit “Historia e Shqiptarëve” e shkruar nga Oliver Schmitt, i cili, kur flet për studiuesit dhe historianët shqiptarë shkruan se këta i ndajnë studiuesit e huaj në pro dhe antishqiptarë.
SË DYTI besoj se jetojmë në një kohë kur një studiues serioz mund të jetë mik i serbëve, por edhe i shqiptarëve njëherësh, e madje unë jam ndër ata që mendojnë se edhe shqiptarët e serbët duhet të normalizojnë marrëdhëniet e tyre duke filluar që nga pastrimi i leximit të historisë së tyre të përbashkët nga fryma nacionaliste. Nuk besoj se sot ka studiues seriozë perëndimorë që i dedikuakan vite të jetës së tyre shkencës së historisë që e bëkan këtë për t’i shërbyer një shteti kundër një tjetri. Më vjen keq të them, por Qosja ushqen kulturën e vjetër të bazuar mbi teoritë e konspiracionit. Dhe ajo që është e hidhur në këtë pohim të Qosjes është fakti se studiues e historianë të tillë, që i kanë kushtuar vite të tëra jete historisë së Shqipërisë si Oliver Schmitt apo Nathalie Clayer, për të shkruar libra aq të vyer siç janë “Në fillimet e nacionalizmit Shqiptar”, “Arbëria Venedikase” apo “Skënderbeu” në vend se sot të jenë të nderuar e librat e tyre të bëhen pjesë e studimeve në universitetet tona janë bërë pre e sulmeve të bazuara në teori konspiracioni me rezultat mbajtjen e shqiptarëve, veçanërisht të rinjtë, pikërisht nën atë që vetë Qosja e quan “pushtim shpirtëror” e “manipulim”.
Përsa i përket rastit Haradinaj përsëri mund të them se Carla del Ponte, psh., të cilës i jam referuar, nuk njihet kurrsesi si proserbe, përkundrazi serbët e kanë akuzuar si antiserbe duke e etiketuar edhe me fjalën “kurvë” për aktivitetin e saj në Hagë.
Z. Qosja heziton të flasë për probleme madhore të Kosovës siç janë korrupsioni dhe krimi i organizuar, për shkak të afërsisë me pushtetin aktual. Por kur është fjala për zhvillimet në Shqipëri tashmë dihet diskursi i tij prej militanti të Partisë Socialiste? Si e komentoni këtë?
Duke u nisur edhe nga përvoja në Shqipëri mund të them se kemi të bëjmë me një fenomen të njohur që e kemi kaluar të gjithë në këto demokracitë e reja që po ndërtojmë. E kam fjalën për rreshtimin e intelektualëve, gazetarëve, shoqërisë civile në një llogore apo në një tjetër të pushtetit politik - ndoshta pse thellë-thellë aspirojnë edhe ata pushtetin dhe jo të vërtetën. Personalisht sa zhgënjimet e vazhdueshme me politikanët aq edhe ruajtja e vizionit tim për botën më kanë bërë të distancohem nga kjo praktikë. Mund të mbështetësh një forcë politika apo një tjetër për aq sa morali dhe vizioni yt i botës shkojnë bashkë me të, përndryshe duhet dalë nga ajo llogore. Kush mbetet nuk bën më rolin e intelektualit të angazhuar, por të militantit dhe fanatikut ose, edhe më keq, të atij që ka bërë kompromise mbi moralin dhe vizionin e tij për ndonjë interesa banal. Në kushte kur ndodhemi ne, si këtej edhe andej kufirit, me klasën e korruptuar politike që kemi sa në një krah edhe në tjetrin mendoj se ajo që kemi më së shumti nevojë është forcimi i rolit të arbitrit midis pushtetarëve politikë në formën e forcimit të drejtësisë, medieve dhe shoqërisë civile.
Në prononcimet e tij, Qosja ka shfaqur shpesh konsiderata për regjimin e diktatorit Enver Hoxha... Ai ka thënë se regjimi Hoxhës “i ka dhënë popullit shqiptar një dinjitet ndërkombëtarisht të njohur dhe kjo nuk është diçka e parëndësishme”. Si e komentoni këtë?
Unë bëj pjesë ndër ata që degradimin dhe të keqen që po ndodh sot në Shqipëri, që ka shkaktuar edhe mungesën e dinjitetit ndërkombëtar të Shqipërisë, e shoh kryesisht si pasojë të së djeshmes, si anën tjetër të medaljes së atij regjimi. Madje metaforikisht këtë që po ndodh sot e kam quajtur kalbëzim i kufomës së madhe të komunizmit...
Ja psh. një nga pasojat më të rënda të komunizmit tek ne sipas meje ishte zhveshja e njerëzve nga personaliteti dhe nga përgjegjshmëria individuale ndaj komunitetit sepse ishte shteti që merrte përsipër edhe t’i formonte njerëzit sipas modelit të tij edhe të merrte të gjitha përgjegjësitë për komunitetin.
Ana tjetër e medaljes së këtij njeriu të papërgjegjshëm ndaj të tjerëve është pikërisht kapitalizmi që po ndërtojmë.