Luftetari nis pergatitjet 45 lojtare nen urdherat e trajnerit serb

Luftëtari nis përgatitjet, 45 lojtarë nën urdhërat e trajnerit serb

Luftëtari i sezonit të ri, nga dje me seancën stërvitore të orës 17:00, u ka dhënë jetë përgatitjeve verore me objektiv përfaqësimin dinjitoz mes ekipeve elitare të futbollit shqiptar. Më herët se futbollistët bluzinj të zbrisnin në fushë, numri i të cilëve shkonte në 45, donatori Gligor Tavo nuk ka vonuar të prezantojë para tyre, serbin Mlladen Milinkoviç si të parin e pankinës gjirokastrite.

luftetari

Jo vetëm kaq, por Tavo njëherazi ka prezantuar dhe bashkëpunëtorët e ngushtë të 48-vjeçarit serb: Vasil Papën dhe Ilir Zekon si ndihmës-trajnerë të Luftëtarit. Donatori Gligor Tavo, pasi iu drejtua futbollistëve me fjalët se të gjithë së bashku në funksion të ekipit nuk ka objektiv që s'realizohet, ju urojë punë të mbarë stafit të ri teknik dhe lojtarëve të pranishëm.

Ka mjaftuar prezantimi i trajnerit të ri si dhe ndihmësve të tij, që ekipi të niste seancën e parë stërvitore në terrenin sportiv të "Fushës së Vjetër". Pjesë e seancës së parë stërvitore, pasditen e djeshme, ishin futbollistët e sezonit të fundit, ata të cilët rinovuan kontratat me bluzinjtë. Festim Miraka, Oltion Rrapaj, Lejdi Liçaj, Donald Rrapaj, Oriad Beqiri, Ergys Mersini, Albano Aleksi, Eduart Rroca, Dejvi Bregu, Behar Ramadani, disa nga futbollistët bazë të sezonit të fundit.

Kurrsesi nuk do të mungonte në grumbullimin e parë të Luftëtarit dhe prurja e vetme e kësaj merkatoje, lushnjari Alemao Zdrava. Ndërkaq, pjesë e 45 futbollistëve të pranishëm në ditën e parë stërvitore ishin dhe më të rinjtë, pjesë e grupmoshave. 5 do të jetë numri i lojtarëve të rinj që do të federohen me Luftëtarin. Sakaq, sot trajneri Mlladen Milinkoviç do të dalë në një konferencë për shtyp, nga ku dhe do të bëjë të ditur objektivat e Luftë- tarit të ri.

Tomor Shehu



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama