“Lulja e kujtimit” është një dramë lirike. Ngjarjet e veprës të çojnë në Korçën e vitit 1905. Në qendër është dashuria e Dhimitrit me Olimbinë. Vajza e tregtarit të njohur Kristo dashurohet me shegertin e t’et. Kristoja ka zgjedhur një tjetër burrë për bijën e vetme, sekretarin që ka sjellë nga Greqia, Nikon. Fati i dy të dashuruarëve është i lidhur me problemet sociale, por më së shumti politike. Jemi në kohën e përpjekjeve të lëvizjes kombëtare. Me veprën e porositur për kujtimin e ngjarjes historike, këto kohë po punon regjisori Mehmet Xhelili dhe dirigjenti Eno Koço. Drejtori i Teatrit të Operës dhe Baletit, Zhani Ciko sqaron për punën që po bëhet me veprën, për rëndësinë e zgjedhjes së saj si uverturë e aktiviteteve për Pavarësinë dhe çfarë i komunikohet publikut të sotëm.
Z. Ciko përse është zgjedhur vepra “Lulja e Kujtimit” për të hapur sezonin e ri të Teatrit të Operës dhe Baletit? Është zgjedhja e një titulli uverturë për vitin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Është e para dhe mbase e vetmja vepër skenike që i kushtohet periudhës përpara shpalljes së Pavarësisë. “Lulja e Kujtimit” është vepra e një kompozitori përfaqësues të frymës së patriotizmit. Kristo Kono është edhe kompozitori i të parës vepër skenike të muzikës shqiptare, operetës “Agimi”. Nga ana tjetër, vepra e Foqion Postolit, e një dramaturgu dhe shkrimtari rilindas, e merr subjektin pikërisht nga tema aktuale. Ka rëndësi që ne të sjellim në skenë pikërisht fillimin e periudhës pregatitëse të shpalljes së Pavarësisë.
Po në planin artistik, ç’vlera ka vepra?
Kjo vepër është shkruar në atë periudhë kur muzika shqiptare po bënte hapat e para të krijimit të këtyre gjinive. Nga ana tjetër, ajo ka një frymë profesionalizmi vërtet të spikatur. Bie në sy kënga patriotike qytetare, duetet, koralet që janë vërtet emocionuese. Nuk është një vepër e thellimit psikologjik se as drama nuk e ka këtë. Është një dramë e shkruar me realizëm. Ka disa tema, që flasin për frymën e një tradite të shëndoshë, larg diletantizmit, larg amatorizmit dhe kjo nuk është pak.
A është menduar sesi do të komunikojë me publikun? Bëhet fjalë për një ngjarje që ka kapur shekullin. Është detyra e brezit tonë që t’i evidentojmë vlerat historike. Ne po punojmë të gjejmë edhe dorëshkrimet e para, formulën e pagëzimit të muzikës shqipe. Kanë rëndësi së pari për vlerën historike që duhet ta respektojmë sidomos këtë vit, por edhe për vlerat artistike. Jo të gjithë veprat janë kryevepra, ato meritojnë të shihen dhe pastaj të mbetet një dokument. Koha do t’i rivlerësojë prapë, ose do t’i mbulojë vlerat.
Ka pasur nevojë për ndërhyrje “Lulja e Kujtimit”?
Vepra ka ekzistuar në arkivin tonë, por ajo është vënë dy herë në skenë, në vitin ‘61 dhe më ‘78-n. Vënia e parë është më afër dramës së Foqion Postolit. Libretistët e kanë hedhur në vargje atë. Në 1978-ën, pas Pleniumit të IV, të gjitha veprat u panë me një sy tjetër, sigurisht edhe veprat shqiptare. Kështu që është tentuar, janë bërë ndërhyrje, duke theksuar karakterin klasor të ndarjes në të pasur dhe të varfër, në personazhe pozitivë dhe negativë, ndërhyrje banale në platformën e realizimit të saj.
Kush po punon për të?
Ka punuar regjisori Mehmet Xhelili, duke u konsultuar me Mihallaq Luarasin, që është një njohës më i mirë i kohës. Ndryshimet që janë bërë nuk kanë prekur muzikën, por aspektet e jashtme. Një punë të mirë ka bërë edhe dirigjenti Eno Koço, me ballaqimin e partiturës, me regjistrimin e vitit 1978, duke korrigjuar ndonjë notë gabim, partet që janë në bazë dorëshkrimesh. Kemi bërë audicione të veprës, thjesht për aspektin muzikor, për të korigjuar defekte të mundshme të asaj kohe. Jemi për një rivënie të operës sa më afër origjinalit.
Përse i është besuar një regjisori teatri?
Theksimi i trajtimit dramaturgjik të veprës, do t’i bëjë mirë asaj. Ka nevojë për një rishikim më të ndjeshëm të anës teatrale. Sesi do ta realizohet, është në dorë të regjisorit. Ai ka realizuar në teatër edhe spektaklin “Loteu i Stinëve” e Aleksandër Peçit, me një këndvështrim origjinal. E kam ndjekur edhe në realizimin e disa pjesëve teatrale nga dramaturgjia e Floqit. Më ka pëlqyer ndjeshmëria e tij.
Historik
“Lulja e Kujtimit”, opera me 3 akte, premierë më V.XI. 1961
Muzika: Kristo Kono, Regjisor: Jorgjia Truja, Mjeshtër kori: Kostandin Trako, Piktor: Stavri Rafael
Libreti: Andon Mara-Aleko Skali
Interpretojnë: Marie Kraja (Olimbia), Gjoni (Xhoni) Athanas (Dhimitri), Jorgjia Velo (Sanda), Avni Mula (Kristo), Maliq Herri (Niko), Kristaq Antoniu (Doktori), Rozmari Jorganxhi (nëna e Dhimitrit)
Rivënie, më I. VI, 1978
Regjisor: Luigj Gurakuqi, Skenograf: Niko Progri
Mjeshtër kori: Rozmari Jorganxhi
Interpretojnë: Ramiz Kovaçi-Burhan Spahiu (Kristo), Fitore Mamaqi-Edit Mihali, Emine Gjata, Shqipe Mingomata (Olimbia), Gaqo Çako-Hysen Koçia (Dhimitri), Xhovana Doko-Rozmari Jorganxhi, Rajmonda Dabulla (Sanda), Rajmonda Dabulla-Xhovana Doko, Rozmari Jorganxhi (Nëna e Dhimitrit)
Rivënie, 26.02. 2012
Regjisor: Mehmet Xhelili
Dirigjent: Eno Koço
Skenograf: Platon Bardhi
Interpretojnë: Ramona Tullumani, Emiljana Palushaj (Olimbi), Armando Likaj, Solen Alla (Kristo), Denis Skura, Julian Gjojdeshi, Elson Braha (Dhimitri), Irida Dragoti (Sanda), Ardian Kamberi, Erlind Zeraliu (Niko), Ogert Islami, Luan Sula (Mjeku), Manjola Konjari, Irida Dragoti (Nëna e Dhimitrit)
Irena Gjerga kujton Olimbinë
Irena Gjerga, 79-vjeçe, del nga shtëpia në rrugën e Kavajës me hapa të vegjël e të shtruar. Ia ka ënda ta pi kafenë aty pranë vendit ku jeton, në një ambient të qetë, ku të mos i trazohen kujtimet për operën “Lulja e Kujtimit”. Ka interpretuar rolin e Olimbisë në shfaqjen e vitit 1963, dy vjet pas premierës.
Nuk ka shokë ta ndihmojnë me kujtimet. Ibrahim Tukiçi nuk jeton më, Stavri Rafaeli u nda nga jeta në dhjetor të vitit të kaluar, Gjoni (Xhoni) Athanasi jeton në Amerikë, Gaqo Çako ka qenë 26-vjeç te “Lulja e Kujtimit” dhe pakogjë i ka mbetur në mendje.
Irena vetë ishte 28 vjeçe asokohe. Për rolin ka punuar me regjisoren Jorgjia Truja, me të cilën ka bashkëpunuar edhe për rolin e Mimisë te “La bohème”. Regjisorja i kish kërkuar të realizonte rolin e një vajzë të thjeshtë, të edukuar. Ish-sopranoja kujton me nostalgji disiplinën dhe rregullin për vitet që ka punuar në TKOB. “Nuk vjen më kohë e tillë si atëherë. Çfarë njerëzish kanë qenë? Çfarë edukate? Edukatë dhe disiplinë pune dhe sjelljeje”, kujton me nostalgji Gjerga.
Në premierë (1961) rolin e Olimbisë e interpretoi Marie Kraja, me të cilën Gjerga kishte studiuar kanto para se të shkonte në Moskë. Një gjë nuk ia harron pedagoges së saj, punën me repertorin e zgjedhur me të cilin ajo punonte në Shqipëri, po ai repertor që e studioi edhe në Konservatorin “Çajkovski”.
Atje shkoi në vitin 1958 dhe u kthye më 1961, si shumë studentë të tjerë. Nga ajo kohë deri në vitin 1978 punoi në Teatrin e Operës dhe Baletit ku realizoi një sërë rolesh. Ishte Neda te “Pagliacci”, kontesha te “Le nozze di Figaro”, Donika te “Skënderbeu”, etj. I vjen keq që në kohën e saj, “u hoq i gjithë repertori i huaj, nuk kishte gjë prej gjëje”.
Irena Gjerga tani jeton me vajzat. Shkon shpesh në opera. Së fundmi ishte te “Turandot”. I vjen mirë që solistët tani kanë fatin të dalin jashtë, jo si ajo me të tjerë, që në vitet ‘70 këndonin në studio repertor të huaj, atë të ndaluarin. Vetëm një gjë zor ta ndryshojë koha. “Këtu vazhdojnë të përmenden vetëm ata që kanë mbrojtje dhe përkrahje”, shprehet ish- sopranoja pasi e ka rrufitur kafenë dhe humb në mendime.