Lufta e simboleve

Lufta e simboleve

Norik Selimi është një djalë që duhet t’i ketë kaluar të 30-at. I gjatë dhe i pashëm, historia e tij është e njëjtë me historitë e dhjetëra djemve të rinj nga zona e Çarshisë në Shkup (zonë e populluar me shqiptarë). E vetmja gjë që kishte ëndërruar me forcë kur ishte adoleshent, ishte të kishte sa më shumë libra shqip në shkollë apo në shtëpi. Politika maqedonase, për sa i përket librit shqip në vite, ka qenë asimiluese dhe botimet shqip gjithnjë mungonin në shkolla. Noriku priste plot ankth një libër nga Tirana kur ishte në shkollë, deri sa u rrit e kishte mundësi të udhëtonte vetë. E premtja është një ditë plot jetë në lagjen karakteristike të Çarshisë, rrugicat e së cilës të kujtojnë orientin. Ti mund të shohësh Vardarin që rrjedh i qetë, nga kafeneja me karrige të drunjta bri tij. Ky lumë që përshkon gjithë Shkupin, duket se fsheh bukur brenda tij gjithë tensionin historik mes etnive në këtë qytet, që ende nuk ka gjetur paqe.

 

Vendosja e bustit të Skënderbeut disa vite më parë në një kënd të Çarshisë, duket se ka shëruar ndjenjat krenare të shqiptarëve, të cilët ndihen më të qetë tashmë që hedhin vështrimin çdo ditë nga një simbol i tyre. Për historianët vendas, pas Luftës së Dytë Botërore, pushteti u përpoq të shkatërrojë gjithçka që kishte të bënte me trashëgiminë iliro-shqiptare. Çdo kërkesë për ngritjen e një monumenti historik, shihej si një gjest që mund të zgjonte ndjenja negative tek etnia tjetër. Ndaj shtatorja e lartë e Skënderbeut duket sikur ka vulosur origjinën e lashtë ilire të këtij qyteti. Ndërsa shqiptarët e shohin vendosjen e këtij monumenti si një kthesë historike, për pjesën tjetër të urës së Vardarit, ky monument shihet ende si një rrezik. Vetëm ngritja e një xhamie do të kishte sjellë gëzim në të dyja anët e urës. Skënderbeu duket se i ka bërë më të fortë shqiptarët në këtë pjesë të Shkupit, që ecin krenarë pranë tij. Por ngritja e këtij monumenti duket se ka zgjuar “luftën e simboleve” në këtë qytet. Në hapësirën që lidh muzeun arkeologjik të qytetit me sheshin e tij, vetëm pak kohë më parë u vendos përmendorja e heroit serb, car Dushanit, i cili ka sjellë jo pak tension në qytet. Mbret serb dhe car, sipas enciklopedisë maqedonase të Akademisë së Shkencave, car Dushani ka udhëhequr luftëra të suksesshme në vendet fqinje. Ai ka nënshtruar territore bizantine të Ballkanit, Thesalisë, Epirit, Shqipërisë, si dhe pjesën më të madhe të Maqedonisë, duke i zgjeruar kufijtë e shtetit serb në jug të Gjirit të Korintit. Gjatë kësaj periudhe ai ka mbajtur titullin Car i Serbëve dhe Grekëve. Vendosja e një heroi serb në qendër të Shkupit, është marrë si provokim nga etnitë e tjera.

 

Shqiptarët janë të parët që kanë dalë në protestë për largimin e këtij monumenti. Kjo përmendore e realizuar me mjeshtëri nga një autor serb, tregon se mëritë në Ballkan nuk kanë përfunduar dhe se e shkuara po mban ende peng të ardhmen. Në Ballkan askush nuk ndihet gati për të pranuar historinë e për ta parë atë ftohtë. Këtë e tregojnë simbolet që po ngjallen një e nga një në Shkup, një luftë jo shumë e heshtur për trashëgiminë kulturore e shpirtërore, e cila në thelb është një luftë për identitetin. Por le të kthehemi te Noriku, ky djalë që ka vendosur të ndryshojë historinë të paktën në Çarshinë e tij. Vetëm disa minuta nga monumenti i Skënderbeut, teksa futesh brenda në Çarshi, ndalesh te një ndërtesë karakteristike e zonës, por që brenda vështrimi të kap vetëm libra. Për herë të parë në historinë e shqiptarëve të Shkupit një librari ku ka vetëm libra shqip. Noriku ka bërë realitet ëndrrën e tij, duke ngritur “Librarinë e Çarshisë”, një librari e cila ka sjellë diçka që i ka munguar gjithnjë shqiptarëve të kësaj hapësire, librat. Vetëm përmes librave, shqiptarët në këtë anë të kufirit do të ndryshojnë jetët dhe të ardhmen e tyre. Librat të bëjnë të lirë dhe Noriku e ndien këtë pas çdo leximi. Ka vendosur kontaktet me të gjitha shtëpitë botuese të Tiranës dhe në librarinë e tij duket se nuk mungon asnjë libër.

 

Dhe pse në fillim njerëzit e shihnin si diçka të re, gati-gati të panjohur për ta, tashmë duket sikur janë mësuar me këtë komunikim me librin. Atë që politika maqedonase ka mundur ta pengojë gjithë këto vite, e ka bërë Noriku, ky djalë modest, që kërkon të ndriçojë mendjet e njerëzve të gjakut të tij. Nga Tirana ai ka ftuar shkrimtarë të promovojnë librat në “Librarinë e Çarshisë”, duke e parë këtë si një nevojë për komunikim me pjesën tjetër të Shqipërisë, që vazhdon të jetë si oksigjen për shqiptarët e Maqedonisë. Thotë se së shpejti do të bëjë dhe botimin e parë në shqip, duke botuar kolanën e plotë të veprave të shkrimtarit Luan Starova. Ky i fundit, teksa flet për Norikun, e quan atë “një ambasador të vërtetë të kulturës shqipe”, i cili me këtë librari, i ka bërë bashkë shqiptarët.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama