Luftëtari nga dje nuk do të funksionojë më si OJF (shoqëri jo fitimprurëse), por do të jetë SHA (shoqëri aksionare). Pas përpilimit të procedurave ligjore prej më shumë se një muaj, dje me vendim unanim të Këshillit Bashkiak të Gjirokastrës është bërë kalimi nga OJF në SHA. Vetëm një votë ishte kundër.
Anëtarët e këshillit, pavarësisht përkatësive politike, u arrit gjetja e konsensusit të përbashkët. "Luftëtari, që të jetë dinjitoz mes ekipeve elitare të futbollit shqiptar, detyrimisht kërkon investime të fuqishme financiare. Ndaj, nga të gjithë ju (anëtarë të Këshillit Bashkiak) kërkohet votimi i kalimit të klubit nga OJF në SHA, pasi vetëm kështu Luftëtari do të jetë më i fortë, më dinjitoz mes ekipeve elitare", kështu iu është drejtuar kryebashkiakja Zamira Rami të pranishmëve në mbledhjen e djeshme të Këshillit Bashkiak të Gjirokastrës.
Luftëtari ka funksionuar si OJF, me kryetar bordi donatorin Grigor Tavo, i cili në mbledhjen e fundit të 12 prillit 2016 zëvendësoi Qazim Muhon, pas dorëheqjes së këtij të fundit. Lefter Kurro, një prej anëtarëve të Këshillit Bashkiak, në fjalën e tij, mes të tjerave u ndal te përkushtimi dhe serioziteti i treguar ndër vite nga biznesmenët gjirokastritë si në futboll dhe në basketboll. Mes disa emrave me kontribut të padiskutueshëm, Kurro veçoi edhe donatorin aktual të Luftëtarit, Grigor Tavo, njeriun që në vitet 2000 e ngriti basketbollin gjirokastrit në majat më të larta, madje deri në Europë.
Nga mbledhja e djeshme është bërë e ditur se gjirokastritët do të garojnë në Superiore me logon "Luftëtari". Pas diskutimeve të gjata, të fokusuara thuajse tërësisht për klubin Luftëtari, u vendos për ndërhyrjet në stadiumin "Gjirokastra", për përmirësimin e infrastrukturës së "Fushës së Vjetër". Nga mbledhja e djeshme u arrit në përfundimin se ky hap cilësor, kalimi nga OJF në SHA, është i vlefshëm vetëm për Klubin e Futbollit të Luftëtarit.
Tomor Shehu