Lufta ndaj korrupsionit Cuci 535 zyrtare ne hetim te ndeshkohen

Lufta ndaj korrupsionit, Cuci: 535 zyrtare ne hetim, te ndeshkohen

Ndëshkimi i zyrtarëve të lartë është shembulli se lufta ndaj korrupsionit po funksionon. Kështu tha ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi gjatë prezantimit të projektit të Bashkimit Evropian për “Vlerësimin e Kuadrit Anti-Korrupsion në Shqipëri” (ACFA).

Për 535 rastet e paraqitura në organin e akuzës për zyrtarë të akuzuar për korrupsion, procesi i hetimit nuk duhet të stërzgjatet ose të përfundojë pa u zgjidhur.

Ai bëri thirrje që në betejën kundër korrupsionit nuk mund të luftojë e vetme qeveria, por duhet të bashkëpunojnë të gjitha hallkat e drejtësisë dhe jo vetëm.

“Sfidë mbetet reformimi i tërë sistemit të drejtësisë për ta kthyer të pakorruptueshëm. Objektivi primar është të kthejmë besimin tek qytetarët, të rrisim shkallën e besimit tek puna konkrete e qeverisë. Qeveria do ketë vullnet të palëkundur kundrejt reformës. Ka një numër i madh zyrtarësh të referuar në organet e hetimi, janë 535 të tillë, mes të cilëve një numër i madh zyrtarësh të lartë, për korrupsion. Unë mendoj që hetimi nuk duhet stërzgjatur apo mbyllur, duhet vullnet i plotë nga të gjitha hallkat për të bërë shembull që lufta kundër korrupsionit do të japë fryte. Duhet përgjegjësi më e madhe për institucionet publike për të trajtuar pa vonesa referimet e kryera për raste korrupsioni që vijnë nga qytetarët. Bërja shembull, ndëshkimi duhet të jetë reflektim i shumë aktorëve jo vetëm qeverisë”, - u shpreh Çuçi.

Ministri Çuçi lajmëroi se javën e ardhshme qeveria ka gati paketën anti-korrupsion, ku pritet të prezantohet një fushatë e madhe kundër korrupsionit. Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore tha se në këtë proces duhet përfshirje e shoqërisë civile, ndërkohë që theksoi se toleranca e qeverisë ndaj kësaj çështje do të jetë zero.

“2015-a është vit i vrullshëm veprimesh, realizimesh, pjesë e të cilave do të jenë dhe rekomandimet e këtij projekti”, theksoi ministri Çuçi.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama