Njëkohësisht me operacionin antidrogë të policisë së shtetit në Lazarat, autoritetet greke, në alarm për sasinë e madhe të drogës nga vendi ynë, po patrullojnë me mjete nga ajri në brezin kufitar me Shqipërinë për të parandaluar trafikun e mundshëm të drogës.
Helikopterët janë të pajisur me mjete vëzhgimi me rezolucion të lartë dhe përmes operacioneve synohet identifikimi dhe kapja e elementëve të inkriminuar në transportin e drogës.
Kufiri tokësor i Gjirokastrës me Janinën shërben për trafikun e narkotikëve nga Shqipëria drejt Greqisë, por së fundi njeh edhe raste të shtuara të hyrjes në Shqipëri të refugjatëve nga vendet arabe dhe aziatike.
Policia greke njoftoi dje se një trafikant i rrezikshëm shqiptar arriti t’u shpëtonte forcave policore greke gjatë një operacioni në zonën e Janinës.
Sipas policisë, trafikantët shqiptarë gjejnë shtigje në kufirin mes të dy vendeve duke bashkëpunuar dhe me trafikantët grekë në transportimin e marijuanës që është kultivuar në Shqipëri.