Lulzim Basha ne Zone e Lire rrefen jeten private

Lulzim Basha ne 'Zone e Lire', rrefen jeten private
Çani: Luli, ju keni kaluar një  fëmijëri mes lodrave që ofrontre kryeqyteti në atë kohë, në parqe…

Basha: Tek ish-gropa e Hajdin Sejdisë ka qenë një park lojërash, një tjetër ka qenë tek rruga e Elbasanit, që ka mbetur vetëm gjysma. Kishte më shumë më gjelbërim se ç’ka  sot. Në fëmijërinë time, kam kapur atë pjesën kur shumica e lodrave vinin nga Kina. Ka qenë periudha nga vitet ’80-‘90. Pas  kësaj,  fëmijët kanë pasur një fëmijëri krejt ndryshe. Mbaj mend në fëmijërinë time pak më të avancuar dhe në fëmijërinë e vëllait tim që është katër vjet më i ri se unë, se si të gjitha këto dalëngadalë filluan të rralloheshin  e të zhdukeshin dhe u vështirësua jeta për të gjithë.
 
Kur erdhi koha të zgjidhnit gjimnazit, ju Luli zgjodhët të shkonit tek Sami Frashëri. Pyetja ime është e thjeshtë. Pse “Samist” dhe jo “Petro Ninist”, p.sh?

Shtëpia  ime ishte afër dy gjimnazeve, Sami Frashërit dhe Partizanit. Një pjesë e shokëve të mi me të cilët luaja volejboll, që vinin nga një tjetër shkollë tetëvjeçare, vinin nga Fan Noli, vendosën të shkojnë tek Samiu, kështu dhe unë vendosa të shkoj me ta. Pra kjo ishte për shkak të shoqërisë së sportit.
 
Gjatë adoleshencës ju keni qenë një çun që keni pasur sukses me gocat. Ju ishit një nga djemtë më kinga të Sami Frashërit. Është  e vërtetë?

Kam pasur një shoqëri shumë të këndshme në gjimnaz, vajza dhe djem dhe e kemi ruajtur shoqërinë. Një pjesë prej tyre u largua për studimet jashtë, por shumica janë kthyer dhe ruajmë shoqërinë dhe sot.
 
Keni qenë edhe një djalë punëtor duhet thënë. Keni punuar për të ndihmuar familjen tuaj. Duhet thënë që familja e Lul Bashës ka qenë një familje si shumë të tjerat e asaj kohe. Nuk kishte të ardhura të bollshme. Ndaj dhe ju Luli keni punuar si kamarier gjatë tre muajve të verës në Rinas.

Zëvendës-kamarier.
 
Po pse zëvendës-kamarier?

Kamarier ishte detyra kryesore dhe dikush duhet ta ndihmonte atë.
 
Pra fillonte nga poshtë…

Sigurisht, kishte hierarki atëhere çdo gjë. Kanë qenë pushimet e verës midis vitit të tretë e të katërt.
 
Kishte rregull në kohën e Enver Hoxhës, e. Mirë atje në Rinas?

Përvojë e veçantë. Unë zotëroja gjuhën Angleze dhe më ndihmonte të komunikoja me fluksin e të huajve që vinin në atë kohë.  Në ’91 mbaj mend dy ngjarje. Largimin e një mikut tim të ngushtë në emigrim. Më ra rasti më vonë ta takoja pas katër vitesh, por kur u largua menduam që u ndamë përjetë, sepse nuk e dinim sesi do të shkonin gjërat. Dhe një ngjarje tjetër të dhimbshme që mbaj mend kur punoja në Rinas, në verë, filloi rikthimi i atyre që kishin ikur. Mbaj mend rikthimin e tyre. Këto kanë qenë kujtime që i  kam pasur sepse  më pas si Ministër i Jashtëm më shpesh isha në Rinas se në zyrën time, por nuk harroja kurrë asociimin që kisha me pjesë të veçanta atje.
 
 
Dashuria juaj e parë Lul quhej Aurela dhe vazhdon të quhet akoma sot. Me Aurelën kalonit orë të tëra dhe nuk ia shprehnit hapur ndjenjat gjatë katër viteve të gjimnazit. Jo se ishit qullac, por sepse  kishit frikë nga refuzimi, thonë miqtë tuaj të asaj kohe. Eshtë e vërtertë?

Unë me Aurelën kemi  qenë një një klasë duke filluar nga viti i dytë. Kemi pasur një miqësi që filloi duke u rritur, por ka qenë deri në fund të maturës, më mirë të them në fillim të universitetit, që ne, filluam një lidhje të tillë. Pra versioni juaj është shumë romantik, por jo tërësisht i vërtetë. Kemi qenë miq të mirë. Dhe në pushimet e vitit të katërt dhe para se të nisnim universitetin, lindi kjo ndjenjë.
 
