Mundësia e emërimit të një trajneri të huaj në stolin e Kombëtares së Rumanisë është kritikuar nga shumica e teknikëve rumunë. Por, ka edhe trajnerë që mbështesin idenë se duhet një "timonier" i huaj. Kësaj radhe është Razvan Luçesku, i cili mbështet idenë për një trajner të huaj dhe si shembull suksesi përmend edhe italianin e Shqipërisë, Xhani De Biazi.
Luçesku, i cili e ka drejtuar më parë Rumaninë nga prilli i 2009-ës deri në qershor të 2011-ës me një bilanc prej 3 fitoresh, 4 barazimesh dhe 3 humbjesh, në një prononcim të tij në një televizion rumun, është shprehur: "Unë mendoj se është një situatë normale dhe nuk ka vend për debat. Ka shumë trajnerë rumunë që punojnë jashtë. Do të ishte shumë e drejtë që të afrohej një trajner i huaj që të krijojë besimin në përfaqësuese.
Jam unë dhe shumë trajnerë rumunë që mund të zgjidhen në këtë pozicion, por është Federata ajo që ka të drejtë të zgjedhë", u shpreh fillimisht Luçesku në fjalën e tij në emisionin "Digi Sport special". Më tej, tekniku rumun vazhdoi duke folur për trajnerët e huaj.
"Ka shumë trajnerë që kanë bërë mirë jashtë vendit të tyre. Mendoj se De Biazi te Shqipëria apo Kapelo që mori përsipër Anglinë në një moment të vështirë dhe i dha përsëri një identitet, janë shembuj shumë të mirë dhe alternativa që duhen vlerësuar. Ka trajnerë që shkojnë jashtë. Shikoni rastin e Zakeronit, i cili shkoi në Japoni dhe fitoi Kupën e Azisë dhe e kualifikoi atë për kampionatin botëror", ka shtuar ishtrajneri i Rumanisë. Shqipëria e mundi përfaqësuesen rumune në Europianin e Francës duke e lënë në vendin e fundit në grup.