Ashtu si në Shqipërinë Veriore, edhe në atë Jugore, anarkia nxiti veprimtarinë politike të familjeve të vjetra feudale, të cilat ishin nga më të fuqishmet. Në sanxhakun e Vlorës familjet rivale për pushtetin lokal ishin ajo e pashallarëve të Vlorës dhe dega e tyre, familja e Velabishtajve, që ishte vendosur në fshatin Velabisht, afër Beratit. Që të dyja përpiqeshin të shtinin në dorë jo vetëm pushtetin e sanxhakut të Vlorës, por edhe atë të sanxhakut të Delvinës. Në gjysmën e parë të shek. XVIII më shpesh sunduan pashallarët e Vlorës, por, me lidhjet që krijoi Mahmud pashë Velabishti me feudalët e vegjël të Tepelenës, të Përmetit, të Skraparit etj., edhe ky nuk mbeti pa e marrë pushtetin kohë mbas kohe. Që nga viti 1751 e gjer nga vjeshta e vitit 1759 sanxhakun e Vlorës dhe, shpeshherë, edhe atë të Delvinës, i qeverisi i biri i Mahmud pashë Velabishtit, Ismail Pasha, i cili përkrahej nga një shtëpi tjetër feudale, ajo e Ngurzajve, përfaqësuesit e së cilës ishin nga ajanët kryesorë në Myzeqe. Në vitin 1754 Porta i dha Ismail Pashës gradën e vezirit bashkë me qeverisjen e sanxhakut të Ohrit dhe me komandën e derbendëve. Ajo synonte që, duke bashkuar nën urdhrat e tij sa më shumë forca feudale vendase, të nënshtronte popullsinë e Shqipërisë Jugore, dhe kështu të mund të kryhej vjelja e taksave shtetërore, sepse banorët e disa zonave malore kishin vite të tëra pa paguar taksat.
Ismail Pasha, sikurse edhe i ati, përveç lidhjeve me feudalët beratas e myzeqarë, ruajti edhe lidhjet që vazhdimisht kishte pasur familja e tij me feudalët e vegjël të zonave malore, shumica e të cilëve komandonte reparte ushtarësh me rrogë, aq të nevojshëm për të ruajtur grykat dhe rrugët.
Më 1758 sulltani urdhëroi vezirin e Beratit të nisej vetë në krye të një ekspedite për të vjelë taksat në sanxhakët e Vlorës dhe të Delvinës dhe “për të nënshtruar rebelët, duke vendosur kështu rendin e qetësinë”, por në të njëjtën kohë, kinse për t’i lënë vezirit duart e lira, e shkarkoi atë nga komanda e derbendëve, që e bënte shumë të fuqishëm dhe të rrezikshëm. Meqë ky urdhër çonte në shkatërrimin e mbështetjes së vezirit të Beratit në zonat malore të dy sanxhakëve dhe u jepte dorë Vlorajve që të bënin për vete malësorët derbendxhinj, Ismail Pasha nuk iu bind atij. Valiu i Rumelisë, më 1759, dërgoi kundër tij zëvendësin e vet. Atëherë Ismail Pasha u arratis bashkë me tre besnikë, ndër të cilët ishte i kunati, Ahmet Kurt beu i Ngurzajve.
Meqenëse familja e Vlorajve e përfaqësuesit e Stambollit nuk gjenin mbështetje nga ajanët vendas, Porta e Lartë u detyrua ta falte Ismail Pashën në vjeshtën e vitit 1761 dhe t’i njihte atij privilegjet që gëzonte dy vjet më parë. Edhe ky, meqë nuk ishte në gjendje t’u imponohej feudalëve beratas e myzeqarë, e pranoi faljen. Por Ismail Pasha nuk e la pa shfrytëzuar këtë dobësi të pushtetit qendror për të nënshtruar krahinën e Vlorës bashkë me pinjollët e familjes së Vlorajve, që ishin të mitur dhe nën tutelën e nënës së tyre, të vesë së Kapllan pashë Vlorës, kushëririt të tij. Në fillim të gushtit, Ismail Pasha u nis nga Berati me forcat e veta dhe hyri në qytetin e Vlorës pa luftë. Për t’ia arritur qëllimit, kërkoi dorën e vejushës së të kushëririt. Kjo e la me shpresën se pranonte të martohej me të, por ndërkohë përgatiti kurthin për ta vrarë. Kështu Ismail Pasha u rrethua prej forcave të saj në shtëpinë ku u vendos dhe, në luftim e sipër, u vra.
Vezir Ismail pashë Velabishtin e zëvendësoi i kunati, Ahmet Kurt pasha, që qeverisi sanxhakun për njëzet vjet rresht. Duke ruajtur pushtetin e vet, ky feudal ndoqi në përgjithësi një politikë bindjeje ndaj Stambollit dhe një politikë paqësore me oxhakun e Vlorajve. Ahmet Kurt pasha si derbend-pashë mbrojti interesat e feudalëve çifligarë dhe ndoqi pa mëshirë feudalët e vegjël, si dhe lëvizjet e tyre rebele kundër qyteteve, mukatave dhe pronave të çifligarëve të mëdhenj. Një nga viktimat e sulmeve grabitqare të tyre, gjatë luftës ruso-turke të viteve 1768-1774, u bë qyteti tregtar i Voskopojës.
Edhe në sanxhakët e Delvinës e të Janinës u zhvillua një luftë e gjatë dhe e ashpër për pushtet midis familjeve të mëdha vendase, e cila e futi Shqipërinë Jugore në një anarki të rëndë me rrjedhoja shkatërrimtare, veçanërisht për zhvillimin ekonomik. Kjo gjendje u dha mundësi disa familjeve më të vogla feudale të përfitonin për t’u fuqizuar dhe, duke marrë pjesë në grupet rivale, të krijonin tarafet e veta dhe të pretendonin për marrjen e pushtetit krahinor në duart e tyre. Një nga këto familje u bë ajo e Hysove të Tepelenës, e cila i përkiste shtresës së komandantëve ushtarakë apo të bylykbashëve, d.m.th. shtresës së atyre shtëpive feudale të zonave malore që nuk kishin prona të shumta tokësore. Këto mbaheshin e pasuroheshin kryesisht duke pajtuar e drejtuar njerëz me rrogë në shërbim të forcave të armatosura perandorake dhe të qeveritarëve të sanxhakëve brenda apo jashtë Shqipërisë, ose duke marrë nën mbrojtje fshatra e krahina kundrejt shpërblimesh. Ndryshe nga ç’pretendohet në disa gojëdhëna që i paraqisin me prejardhje anadollake, meqenëse i pari i tyre paska qenë një dervish i arratisur për krime nga rajoni i Anadollit, Hysot vinin nga një shtëpi e vjetër labe, të parët e së cilës kishin qenë të krishterë, por që u islamizuan pas pushtimit osman. Me rrënjë të vjetra në krahinën e Tepelenës, Hysot u dalluan si shtëpi bylykbashësh në fundin e shek. XVII, pikërisht kur Perandoria Osmane filloi të mbushte radhët e forcave të armatosura të saj me ushtarë me pagesë. Përfaqësuesi i saj në mbarim të shek. XVII deri në mesin e dhjetëvjetorit të dytë të shek. XVIII ishte Mustafa agë Hysoja ose Muço Hysoja. Në dokumentacionin e kohës ai përmendet herë si çaush jeniçerësh e herë si dizdar i kështjellës së Tepelenës, por kryesisht përmendet si një aga i pasur e i fuqishëm që ndiqej prej disa qindra trimash luftëtarë. Ai njihej gjithashtu si rebel dhe si një nga krerët e kryengritjes së Labërisë në vitet 1704-1714 për të mos paguar xhizjen, ndërsa djemtë e tij dalin si sipërmarrës të kësaj takse të rëndësishme shtetërore në krahinën e Myzeqesë dhe të Mallakastrës, të cilën mund ta vilnin, sidomos në periudhën e anarkisë feudale, vetëm feudalët më të fuqishëm. Muço Hysoja ishte një nga krerët labë më në zë dhe shtëpia e tij, njëra nga më të shquarat e Labërisë, që kishte filluar të ngjiste shkallët e hierarkisë së lartë administrative dhe të rivalizonte me oxhaqet kryesore të Shqipërisë Jugore në luftën për pushtetin politik.
Pjesëmarrja e Myftar bej Hysos si komandant ushtarak me rrogë në luftën veneto-osmane të viteve 1714-1718 dhe vrasja e tij në rrethimin e kështjellës së Korfuzit në vitin 1716 e rritën rolin e të birit, Veli Beut, si pretendent për kreun e sanxhakut të Delvinës. Ky pinjoll i Hysove, që kishte hyrë dhëndër në oxhakun e Mahmud pashë Konicës, arriti të ngrihej në radhët e mirmiranëve dhe në mesin e shek. XVIII u emërua qeveritar i sanxhakut të Delvinës me gradën pashë. Por grindjet për pushtet vijuan dhe u acaruan më tej, prandaj Veli pashë Hysoja nuk qëndroi gjatë në pushtet. Pas vdekjes së tij, rivalët mundën të kapnin edhe të venë e tij që e burgosën për disa muaj në qytetin e fortifikuar të Kardhiqit, për ta liruar pastaj kundrejt një shpërblimi e garancish të miqve të shtëpisë së Hysove. Sidoqoftë kjo shtëpi tashmë ishte në radhët e oxhaqeve shqiptare. Nën drejtimin e Ali Beut, djalit të Veli Pashës, ajo do të bëhej shtëpia më e fuqishme e Shqipërisë Jugore dhe e gjithë Shqipërisë.
