Luciferi kursen Shqiperine... por kujdes!

'Luciferi' kursen Shqiperine... por kujdes!
Pas dy ditësh i nxehti afrikan arrin jugperëndimin e Europës. I pagëzuar me emrin “Luçiferi”, ai do të përqendrohet në jugun e Italisë dhe Spanjën Juglindore duke e kursyer edhe këtë vit Shqipërinë. Këtë verë, temperaturat janë parashikuar 2-3 gradë më të larta sesa një vit më parë, por meteorologët lajmërojnë reshje e rrebeshe të furishme në pasditet e ditëve të pikut. Ja çfarë thotë meteorlogia Dr. Tanja Porja...

Vit pas viti, sa herë stinët arrijnë pikun e temperaturave të tyre, gjithmonë e më shumë është bërë evident besimi se kushtet klimaterike nuk po respektojnë më normalitetin e dikurshëm. Kaluam një dimër që u tha se nuk ishte parë që nga 1985, me reshje të dendura e të çmendura dëbore, me emergjenca e temperatura të ulëta deri në mesin e pranverës. Kjo e fundit, pothuajse nuk u ndie, sikundër ka kohë që është kështu. Sikundër ka kohë që ‘pëshpëritet’ se stinët e ndërmjetme po na shmangen... Sakaq, vera nisi pa gradualitete temperaturash. E fortë, e menjëhershme, me gjithë frenetizmin, por edhe me risqet e veta. Jo se deri më tani ka qenë krejt qetë. Në fakt, temperaturat e larta dhe lagështira që nuk ka munguar në ajër, jepnin një ndjesi peshe dhe marrje fryme. Përjashto veriun e sipërm, për pjesën tjetër të vendit mund të thuhej se ku më shumë e ku më pak ishte e njëjta gjë. Nuk munguan virozat, goditjet nga dielli, problemet me tensionin etj., etj.

Por nuk është kjo ajo që, të paktën sa flitet, tremb më shumë. Jemi në pritje të të nxehtit afrikan. Asgjë e re kjo për veshin. Edhe verës që shkoi u fol për të. Vetëm se kësaj radhe, meteorologët paralajmërojnë. Ky nuk do të jetë një i nxehtë si gjithë të tjerët. Në horizontin e parashikimeve është shfaqur “Luçiferi”. Kështu e kanë quajtur ata anticiklonin e tretë subtropikal afrikan të verës 2012, i cili pritet të përfshijë lokalitetet që do të prekë në një vapë të padurueshme dhe një zagushi të rëndë. Kur? Sapo të kalojë kjo fundjavë, duke filluar që nga data 9 korrik e deri në fund të dhjetëditëshit të dytë të tij. Në këtë pikë, korriku parashikohet të jetë muaji më i nxehtë i verës, duke shënuar edhe temperaturat më të larta të saj. Nuk do të mungojnë edhe rrebeshet e shiut. Ata të papriturit, që ia behin sakaq në pasditen që pason një mesditë përvëluese, mbushur me zagushi dhe lagështirë në ajër. Megjithatë, s’ka vend për panik. “Luciferi” dhe vorbulla e tij përvëluese e të nxehtit afrikan, vetëm sa do t’i kalojnë tangjent vendit tonë.

Do të bëjë nxehtë, por jo aq sa parashikohet të jetë ky për fqinjin tonë Italinë, me të cilën e kemi bërë të udhës të bëjmë analogji klimaterike. Kësaj radhe, i nxehti afrikan që do të përfshijë në qendrën e tij pothuajse gjithë Italinë e jugut si edhe ishujt e saj, do t’i qëndrojë larg Shqipërisë. Maksimumi i temperaturave në qendrat e banuara parashikohet të shënojë 40°C. Ndërsa gushti do të vijë më butë. Keni fjalën e specialistëve.

Për një informacion më të detajuar, kemi bërë një intervistë të shkurtër me Dr. Tanja Porja, specialiste dhe një nga themelueset e Shërbimit Meteorologjik – METEOALB.
 
Kaluam një dimër si rrallëherë, që nuk ishte parë që nga ’85-a. A mund të thuhet e njëjta gjë edhe për verën që pritet të kalojmë?

Jo, nuk mendoj se mund të thuhet e njëjta gjë. Dimri që shkoi ishte i jashtëzakonshëm, sidomos sa i takon situatës së reshjeve, por edhe asaj termike. Reshjet e dëborës në Kukës dhe Peshkopi e kaluan disa fish sasinë normale që është matur në këto muaj ndër vite. Por, ajo që e bënte edhe më specifike të qenin e tij të jashtëzakonshëm, ishte kohëzgjatja e ditëve të njëpasnjëshme me reshje të mëdha dhe temperatura shumë të ulëta. Ishin rreth 20 e ca ditë rresht gjatë muajve janar-shkurt, që temperaturat shënonin minus 7 e më poshtë. Ndërsa u shënua një minimum absolut prej minus 15,6 në Pukë qytet.  Ndërsa vera e sivjetshme nuk pritet të ketë ndonjë ndryshim të madh nga ajo e një viti më parë, sa i takon temperaturave. Por, ndërsa vera e vjetshme ishte e thatë, një nga verat më të thata, sivjet ajo parashikohet të jetë e lagësht dhe hera herës me rrebeshe që do të shpërthejnë pasditet e vona, pas mesditave që do të shënojnë pikun e temperaturave. Veç kësaj, ajo që e bën të veçantë, ndryshe nga normalja e bazuar në rreth 60 vjet matje, është fakti që mesatarja e reshjeve që parashikoheshin të binin përgjatë një muaji në vendin tonë (40 – 50 ml), apo një stine, rezulton që ka ndryshuar shpërndarjen e saj. Marrim për shembull Tiranën. Gjatë muajit qershor, kryeqyteti parashikohej të kishte rreth 64 ml shi, të shpërndara në 6-7 ditë të muajit. Sivjet, vetëm brenda 4 orëve ranë 60 ml shi (që u krijua edhe përmbytja, nëse ju kujtohet) dhe pjesa tjetër u shpërnda në pak ditë me nga 0.2 – 0.5 ml shi. Kjo pra është e veçanta. Që shpërndarja e reshjeve në kohë nuk i bindet më ligjësisë së deritanishme dhe është heterogjene.
 
Po shkurtimisht, si parashikohen temperaturat e kësaj vere në vendin tonë?

Sa i takon qershorit që sapo kaluam, temperaturat rezultuan të ishin mesatarisht rreth 2°C më lart sesa një qershor klasik i deritanishëm. Vlen ama të theksohet që në zonat lindore, si Ersekë, Korçë, Kukës, ky ndryshim ishte me afro 3°C. Muaji qershor është ndjerë më i nxehtë nga sa ka rezultuar në të vërtetë, sepse, më tepër sesa temperaturat, lagështira në ajër ka qenë shumë e lartë (40% – 50%) dhe ajo çka ishte e veçanta e tij është që temperaturat në mbrëmje, natën dhe në mëngjes nuk binin në vlerat e normuara, por ishin rreth 4°C më të larta sesa temperaturat minimale normale të këtyre orëve të natës dhe mëngjeseve të qershorit. Në këtë muaj, temperatura maksimale e matur në zonat e banuara, ishte në dt. 18, në Shkodër: 38.2°C.  Ndërkaq, ka kaluar vetëm një javë nga korriku dhe deri më tani temperaturat kanë qenë rreth 2°C më të larta se normalja e kësaj periudhe në vite, edhe pse në zonat lindore ajo është 3°C më e lartë. Mund të thuhet se Korriku përsëri do të mbyllet me temperatura 2-3 gradë më të larta sesa normalja. Megjithatë, vlen të theksojmë se në dhjetëditëshin e dytë të tij, parashikohen ato që do të jenë edhe temperaturat më të larta të verës në të gjithë vendin.
 
E keni fjalën për të shumëpërfolurin “i nxehti afrikan”. Sa parashikohet të shënojë termometri në këtë vorbull të nxehti?

Pas datës 9 korrik e në dhjetë ditët më pas, vendi ynë do të përfshihet nga periferia e të nxehtit afrikan. Vala e të nxehtit që do të përfshijë jugperëndimin e Europës dhe gjithë Mesdheun, do të ngjitet deri në pjesën e sipërme të gadishullit ballkanik. Kjo do të bëjë që në të gjitha zonat e banuara të vendit temperaturat do të shënojnë mbi 33°C. por, siç e thashë edhe në fillim, ne na përfshin periferia e këtij anticikloni, ashtu sikurse veriu i Italisë. Qendra e kësaj mase të nxehti do të vendoset në Italinë e Jugut për disa ditë, përfshi këtu edhe ishujt e saj, si dhe ekstremin juglindor të Spanjës. Temperatura maksimale e parashikuar gjatë korrikut do të jetë 38°C, por nuk përjashtohet mundësia që për zona të caktuara ajo të shkojë edhe 40°C. kjo vlen edhe për Tiranën. Temperatura mund të arrijë në 40 gradë, por nuk ka për ta tejkaluar atë. 

Dhjetëditëshi i tretë i korrikut dhe muaji gusht do të jenë më të butë në sjelljet e temperaturave. Parametrat e parashikuar janë normal dhe nuk janë menduar temperatura ekstreme. 20 ditët e para të korrikut do të jenë më të nxehta. Maksimumi i parashikuar në zonat bregdetare dhe në ato të ulëta do të jetë 31 – 32 gradë. Ndërsa dhjetëditëshi i fundit i gushtit do të jetë disi më i freskët. ndryshe nga gushti i një viti më parë, temperaturat mesatare do të jenë 1 – 1.5 më të larta sesa normalja.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama