Lugina e lumit Drino në Jug të vendit, në Gjirokastër, nuk është vetëm një nga zonat më të pasura të Shqipërisë, me objekte, rrënoja dhe gjurmë vendbanimesh antike, bizantine dhe mesjetare, por pa asnjë dyshim që territori i saj është rajoni me numrin më të madh të manastireve, objekte këto që si institucione fetare kristiane, nga pikëpamja historike nisën të përhapen dhe i përkasin periudhës së fundit të Bizantit dhe fillimit të Mesjetës. Manastiret janë objekte kulti të fesë ortodokse dhe katolike, të ngritura zakonisht jashtë qendrave të banimit, ndanë rrugëve dhe korridoreve rrugore më të qarkullueshme gjatë Mesjetës, vendosur patjetër rreth një kishe, në të cilat jetonin sipas disa rregullave të caktuara murgj dhe murgesha, por që në kohën e lulëzimit të tyre ato prisnin besimtarë, pelegrinë, udhëtarë dhe vizitorë të zakonshëm.
Çdo qafë dhe grykë me manastire
Nga pikëpamja gjeografike Lugina e Drinos, që përshkon mes përmes Fushën e Gjirokastrës, përfshin një territor të gjerë në të dyja anët e rrjedhës kryesore të Lumit Drino (84 km i gjatë), midis vargmaleve Shëndëlli – Lunxhëri – Bureto dhe vargut tjetër Malësisë së Kurveleshit – Mali i Gjerë – Stugarë. Në këtë zonë mund të depërtosh vetëm nëpërmjet disa qafave dhe grykave, si Gryka e Tepelenës, Qafa e Çajupit nga veriu i luginës, Qafa e Skërficës, Qafa e Sopotit dhe Qafa e Muzinës në perëndim, Gryka e Selckës dhe Qafa e Peshkëpisë në lindje dhe Gryka e Sotirës, Qafa e Kakavijës dhe Qafa e Koshovicës në jug të luginës. Është vërtet për t’u habitur, por pothuajse çdo “portë” natyrore hyrëse në luginë, çdo grykë dhe qafë, ka pasur pranë vetes një manastir. Përmendim vetëm disa raste: Manastiri i Dragotit në Grykë të Tepelenës, Manastiri i Hundkuqit pranë Qafës së Çajupit, Manastiri i Cepos në hyrje të luginës së Kardhiqit (që përfundon në Qafë të Skërficës), Manastiri i Shën Thanasit në Poliçan, Manastiri i Spilesë në Tranoshishtë të Lunxhërisë dhe Manastiri i Stegopulit vendosur në të dy anët e Grykës së Selckës, Manastiri i Melanit dhe Manastiri i Peshkëpi-Radatit vendosur pranë Qafës së Peshkëpisë, Manastiri i famshëm i Pepelit dhe Manastiri i Shën Mërisë në Driano mbi Zevat, Manastiri i Shën Mërisë në Koshovicë, vendosur në zonën e rrugëkalimeve të ngushta Kakavijë – Koshovicë – Sotirë në Dropull të Sipërm. Manastiret e Manastiri i Profet Ilisë në Jorgucat, Manastiri i Ungjillëzimit në Vanistër, Manastiri i Kryeengjëjve mbi Dervician, Leftokaresë, Dhuvjanit, Ravenës të vendosur në afërsi të qafave të Muzinës dhe Sopotit që janë të vetmet mundësi kalimi nga Lugina e Drinos për në Pellgun e Delvinës nëpërmjet Malit të Gjerë.
Natyrisht, kjo vendosje nuk është e rastësishme nëse mbajmë parasysh se Lugina e Drinos, një zonë e pasur dhe pjellore, një nyje dhe rrugë komunikimi në të katër pikat e horizontit, rajon me ngulime të rëndësishme qysh në periudhën antike të dëshmuar nga rrënojat dhe gjetjet arkeologjike në të gjithë hapësirën. Vendbanimet e lashta nisin me rrënojat dhe muret antike të Selosë në Dropull të Sipërm në kufi me Greqinë, vazhdojnë me rrënojat e vendbanimit antik, manastirin dhe Teqen Bektashiane në Melan, me rrënojat dhe teatrin e Hadrianopoli në Sofratikë të Dropullit të Poshtëm, Antigonenë, qytetin e Pirros së Epirit në Lunxhëri, kështjellat e periudhës helenistike, romake, bizantike dhe mesjetare të Gjirokastrës, Labovës së Kryqit, Libohovës, Palokastrës, Kardhiqit, Zhulati e deri te rrënojat antike në Lekël afër Tepelenës në veri të luginës. Argument tjetër, mund të shërbejë edhe fakti që në bazë të të dhënave dhe llogaritjeve të përafërta për të gjitha periudhat historike të jetës në këtë hapësirë gjeografike të bëra prej ekspertëve të arkeologjisë, historianëve, gjeografëve dhe ekspertët e statistikës, dendësia mesatare e popullsisë është luhatur nga 60 deri në 80 banore për km2.
Në dukje “botë e mbyllur”, por qendra të hapura shpirtërore dhe kulturore
Manastiret si institucione fetare, në dukje shfaqen si qendra të “botës së mbyllur”, që u shmangen kontakteve me botën e zhurmshme, por në fakt ato kanë shërbyer si qendra të kulturës e diturisë, si qendra mikpritëse, institucione ekonomike me prona dhe vetadministrim. Studiuesi Jacques Le Goff në librin e tij “Qytetërimi i Perëndimit Mesjetar” i përkufizon manastiret si qendra të rëndësishme shpirtërore, ekonomike, intelektuale, një tërësi ndërtimesh të grupuara me kisha, galeri, konakë, banesa, restorante e hotele për pelegrinët dhe njerëzit në nevojë ekonomike dhe shëndetësore. “Teorikisht një botë e mbyllur, shpesh e vendosur në vende të vetmuara, që duhet t’i plotësonte vetë nevojat e saj për të shmangur kontaktet me botën e jashtme, por në të vërtetë manastiret kanë qenë vatra të relatimit të teknikave, të librave dhe të ideve të spiritualitetit. Qendra ekonomike (zotërime të mëdha, të hapura ndaj progreseve të teknikave bujqësore dhe paraindustriale, urdhrat e shekullit XII, veçanërisht sistersienët, organizonin shfrytëzimin e gjerë të një të një pjese të vetme, shpesh larg manastirit, hambarët); qendra intelektuale (scriptorium) ku murgjit kopjonin dhe zbukuronin me vizatime dorëshkrimet) dhe qendra artistike (miniaturat, vitrazhet, ndërtimi etj.); nganjëherë qendra politike (roli i Klynit) dhe në mënyrë të dukshme qendra shpirtërore”. (J.L. Goff, “Qytetërimi i Perëndimit Mesjetar”, SH.B. Toena, faqe 500).
Ekonomikisht manastiret e Luginës së Drinos menaxhoheshin dhe vetadministroheshin duke përdorur burimet e veta pronësore të cilat shtoheshin vazhdimisht nga faljet që bënin besimtarët, ndërkohë që në periudhë bizantine dhe pasbizantine, kishtarisht ato vareshin nga Peshkopata e Drianopojës. Sipas studiuesit prof. Pirro Thomo, qendra e Peshkopatës supozohet të këtë qenë në Melan, por nuk përjashtohet mundësia që të ketë qenë edhe në Peshkëpi të Rrëzës së Zezë. “Sipas një hipoteze, qendra e Peshkopatës duhet të ketë qenë në fshatin Melan, i cili identifikohet me Justinianopolis, qytet i shekullit V-VI,I përmendur nga Prokopi i Cezaresë. Por nuk është pa vlerë dhe hipoteza tjetër që e vendos Selinë Peshkolape të Drianopojës në fshatin Peshkëpi, jo vetëm nisur nga emri, por edhe nga ekzistenca e një kishe të madhe, me shumë mundësi e shek XII”. (P.Thomo. “Kishat Pasbizantine në Shqipërinë e Jugut”, 1998, faqe 96).
Institucioni i manastirit lindi në një kohë të caktuar dhe me funksione të diktuara nga koha dhe në thelb të tij qëndron bashkimi i dëshirës për t’u “arratisur” nga bota e zhurmshme, nga njëra anë dhe organizimin shpirtëror, human dhe ekonomik të pavarur në anën tjetër. “Por qendra e madhe e Mesjetës së Hershme është manastiri i veçuar, manastiru rural. Me punishtet e veta ai është një ruajtës i teknikave artizanale dhe artistike; me skritoriumet – biblioteka, një mbështetës i kulturës mendore; për hir të zotërimeve, veglave të veta, punës së dorës të murgjëve dhe të varfërve të të gjitha llojeve, një qendër prodhuese dhe një model ekonomik dhe sigurisht, një vatër e jetës shpirtërore, e ngritur shpesh mbi reliket e një shenjtori”, shkruan studiuesi Jacques Le Goff në librin e tij. (J.L. Goff, “Qytetërimi i Perëndimit Mesjetar”, SH.B. Toena, faqe 149). Ashtu si në të gjithë botën e krishterë, edhe në rajonin e Luginës së Drinos, manastiret janë ndërtuar në vende të shenjta, pranë apo mbi tempuj dhe ngrehina antike. Jacques Le Goff thekson se ndërtesat e manastireve në të shumtën e rasteve janë të ndërtuara me gurë dhe dru dhe shpesh me grurë të marrë nga monumente antike në shkatërrim e sipër. “Në të gjitha frontet e kristianizmit, nga shekulli I v në shekullin e IX, nëpër qytete, nëpër fshatra, përtej kufijve të Krishterimit, manastiret kanë një rol thelbësor”, nënvizon Jacques Le Goff. (J.L. Goff, “Qytetërimi i Perëndimit Mesjetar”, SH.B. Toena, faqe 156).
Manastiret, vatra bujare për luftëtarët dhe njerëzit në nevojë
Historikisht, manastiret, jo vetëm që ndikuan dhe mundësuan depërtimin dhe shtrirjen e krishterimit në zona të pushtuara nga Perandoria Osmane, po ato u kthyen në vatra bujare dhe në strehë të sigurt për çetat e luftëtarëve antiosmanë, antiimperialistë dhe antifashistë. Duke parë fizionominë dhe zhvillimin e tyre, kryesisht gjatë periudhës mesjetare, në një rajon si Lugina e Drinos ku bashkëjetonin fe dhe etni të ndryshme, këto institucione shpirtërore dhe sociale kanë plotësuar kërkesa dhe nevoja nga më të ndryshme të diktuara nga koha.
Banorët në jug të Shqipërisë ende sot e kësaj dite përdorin një shprehje “Vafsh në Pepel!”, shprehje e cila e merr kuptimin nga funksionet e Manastirit të Shën Triadhës në Pepel, ku gjenin strehë dhe ushqeheshin persona me probleme të shëndetit mendor. Të sëmurët mendor kishin dhomat, mensat dhe mjediset e tyre dhe sipas gojëdhënave, këta të sëmurë shpeshherë rehabilitoheshin dhe ktheheshin përsëri në vendbanimet e tyre të shëruar. Në këtë manastir, deri vonë organizoheshin disa herë në vit panaire bujqësore, blegtorale dhe të prodhimeve artizanale. Pepeli mbahet mend si vendi i shërimit dhe përtëritjes i të sëmurëve mendorë, si vendi i organizimit të Panairit të Shëntriadhës, si streha e vetme ku mbaheshin dhe rriteshin fëmijët jetimë, të braktisur, handikapatë dhe fëmijë të lindur nga marrëdhënie jashtëmartesore. Manastiri i Shën Qirjakut dhe Julitës në Dhuvjanit ndërtuar në 1558 ka shërbyer si shkollë, mandej thuhet se aty ka qenë shkolla e parë femërore në greqisht. Në këto manastire gjenin strehim njerëzit e vetmuar, pleq dhe fëmijë nga marrëdhënie jashtëmartesore. Mandej, personat që kanë kujdestarinë e Manastirit të Pepelit janë një çift të moshuarish që qysh fëmijë janë rritur në mjediset e këtij manastiri, të cilët më pas u martuan dhe ngritën familjen e tyre. Në Tranoshishtë tregojnë se kur ndonjë familje fshati mbetej pa qumësht, shkonin në Manastirin e Shën Mërisë i njohur si manastiri i Spilesë dhe kallogretë që banonin aty (murgeshat) u jepnin lopë nga tufa e manastirit për të përballuar nevojat e familjes. Në Manastirin e Cepos dhe në atë të Hundkuqit në vitet e vështira të pushtimit osman, fshehurazi është mësuar shqip dhe janë mbajtur kuvende me rëndësi historike për mbrojtjen e trojeve, gjuhës dhe kulturës. Dëshmi tjetër, për peshën dhe rëndësinë historike të manastireve sjell Manastiri i Ardenicës në Myzeqe, pasi në altarin e kishës së tij është bërë ceremoniali i kurorëzimit të martesës së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit me Donika Arianitin në mesditën e 21 prillit 1451 nga peshkopi i Kaninës Feliks, në prani të princave shqiptarë dhe ambasadorëve të Napolit, Venedikut, Raguzës, fakt historik që përmendet për herë të parë nga historiani italian, A. Lorenconi, në vitin 1940. Në fshatin Plesat që ndodhet pranë Manastirit të Cepos vendosur në pikën që konsiderohet si “Porta e Labërisë”, tregojnë se një kallogre e këtij manastiri e quajtur Sofi është vrarë nga trupat pushtuese gjermane në vitin 1944, sepse dyshohej se u çonte ushqime partizanëve të dislokuar në Shpellën Eremite të Cepos dhe kjo grua e jashtëzakonshme edhe sot e kësaj dite nuk është shpallur dëshmore e luftës antifashiste. Luftëtarët e Çetës Patriotike të Çerçiz Topullit kanë gjetur mbrojtje, ushqim e strehim në Manastirin e Ravenës në Goranci dhe në Manastirin e Cepos. Sipas një banori të këtij fshati, 75-vjeçarit Spiro Panajoti që kujdeset vullnetarisht për këtë “manastir-monument” në kohën e lulëzimit të plotë të tij, ai gjendet në një pozicion të favorshëm gjeografik, si një ballkon sipër fushës së Dropullit dhe në rrugëkalimin që lidhte në shekujt e kaluar dy qendra të rëndësishme administrative të rajonit, Gjirokastrën dhe Delvinën, udhëtarët dhe karvanët qëndronin në mjediset e brendshme dhe në hijet e rënda të pemëve të manastirit, çlodheshin dhe ushqeheshin falas në mjedise të posaçme që quheshin “trapezari”. Banorët vendas thonë gjithashtu se ky manastir përmendet edhe si një institucion arsimor, pasi aty nga viti 1858 deri në vitin 1885 ka funksionuar shkolla femërore, ku përveç shkrimit e këndimit ato kanë mësuar edhe qëndisje e gatim. Tjetër problematikë ka Manastiri i “Fjetjes së Shën Mërisë” së Tranashishtës, i njohur ndryshe si Manastiri i Spilesë. Në shkrimet e vjetra thuhet se kisha e Shën Mërisë në Spile të Saraqinishtit është e ndërtuar dhe pikturuar në vitin 1634. Kjo është e vërtetuar në mbishkrimin, i cili ndodhet mbi derën në faqen perëndimore të Naosit (salla qendrore). Është një kishë mrekullisht e bukur, me një kompleks shpellash dhe një kishë në faqen shkëmbore të malit të Lunxhërisë, por që edhe pse ndodhet vetëm 2-3 km larg Parkut Arkeologjik të Antigonesë fatkeqësisht nuk është e mundur të vizitohet, për shkak se mungon rruga dhe vendi është kthyer në vathë për bagëtitë.
Manastiret dhe kishat “monument kulture” në rrënim të përditshëm
Nisur nga vlerat historike, arkitekturore, ikonografike dhe artistike, aktualisht manastiret përbëjnë një vlerë dhe pasuri të jashtëzakonshme të trashëgimisë kulturore, prandaj është e nevojshme të tregohet kujdes që këto vlera të rizbulohen, studiohen, të ruhen, mirëmbahen dhe rijetëzohen për t’u shërbyer banorëve, zhvillimit të turizmit dhe brezave të ardhshëm. Me gjithë përpjekjet e vazhdueshme për t’i ruajtur të paprekura vlerat e disa manastireve dhe kishat e tyre të shpallura “monument kulture”, një pjesë prej tyre, sidomos ato që ndodhen larg qendrave të banuara, mbeten krejtësisht të pambrojtura, në mëshirë të fatit dhe në rrënim të përditshëm. Vështirësitë për mbrojtjen e manastireve monument kulture nisën sidomos pas reformës për shkurtimin e personelit të kujdestarëve të monumenteve nga organikat e Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës, të ndërmarra nga Instituti i Monumenteve të Kulturës në fillim të vitit 2007. Në Qarkun e Gjirokastrës janë në administrim gjithsej 170 monumente kulture të kategorisë së parë dhe rreth 500 të tjera të kategorisë së dytë, pjesa më e madhe e këtij numri janë objekte kulti të fesë ortodokse, sikurse janë kishat dhe manastiret. Gjatë këtyre 24 vjetëve të fundit, autoriteti i Kishës Ortodokse Autoqefale ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme për të ringjallur besimin dhe ringritjen e institucioneve të dhunuara prej regjimit komunist, periudhë në të cilën shumë nga këto objekte u kthyen në stalla bagëtish, magazina drithi dhe reparte ushtarake, sikurse është rasti i manastireve të Dragotit, Cepos, Pepelit, Vanistrës, që shërbyen deri vonë si reparte të ushtrisë dhe policisë. Mandej, Manastiri i Dragotit vazhdon të ketë një fat të tillë, pasi edhe sot vazhdon të funksionojë si pikë grumbullimi të makinave të sekuestruara nga policia. Në disa raste është investuar edhe për ringritjen e kishave të vjetra, një pjesë e tyre e marrë në mbrojtje nga shteti si monumente të trashëgimisë kulturore. Gjendja aktuale në disa prej manastireve të Luginës së Drinos paraqitet jashtëzakonisht e rënduar edhe nga pikëpamja arkitekturore. Koha bën punën e saj dhe rrënimi në disa prej tyre është gjithmonë e më i pranishëm. Për të parandaluar shkatërrimin nuk nevojiten vetëm fonde, por edhe studime, analiza dhe projekte për restaurimin, konservimin dhe rijetëzimin e tyre për t’i bërë këto vende të vizitueshme. E tillë është gjendja e Manastirit 700-vjeçar të Shën Triadhës në Pepel të Dropullit të Sipërm, një vend i njohur pelegrinazhi për besimtarët ortodoksë të Gjirokastrës, Delvinës dhe Sarandës. Me gjithë ndërhyrjet, gjendja e tij është përherë e rrezikuar. Gjendja teknike e afreskeve që mbulojnë pothuajse krejt muret dhe tavanet e këtij monumenti të rrallë vazhdon të jetë në gjendje të rëndë. “Nuk janë kujtuar për kryerjen e restaurimit as Drejtoria Rajonale e Monumenteve, që e ka në listën e objekteve monumentale në ruajtje, por as Mitropolia e Kishës Ortodokse Autoqefale e Gjirokastrës, që e ka në varësi e kujdestari si objekt fetar”, shpjegon 80-vjeçari Vasil Gjoni, banor i Pepelit dhe njëkohësisht njeriu që mban çelësin e kishës së manastirit 700-vjeçar. Jetim, ai është rritur nën kujdestarinë e murgjve të këtij manastiri. E njëjta gjendje dhe situatë edhe në rrënojat e Manastirit 1000-vjeçar të Dhuvjanit, një tjetër perlë e harruar e qytetërimit dhe krishterimit ortodoks. Tabela në të hyrë të tij shkruan vërtet “Monument kulture, mbrohet nga shteti”, por në fakt çdo gjë është duke u shkatërruar plotësisht dhe mjedisi i tij, dikur përrallor, sot duket tepër mjeran. Në Dhuvjan ndodhen edhe 6 kisha të tjera të lashta, midis të cilave ajo e Shën Nikollës, por natyrisht më e veçanta prej tyre është ajo që gjendet brenda oborrit të Manastirit të Dhuvjanit, e quajtur kisha e Shën Julitës.
Edhe Manastiri 335-vjeçar i Shën Sotirit në Mingul të Lunxhërisë nuk mbetet pas sa i takon problematikës. Edhe pse ngrihet në një vend të bukur e piktoresk, ky manastir, që ende mbledh besimtarët pranë vetes, ka nevojë për një projekt për t’u rijetëzuar. Edhe pse i harruar, ai mbart vlera të pazëvendësueshme në trashëgiminë tonë kulturore jo vetëm në Lunxhëri, por edhe më gjerë. E njëjta situatë vazhdon të jetë po kaq e mjerë edhe në manastiret dhe kishat e tjera, siç është ai i Hundkuqit, manastiri i Cepos, kisha e Peshkëpisë së Poshtme etj. Këto vende me pak kujdes e interes nga ana e të gjitha palëve mund të kthehen në pika të rëndësishme turistike, vlera të vërteta me të cilat absolutisht mund të krenohemi.
Në shënjestër të trafikut të veprave të artit dhe antikuarëve
Ndonëse në shumë nga manastiret dhe kishat e tyre të pasura me ikonostase, afreske, ikona, antikuarë, orendi e sende me vlerë të jashtëzakonshme, që kanë gëzuar këtë status edhe gjatë periudhës komuniste, kanë mundur të shpëtojnë dhe të ruhen të paprekura si thesare të kulturës dhe trashëgimisë. Por në këto dy dekadat e fundit pas vitit 1990, disa nga vlerat që i shpëtuan periudhës së diktaturës, për shkak të ngërçeve të herëpashershme mes institucioneve të shtetit të specializuara për monumentet dhe institucioneve fetare, nuk u kanë shpëtuar dot grabitjeve dhe humbjeve. Manastiret dhe kishat javë vënë në shënjestër të trafikut të veprave të artit dhe antikuarëve. Grabitja e ikonave nga manastiret dhe kishat në rajonet e Shqipërisë jugore konsiderohen si një nga vjedhjet më të kushtueshme të veprave të artit dhe njëkohësisht edhe krimi më i pandëshkuar në dy dekadat e fundit. Sipas të dhënave, deri tani asnjë prej grabitësve dhe trafikantëve të këtyre vlerave të pallogaritshme të trashëgimisë kulturore nuk është kapur dhe dënuar nga drejtësia shqiptare. Pas një zinxhiri të gjatë grabitjesh të ikonostaseve dhe ikonave të vjetra nga manastiret dhe kishat më të rëndësishme të periudhës së Bizantit, nuk ka më asnjë dyshim se ikonografia dhe vlerat e tjera të trashëgimisë kulturore, artistike dhe fetare janë vënë në shënjestër të trafikut të veprave të artit. Ato mbeten përherë të rrezikuara. Goditjen e parë dhe më të rëndë ikonografia dhe vlerat e trashëgimisë shpirtërore e fetare në Luginën e Drinos e mori në vitin 1990. Nga kisha e Labovës së Kryqit u zhduk Kryqi i Labovës së Kryqit, një objekt i rrallë që ishte ruajtur në shekuj nga banorët e zonës. Sipas legjendës që vazhdon të tregohet edhe sot, ky kryq ishte një dhuratë e Perandorit Justinian për Labovën dhe se brenda tij kishte një “shkel” druri prej Kryqit të Shenjtë ku u kryqëzua Jezus Krishti. Ishin tre persona që e grabitën në vitin 1990, të cilët u gjykuan dhe u dënuan nga drejtësia, por asnjëherë nuk treguan personin apo vendin ku u degdis kjo vepër me vlera të rralla. Një tjetër vjedhje që është bërë në këtë objekt që daton në shekullin X-XI, ishte në javën e parë të muajit janar 2008, kur nga kjo kishë për herë të katërt janë grabitur 18 ikonat e pjesës së sipërme të ikonostasit të kishës. Më pas ka nisur një varg i gjatë dhunimesh. Manastiret dhe kishat vazhdojnë të jenë ende nga më të rrezikuarat. Për këtë flet jo vetëm grabitja e 14 ikonave në kishën bizantine të Labovës së Kryqit dhe 20 ikonave dy vjet më parë në kishën e Jorgucatit, por krejt zinxhiri i gjatë dhe i pandëshkuar vjedhjesh në këto 20 vitet e fundit. Në qershor të vitit 2007, procesi i katalogimit ka mundur të zbulojë grabitjen e ikonave nga Manastiri i Ravenës afër Goranxisë, në shtator 2007 janë grabitur njëra pas tjetrës kishat e Varoshit në Gjirokastër, Goranxisë dhe Zervatit në Dropull, në tetor të vitit 2007, për të katërtën herë që nga viti 1991, është grabitur kisha e Shën Thanasit në Bularat, herën e fundit po në këtë kishë u grabitën 18 ikonat, rreth 200-vjeçare të ikonostasit të vjetër.
Epilog
Manastiret e Luginës së Drinos, këto perla të qytetërimit dhe krishterimit ortodoks, me gjithë grabitjet, faktin që vazhdojnë të mbeten të harruara dhe në rrënim të përditshëm, përsëri ato ruajnë vlera të jashtëzakonshme të traditës shpirtërore. Në afresket e mureve të Kishës së Vllahogoranxisë ndërtuar në 1622 gjen edhe sot gjurmët e penelit të piktorit të famshëm, ikonografit të njohur, Onufër Qipriotit. Kisha e Manastirit të Profetit Ilia në Jorgucat ndërtuar në vitin 1586 dhe narteksi i saj është pikturuar në 1617 prej penelit të piktorit Mihal nga Linotopi. Kisha e Manastirit të Shën Mërisë në Spile midis fshatrave Saraqinishtë dhe Tranoshisht në Lunxhëri është ndërtuar në vitin 1634 narteksti i së cilës pikturuar në vitin 1659 ka disa afreske mjaft impresionuese. Manastiri i Profet Ilisë në Stegopull të Lunxhërisë, ndërtuar në vitin 1624 ruan afreske të pikturuara në 1653 nga Konstandini i biri i Mihalit nga Linotopi së bashku me Nikollën.
Me gjithë madhështinë që përçojnë, përtej vlerave shpirtërore, historike e artistike, sërish kujdesi për to është minimal diku, e aspak diku tjetër. Me pak kujdes e interes nga të gjitha palët mund të kthehen në pika të rëndësishme turistike, vlera të vërteta, me të cilat absolutisht mund të krenohemi.