Lufta italo-greke diktatore e kuislinge

Lufta italo-greke, diktatore e kuislinge
Lufta italo-greke (tetor 1940 – prill 1941) nuk ka gjetur një pasqyrim të përshtatshëm në historiografi. Ka pasur kryesisht trajtesa në marzh të ngjarjeve. Në botimin e fundit të Historisë së Popullit Shqiptar, vëll. IV, Tiranë, 2008, është prekur anësisht, si një episod në vorbullën që përfshiu Ballkanin gjatë Luftës II Botërore. Lufta italo-greke është edhe pjesë e historisë së Shqipërisë gjatë konfliktit që i vuri zjarrin Evropës.

Në të vërtetë, në këto ngjarje Shqipëria është përfshirë drejtpërsëdrejti. Përveçse viktimë e agresionit italian, ajo ra viktimë edhe e luftës midis Italisë dhe Greqisë. Kjo shtron nevojën që lufta italo-greke të trajtohet edhe në një këndvështrim shqiptar. Sulmi nisi nga territori shqiptar dhe Shqipëria u bë shesh lufte.

Mussolini krekosej dhe shpallte me të madhe se ushtria italiane do të mposhte shpejt e shpejt çdo rezistencë dhe do t’a okuponte gjithë Greqinë brenda dy-tri javëve. Ndodhi e kundërta. Ushtria italiane pësoi disfatë dhe u detyrua të tërhiqej. Prej fundit të tetorit 1940 kur filloi lufta dhe deri nga fundi i dhjetorit 1940, e më tej, deri në prill 1941, trupat greke zunë një pjesë të konsiderueshme të territorit shqiptar, përfshirë Korçën dhe Gjirokastrën. Për pasojë, Shqipëria pas okupacionit italian po vihej edhe nën okupacionin grek, që do t’i kushtonte veçanërisht jugut.

Mussolini i turpëruar kërkoi ndihmën e Hitlerit dhe me një operacion të kombinuar, forcat italo-gjermane e mposhtën Greqinë në fund të prillit 1941. Në zhvillimin e mëtejshëm të ngjarjeve vendi do të njohë edhe okupacionin gjerman pas kapitullimit të Italisë në shtator 1943.

Një aspekt tjetër, jo më pak i rëndësishëm, i viteve të okupacionit të huaj është veprimtaria e klasës politike që u vu në shërbim të okupatorit. Duke u rreshtuar në anën e agresorit, ata e bënë Shqipërinë, nga një vend viktimë e agresionit në një palë ndërluftuese, pjesëmarrëse në sulmin kundër Greqisë në krah të Italisë. Ata e vunë vendin, me akte zyrtare, në gjendje lufte me Greqinë, akte që, veç firmës së mbretit Viktor Emanuel III, mbanin edhe firmën e kryeministrave kuislingë. Madje, jo vetëm kundër Greqisë, por edhe gjithë shteteve me të cilat Italia do të ishte në luftë. Paradoksalisht Shqipëria do të jetë në luftë edhe me Fuqitë e Mëdha të Koalicionit Antifashist: Britaninë e Madhe, SHBA-në dhe BS-në.

Dihet se qeveritë kuislinge, bashkëpunëtore të okupatorit, ishin një fenomen i përhapur në Evropë. Ato u formuan në të gjitha vendet që u okupuan nga Gjermania hitleriane. Të gjitha e përligjnin kolaboracionizmin me qëllim që t’u kursenin popujve vuajtjet dhe dëmet që do të shkaktonte okupacioni i huaj.

Nga ana e saj, qeveria kuislinge shqiptare bashkëpunimin me okupatorin, qoftë italian e gjerman, e quante një okazion të rrallë që i jepej kombit shqiptar për të ndrequr padrejtësitë e së kaluarës dhe për të realizuar ëndrrën e unitetit kombëtar.

Në fakt, pas mposhtjes së Jugosllavisë dhe Greqisë nga ushtritë italo-gjermane, Kosova dhe Çamëria iu bashkuan Shqipërisë. U krijua “Shqipëria e madhe”. Ky ishte iluzion. Ky ishte thjesht një zgjerim i territorit nën kontrollin e pushtuesit. Veç asaj, kufijtë nuk mund të ndryshohen dhe të caktohen në kohë lufte, aq më tepër nga Fuqitë e Boshtit që i pret disfata përfundimtare. Në të kundërtën, kolaboracionizmi do të krijojë një rrezik serioz për integritetin territorial të shtetit shqiptar të pavarur. Do të bëhet e qartë në Konferencën e Paqes, në mbarim të luftës, se çfarë dëmi kanë bërë.

Greqia do të kërkojë Vorio-Epirin, sepse Shqipëria ishte në gjendje lufte me të dhe tani, si shtet fashist, palë në agresionin kundër Greqisë, do të paguante pasojat. kolaboracionizmi do të jetë baza e platformës së delegacionit grek në Konferencën e Paqes. Veprimtaria e qeverive kuislinge nën okupacionin italian dhe gjerman do të jetë objekt i një kapitulli më vete. Qëndrimin e saj qeveria greke do ta tregojë edhe gjatë okupacionit disamujor të Jugut. Zhvillimi i ngjarjeve në front nuk hyn në këndvështrimin e punimit. Por nuk do të lihet mënjanë sjellja e trupave greke në trojet e okupuara.

Popullsia lokale do të vuajë pasojat. Do ta pësojë rëndë popullsia çame që do të shpërngulet në masë nga vatrat e saj. Vëllimi përfshin edhe Shtojcën ku renditen materiale të ndryshme: akte zyrtare, dokumente, artikuj, fjalime, ligjërata që janë një plotësim i problematikës së trajtuar në tekst. Ato do të japin një ide më të plotë të situatës dhe të sjelljes antikombëtare të krerëve të regjimit.

Në përfundim të punës për këtë monografi, e ndiej për detyrë t’i shpreh falënderimet më të përzemërta prof. Nasho Jorgaqit, për ndihmën e madhe që më ka dhënë me vërejtje e sugjerime që e kanë pasuruar punimin. Kam pasur rast të provoj edhe një herë njohuritë e gjera dhe përvojën e gjatë në të gjitha fushat e albanologjisë, veçanërisht të historisë.

Shpreh gjithashtu mirënjohjen time ndaj gazetarëve miq Artan Lame  e Ben Andoni, që dhanë një ndihmë të ç’mueshme për pajisjen e librit me materiale ilustruese.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama