Lulet e egra te kaosit ne poezine e Zef Mulajt

Lulet e egra te kaosit ne poezine e Zef Mulajt
Ndoshta nuk kam kujtesë të mjaftueshme, por mendoj se është hera e parë që ndesh në poezi togfjalëshin "lulet e egra". Në urtësinë shqiptare, sidomos në urtësinë malësore lulet e egra simbolizojnë djerrën, braktisjen, lënien shkret të truallit. Për më tepër, në poezinë e Zef Mulajt kjo është braktisje e varreve të të parëve, lënie e tyre në prani të florës së egër dhe të faunës së egër, pra është një braktisje fatale me rreze veprimi të shtrirë sa në të ardhmen aq edhe në të shkuarën.

Lulet e egra të këtyre poezive janë lule të kaosit të shkaktuar prej mallit dhe prej vetmisë. Malli rëndom është ndjenjë e përftuar nga largësia në kohë ose në hapësirë, siç është malli për një moshë të tillë si fëmijëria, malli për të dashurën e dikurshme, malli për atdheun.

Në poezinë e Zef Mulajt vendin më të madh e zë malli për atdheun, një ndjenjë kjo e përftuar në mënyrë të dyfishtë, sa nga largësia në hapësirë, aq edhe nga largësia në kohë. Dhe ky mall përjetohet në vetmi, përjetohet në zbrazëtinë e njeriut në botën e huaj, ku asgjë nuk ia zëvendëson atë që i mungon, ku njeriu ndjehet fantazmë e vetvetes.

Dhe duke u vënë në kërkim të atdheut, në kërkim të së shkuarës, ai tragjikisht e kupton se është vënë në kërkim të vetvetes. Kjo ndihet ndoshta më shumë se kudo në poezinë "Varre të tretura": "Jam duke filmuar këto male Atje lart në qiell Me kamerën e shpirti të tretur Atje mbi gurë Mbi sytë dielli është ulur Në këto udhë më fton Të eci përsëri aty poshtë Rrëzë malit me aha Rrethuar si ushtarë Një copë tokë kryqa të rrëzuar Si një fund lufte askush s'ka mbetë Vetëm varret pa emra të njerëzve Ku janë tretë .. i pashë U treta edhe unë M'u duk sikur kam vdekë Ku shpirtrat e njerëzve midis këtyre maleve Vetëm kanë mbetë Vetëm bar shoh e gur me lëmyshk Ikën të trembur njerëzit, të trembur Harruan këtu kockat e të parëve tanë E lanë hënën e rrëzuar mbi aha duke qajtë E zogjtë cicërojnë Duke grithur me sqep kryqat mbi tokë Në rrënjët e lisave kocka njerëzish Më dalin para fytyra ulurima si gjamë.."

Poezia është një pasqyrë e cila e bën të bukur atë që është rrënuar, shkruante dikur poeti Percy Bysshe Shelley. Kur është fjala tek realiteti të cilin e pasqyron poezia e Zef Mulajt, atëherë poetit nuk i mbetet mjet tjetër përveç kaosit metaforik, prej nga ta rilindë një realitet nga rrënojat e tij, ta ribëjë nga ajo çka ka mbetur prej tij. Është një aventurë që mund ta përmbushë vetëm poezia: "Ti kam prekur damarët e gjatë të prerë …

I gjeta rrjedhjet e tyre nga shkojnë dhe vinë. Ti lypa sytë ndezur të kishin mbetë. Ta lypa koken, nuk të kishte tretë …. Ta lypa gjuhën në çdo thërrime të dheut të kishte mbetë. Ta lypa zemrën, gjallë ishte me të vertetë. Ti kërkova zërat e njerëzve, ngrirë në muret e kalave të kishin mbetë….".

Këto vargje nga poezia e "Anatomia e atdheut tim" e shprehin ndoshta më haptas se kudo tjetër frymën baladike të poezive të Zef Mulajt, të sjellë tashmë prej tij në një konceptim krejtësisht modern dhe origjinal. Është kjo fryma e eposit legjendar shqiptar, është fryma e gjëmave karakteristike të veriut shqiptar, e cila nuk mund të kuptohet pa atë teatër tragjik të kaosit, të makthit, të lektisjes së dëshpëruar për të shpëtuar nga ngurosja lëndën ende të gjallë të jetes së atdheut tënd, për ta rikthyer në jetë edhe atë pjesë mbi të cilën trashet korja e ftohur e lavës së vdekjes.

Kjo bën që poezitë e Zef Mulajt të jenë një bukuri tronditëse, një bukuri që e ndryshon realitetin duke mos u pajtuar me realitetin. Siç thotë në një nga poezitë e tij, poeti është bir i një kohe shtatzënë me heshtjen. Dhe kjo e bën të pazëvendësueshëm misionin e tij për të qenë zëri i saj.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama