Luis Hemilton ka fituar Çmimin e Madh të Kanadasë në Formula 1 duke i rrëmbyer pikë të tjera të rëndësishme kryesuesit të Botërorit, Niko Rosberg. Gjermani nuk po arrin të shfaqet si në garat e para të sezonit dhe këtë radhë nuk siguroi më shumë se vendin e 5-të.
Hemilton e mbylli garën i shkëputur 5 sekonda nga Sebastian Fetel, i cili kishte mundësinë të luftonte për fitoren pas një fillimi të jashtëzakonshëm të garës. Por strategjia e tij me dy ndalesa në bokse nuk ishte aq rezultative sa ajo me vetëm një të tillë e Hemilton.
Kjo do të thotë se pas 7 prej 21 garave të këtij sezoni, Hemilton tashmë e sheh veten vetëm 9 pikë pas Rosberg, i cili pranë fundit të garës rrezikoi të përfundonte jashtë pistës pas një dueli me Maks Verstapen për vendin e katërt.
Vendi i tretë i shkoi Valteri Botas me Uilliams, i cili shfrytëzoi në mënyrë perfekte strategjinë e tij me vetëm një ndalesë në bokse, duke ngjitur për herë të parë në këtë sezon skuadrën e tij në podium.
Zonën e pikëve në këtë garë e plotësuan me radhë Raikonen, Riçiardo, Hulkenberg, Sainz dhe Perez.
Renditja e Botërorit
116 Niko Rosberg
107 Luis Hemilton
78 Sebastian Fetel
72 Daniel Riçiardo
69 Kimi Raikonen
50 Maks Verstapen
44 Valteri Botas
37 Felipe Masa
24 Serxhio Perez
22 Danil Kviat