Luiza Gega Ne Holande thyej tabune e medaljes europiane

Luiza Gega: Në Holandë thyej tabunë e medaljes europiane

Me shumë gjasa, Europiani i Amsterdamit nga 6-10 korrik do të jetë testi final për "Mbretëreshën e Sporteve" Luiza Gega përpara pjesëmarrjes historike në Olimpiadën e Rios. Në një prononcim për "Panorama Sport", kampionia kuqezi premton se do të thyejë tabunë e një medaljeje kontinentale. Kësaj here Gega ka zgjedhur 3000 m/p.

gega

"Stërvitja po shkon shumë mirë. Kjo disiplinë më pozicionon shumë mirë në Europë. Për dijeni nuk po bëj pushim as të dielave. Pra fjala pushim për mua deri në Lojërat Olimpike është e ndaluar. Objektivi në Europian? Mbetet medalja. Për këtë jam stërvitur kaq gjatë që të vij të marr medaljen e madhe. Jam shumë pranë saj. Besoj se me kohën që kam bërë, jam në zonën e medaljes, për më tepër stërvitja ka shkuar shumë herë më mirë se gara që kam bërë përpara 3-4 javëve.

Konkurrenca është prezente. Fjala është për një atlete gjermane, e treta në kampionatin botëror të kaluar. Gjithashtu, ka edhe dy atlete skandinave, të cilat janë medalistet në fuqi nga Europiani i kaluar. Fokusi im së bashku me trajnerin gjatë seancave stërvitore ka qenë te teknika me pengesa dhe më së shumti tek ajo e ujit. Përmirësimi në teknikë do të më rrisë shumë mundësinë e përmirësimit të kohës. Sigurisht që stërvitja është fokusuar mes vrapimeve të gjata në lartësi dhe në stadiumin e Korçës", u shpreh fillimisht rekordmenia Gega.

Por a do të jetë kjo gara e fundit përpara aventurës olimpike? Ndoshta. "Më kanë kërkuar në 'Diamond League' në Londër në 22-23 korrik. Me trajnerin nuk e kemi vendosur për arsye objektive. Më 22 korrik është ceremonia e dorëzimit të flamurit në Presidencë dhe nuk e di nëse mund të arrijmë të shkojmë në 23 në Londër. Edhe atje do të garoj në 3000 m me pengesa. Pra do të vendoset në ditët në vazhdim pas kthimit nga Europiani".

nishani-gega

Financimi

Jo pak herë ka bërë apel për më tepër mbështetje nga shteti, por reflektimi prej autoriteteve ka qenë në vendnumëro sipas kampiones. "Kam marrë vetëm 85 mijë lekë (të rinj) si shpërblim nga federata për rezultatet e vitit. Mesatarisht 6 mijë lekë (të rinj) në muaj. Kam kapur dy norma olimpike në dy disiplina të ndryshme, kam thyer tre rekorde kombëtare si dhe kam fituar medalje të artë në Ballkan. Nga federata më komunikohet se kaq janë mundësitë e saj. Ndoshta edhe aq mund të jenë për atë, por unë si atlete çfarë duhet të bëj më tepër që të vlerësohem për atë që jap në sport".

Alarmi

Prezenca e virusit Zika në Rio ka vënë në alarm jo pak sportistë të elitës botërore, por jo atleten Gega. "Asnjë atlet nuk është tërhequr nga frika për virusin Zika. Personalisht nuk kam frikë. Do të përmend shprehjen e Usain Bolt kur e pyetën për virusin: 'Jam shumë i shpejtë të më kapë Zika'".

Olgert Serani



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama