Romani më voluminoz në letërsinë tonë "Lulja e Kripës" (1978) i Jakov Xoxës, shtrirjen e gjerë në jetë e fillon me përshkrimin e atmosferës dhe të njerëzve në koloninë e kripores në afërsi të fshatit Naforë (në bregdet), në vitin 1940. Lidhja e njerëzve me zejen e kripës dhe kripën është njësoj si ajo me tokën, një lidhje jetike ekzistenciale. Natyra dhe bota e njerëzve të Naforës është e pleksur në thellësi me ngjizjen mitologjike të liqenit të kripur të hyrë si bërryl në det. Mbi këtë vizion jetik gërshetohen prirje, konflikte, drama të shumta motivesh dhe karakteresh. Duhet theksuar se romani i tretë dhe i fundit i Jakov Xoxës si realizim artistik ngrihet përsëri në shkallë të romanit të parë, "Lumi i vdekur", kjo dhe për arsye se vendosia e ngjarjes në fillim të viteve '40 i lejon autorit hapësirë krijuese manovrami, për të shmangur pjesërisht frymën e parimeve të realizmit socialist.
Në vëllimin e parë të romanit "Lulja e Kripës", autori i përgatit personazhet e tij për një ngjarje të madhe dhe, sa më pranë saj janë ata, aq më i rreptë është sprovimi i tyre dhe më dramatik përcaktimi.
Në hapin e parë ata të lenë përshtypje të caktuara, të veçanta dhe sa më shpesh që takohemi, aq më me saktësi e ndjejmë zërin e tyre të brendshëm, të veçantë; fillojmë ta ndjejmë përcaktimin e tyre të veçantë. Pas disa qindra faqesh lexuesi nis e ndien rrjedhat e afërta të historisë, por edhe ato më të largëta, shëmbëllyeshëm me natyrën krijuese të romanit "Lumi i vdekur" dhe "Juga e bardhë".
Ky përcaktim dhe profilizim i personazheve nuk arrihet përmes dëshmive të shpejta, por përmes shtrirjes së gjerë epike, që realizohet shkallë-shkallë dhe që merr me vere të gjitha jehonat e mëdha dhe të vogla së bashku.
Dy vatrat amë që integrojnë dhe venë në lëvizje rrjedhat e rrëfimit tek romani "Lulja e Kripës" janë familjet: e Dosarajve dhe Sopajve. Këto dy epiqendra që së bashku shprehin tërësinë e botës shqiptare, gjithashtu kanë degëzimet e tyre jehonash të veçanta dhe karakteristike për kohën. Tre djemtë e vëllait të arhondit të madh, Grigor Dosarit, me formim, me nxitje, motive e bindje të ndryshme, përfaqësojnë këto lëvizje: tek Peri përshtypje dhe ndikim të brendshëm bëjnë librat; Llambroja karakterizohet nga të vërejturit e mprehtë të botës që e rrethon, kurse Pavlo Dosari është besnik i përvojave dhe i konvencioneve të brendshme familjare. Cili prej tyre do të mishërohet më natyrshëm në përputhje me botën dhe individualitetin e vet, por dhe me rrjedhat e ngjarjeve të kohës?
Kjo vatër qëndrore që përgatitet për degëzime individuale, në degëzimin e parë ngjiz embrionet e tri vatrave të reja fabulare për vëllimin e dytë. Drama më ekspresive gjithësesi është ajo e bashkëshortëve Llabro dhe e Patra Dosarit. Brutaliteti i rrethanave bën që Patra, nga një grua e devotshme deri në përsosmëri shpirtërore të shndërrohet në një shtrigë që e tmerron Naforën me mallkimet e saj për shterpësi. Sikur nga kjo hapësirë epike e shtrirë në këtë vepër madhore të Xoxës, të veçohej vetëm kjo jehonë e personazhit Patra, do të mjaftonte që të ndriçohei fuqishëm një hapësirë shqiptare e Naforës. Por, ndërhyrja flagrante e autorit do të ushtrohet tek vëllezërit Sopi.
Milto Sopi, kryesori i kripores, një intelektual që ka marrë pjesë aktive dhe në ngjarjet e Qershorit të vitit 1924, që ka jetuar në qendra të ndryshme të Evropës dhe në Rusi si emigrant komunist, pra intelektual i shkolluar, njësoj si shumë intelektualë të asaj kohe në Evropë me bindje majtiste, kthehet i zhgënjyer në Shqipëri.
Ç'është ky zhgënjim dhe ç'filozofi ka për mbështetje? Nga debatet e ashpra që zhvillon me të vëllanë, me Petritin, me teknikun e kripores dhe njërin nga figurat kryesore të lëvizjes komuniste në këtë mjedis, del se përcaktimi fillestar i Miltos për idealin e bindjet komuniste nuk paskëshin qenë në përputhje me botën, me kërkesat, me natyrën dhe strukturën e tii shpirtërore. Dhe në vend që kjo linjë e intelektualit të zhgënjyer të zhvillohet në përputhje me bindjet e fundit të tij, autori do të ndërhyjë duke u distancuar dhe duke e nxirë Milton në rrafshin etik. Kështu, ndriçimi i drejtë dhe i gjithanshëm i këtij profili të intelektualit shqiptar të para luftës, në letërsinë tonë vazhdon të presë autorin e vet. Në veprat e rrëfimit epik, zakonisht, krahas rrafshit të drejtpërdrejtë të fabulës, sajohet dhe boshti që lidhet natyrshëm me rrjedhën aktive të narracionit. Prandaj lexuesi ka një përfytyrim të qartë për ecurinë e rrjedhave pasive dhe mund t'i kapë lehtë lidhjet brenda linjave të këputura. Te shkrimtari Jakov Xoxa kjo ligjshmëri e vetvetishme e natyrës krijuese kultivohet dhe ngrihet në parim të fuqishëm shprehës.
Kështu psh. në këtë roman voluminoz linja e personazheve Maji dhe Arta, edhe pse shfaqet dhe është e pranishme vetëm në faqet e para dhe të fundit të romanit, kjo linjë ndjehet si prani sugjestive e pashqiptuar gjatë tërë veprës. Ajo depërton si e tillë në vetëdijen e lexuesit, ngulitet fuqishëm gjatë tërë rrëfimit me praninë e rrjedhës së saj në heshtje. E fiksuar që në fillim vetëm përmes disa vijave të shkurtra dhe të fuqishme, linja në fjalë ndihet në një mijë faqet e ardhshme, pa bërë zë. Ajo imponohet njësoj krahas rrjedhave të përcjella këmba këmbës gjatë tërë rrëfimit. Përmes kësaj veçorie krijuese të Xoxës mund të shihet sublimimi mjeshtëror i natyrës së realizmit klasik dhe të realizmit bashkëkohor, ku shquhet dhe talenti i romancierit të madh të letërsisë shqiptare.