Stërnipi i Muço Hysos dhe djali i Veli Pashës, Ali Beu, nuk e filloi karrierën e tij si hajdut rrugësh, sikurse mëtohet në gojëdhënat që janë pasqyruar në shumicën e literaturës së shkruar për jetën e Ali pashë Tepelenës (1740-1822), e sidomos për dyzetë vitet e para të jetës së tij. Përkundrazi, ai u rrit e u edukua si të gjithë djemtë e tjerë të oxhaqeve feudale të kohës së vet. Ali Beu u arsimua si një bir pashai dhe, duke u ndihmuar nga të afërmit dhe sidomos nga miqtë e shtëpisë së vet, që e kishin lidhur të ardhmen e tyre me atë të kësaj shtëpie të dëgjuar, u vu shpejt në krye të formacioneve ushtarake me pagesë të krahinës së vet aq të kërkuara nga qeveritarët e ndryshëm të sanxhakëve e sidomos nga valiu i Rumelisë. Si i tillë, ai u lidh me krushqi dyfishe me oxhakun feudal të Asllanpashallive të Gjirokastrës më 1768 dhe u bë një nga prijësit ushtarakë më të dëgjuar. Pa arritur moshën 40 vjeç, ai fitoi më 1784 gradën pashë në rreshtat e ushtrisë perandorake të Rumelisë. Po atë vit, për shkak se Selim pashë Koka kishte uzurpuar pushtetin e sanxhakut të Delvinës duke vrarë tre vjet më parë Mustafa Pashën e Delvinës, Porta e Lartë e emëroi mytesarif të këtij sanxhaku. Me këtë rast ai u urdhërua nga sulltani që, pasi të shtinte në dorë pushtetin, të ndëshkonte me vdekje fermanliun Selim pashë Kokën e përkrahësit e tij kryesorë dhe të vilte me forcë xhizjen e papaguar nga krahinat malore. Në krye të një fuqie ushtarake të madhe, me luftë dhe aspak me pabesi, pashai i ri zbatoi urdhrat e Portës së Lartë dhe në fundin e vitit 1784 mori në dorë pushtetin e sanxhakut të Delvinës. Pas të atit ai u bë pashai i dytë i familjes së Hysove që qeverisi këtë sanxhak. Edhe Aliu, që i përkrahu djemtë e Selim Pashës, nuk lejoi t’u konfiskoheshin çifligjet dhe nuk i arrestoi e i burgosi ata, siç pretendojnë, pa asnjë bazë, gojëdhënat, nuk u kufizua vetëm me sundimin në këtë sanxhak. Të ardhurat e atij sanxhaku të vogël nuk mjaftonin për të përballuar shpenzimet e ushtrisë së tij mjaft të madhe, prandaj Aliu synonte të shtinte në dorë sanxhakët më të rëndësishëm. Qysh në fillim të vitit 1785 kërkoi qeverisjen e sanxhakut të Tërhallës ose atë të Janinës. Më 1786 atij iu dha qeverisja e sanxhakut të Tërhallës dhe detyra e zëvendëskomandantit të derbendëve, kurse në mars të vitit 1787, kur vezir Ahmet Kurt pasha i Beratit vdiq i helmuar si aleat i Mahmud pashë Bushatlliut, atij iu besua detyra e komandantit të derbendëve. As i biri i vezirit të helmuar, Mehmet Pasha i Ngurzajve, dhe as kunati i këtij, Ibrahim Pasha i Vlorajve, që hynë në grindje midis tyre për punën e trashëgimit të pushtetit në sanxhakun e Vlorës, nuk ishin në gjendje të kryenin atë detyrë. Por Ibrahim Pasha, i cili arriti të merrte pushtetin në Berat, nuk mungoi ta kërkonte postin e derbend-pashës dhe të rivalizonte me Ali Pashën për një kohë të gjatë.
Duke përfituar nga mungesa e mytesarifit të sanxhakut të Janinës, Alizoi Pashës, që ishte larguar nga Shqipëria dhe ishte dërguar në frontin e luftës me Rusinë, pasi u mor vesh me Tahir Pashën e Asllanpashallive (që i kishte dhënë Aliut vajzën e vet për grua të dytë) dhe, duke pasur përkrahjen e shtresave të pasura të qytetit e të rrethit të Janinës që shihnin tek ai të vetmin qeveritar, që mund të vendoste e të ruante qetësinë, ashtu siç kishte bërë në Thesali, Ali Pasha i Tepelenës hyri në Janinë dhe vendosi sundimin e vet në fund të vitit 1787. Ai e vlerësonte drejt Janinën kur e quante “kyç të Shqipërisë”. Janina prej kohësh priste një qeveritar si ai për t’u bërë me të vërtetë kyç jo vetëm nga pikëpamja strategjike e administrative, por edhe nga ana ekonomike, duke u shndërruar në qendër e tregut ndërkrahinor të Shqipërisë Jugore.