Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ne mënyrë të herëpashershme ka refuzuar auditet nga Kontrolli i Lartë i Shtetit që prej datës 6 korrik të vitit 2009, duke bërë që kjo administratë të mos u nënshtrohet monitorimeve. Bllokimi disavjeçar është kthyer në një “luftë të ftohtë” mes Tatimeve dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili që nga ajo periudhë ka kërkuar vazhdimisht që administrata t’u nënshtrohet auditimeve në bazë të ligjit.
“Kontrolli i Lartë i Shtetit është penguar vazhdimisht nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, e cila nuk i ka lejuar punonjësit e saj dhe Drejtoritë Rajonale Tatimore, që t’i vënë në dispozicion audituesve të KLSH-së dokumentacionin e kërkuar prej tyre dhe të konsideruar si të nevojshëm për zbatimin e programeve të auditimit”, shkruhet në raportin e fundit të KLSH mbi administratën Tatimore.
Mosvënia në dispozicion e dokumentacionit të kërkuar nga ana e audituesve të KLSH-së, si rezultat i urdhrit të vitit 2009 i lëshuar nga ish-drejtori Artur Papajani, në realizim të programit të tyre të auditivit ka sjellë si pasojë pamundësinë e audituesve tanë për të kryer një auditim të plotë në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe Drejtoritë Rajonale Tatimore në varësi të saj, që nga viti 2010 e në vijim.
“Bllokimi ka ardhur si rezultat i një urdhëri të ish-drejtorit të DPT, i cili praktikisht bllokon auditimin e administratës nga KLSH. Përmbajtja e tij është një akt administrativ normativ, i cili krijon procedura të reja ekstra ligjore si për organet e administratës tatimore, ashtu edhe për KLSH-në, atëherë ky urdhër nuk mund të zbatohet nga ana e këtyre organeve për aq kohë sa ai nuk ka fituar akoma fuqinë e tij juridike si pasojë e mosbotimit të tij në Fletoren Zyrtare”, shkruan KLSH në raport.