Të mos harrojmë që Lul Basha ka qenë edhe DJ dikur e…Keni punuar DJ?

 Kam punuar në klubin e studentit në Utreht, në Holandë.
 
Për sa kohë keni punuar?

Nuk ishte tamam punë. Në klub merreshin përsipër detyra të caktuara pa pagesë. Një pjesë shërbente pijet, një  pjesë kishte detyra të tjera. Një miku im ishte DJ profesionist dhe ai më mësoi të miksoja, të luaja me sistemin e vjetër.
 
Bashkë me Aurelën niseni të dy me studime me grupin  e studentëve që nisen në Holandë. Nuk dihet ende se ku dhe kur është shkëmbyer puthja juaj e parë. Ka qenë në Hollandë apo në Shqipëri?

 Ka  qenë në Shqipëri, në një vend të veçantë. Por kujtimi është vetëm për ne të dy.
 
Pas studimeve në Drejtësi dhe specializimit në të Drejtën ndërkombëtare publike në Universitetin e Utrehtit ktheheni në Tiranë. Nga martesa juaj me Aurelën, lindi Dafina, një bionde e vogël sot katër vjeçare. Aurela thotë se Luli ka kujdes të mirë për datat, premtimet dhe më së shumti  i mban ato. I referohet jetës së përbashkët me ty Lul, dhuratat që i ke bërë herë pas here, nuk i ke harruar kurrë ditëlindjet e  saj.

E vërtetë është, por përpiqem që të kem të njëjtat sjellje me të gjithë miqtë, dhe që Aurela i referohet më shumë sesa marrëdhënies sonë të përbashkët.
 
Dafinës i thërrisni ‘goca e babit’ dhe nuk ia kurseni kurrë përkëdheljet, por herë pas herë jeni i rreptë duhet thënë…

Nuk jam i rreptë. Mendoj se  fëmijës nuk duhet t’i mungojë dashuria, nuk duhet t’i mungojë ngrohtësia, por deri aty që të humbasë raporti. Në këtë drejtim, goca e babit është shumë e përmbajtur.
 
Ndonëse ditët tuaja janë të gjata Lul, duhet thënë që ju nuk e humbisni pothuaj asnjëherë programin e preferuar të Dafinës, gocës së babit. Programi quhet klubi i miushit Miki.

Për fat  të keq ka dy javë që nuk po jepet. Tani është edhe fushatë dhe unë nuk kam kohë të jem aq shpesh pranë saj, por gjatë kësaj javë kam qenë njëherë pranë saj dhe ka qenë programi arushi Pooh, tigri dhe miqtë.
 
Shikoni arushin Pooh?

Sigurisht që po. Nuk guxon të mos e kapësh nga fillimi e ta lësh pa mbaruar.
 
 
Përsa i përket look-ut nuk  është se pyesni njeri, nuk këshilloheni me njerëzit dhe nuk harxhoni shumë kohë me kombinimin e ngjyrave të kravatës ashtu siç e ka mani kundërshtari juaj Edi Rama.

Nuk e di për kandidatin tjetër, por unë mendoj  që, unë preferoj vetë gjërat e  thjeshta. Mendoj që mashkulli nuk duhet ta bëjë veshjen. Veshja duhet ta zgjerojë atë, por jo ta dominojë.
 
Ju keni thënë se 90% e të pa-hipotekuarve nuk kanë probleme me pronësinë?

90% janë raste kur nuk ka asnjë problem, por Bashkia nuk e jep lejen e shfrytëzimit. Ka dhe raste që është lejuar devijimi i projektit po nga Bashkia. Ka raste qesharake, si për shembull mund të jenë 20 centimetra të një muri për të cilat Bashkia nuk ka reaguar në kohë. Ky është një problem që ka bllokuar një kapital të madh që shkon të paktën 700-800 milion euro.
 
Po kur ndërtuesi nuk ka lekë të paguajë për momentin, dhe leja e shfrytëzimit është marrë, si do veprohet?

Baza fiskale tek hipoteka nuk mund të pengohet më nga pagesa, sepse amnistia apo falja fiskale që u miratua, kap edhe këto gjoba. Pra këto gjoba janë falur dhe nuk janë më pengesë. Paradoksi qëndron se edhe nëse gjobat janë falur nëpërmjet amnistisë, kjo nuk ka asnjë vlerë kur nuk ke lejen e shfrytëzimit.
 
Si do bëhet konkretisht, si do ndërhyni, tek banori apo do të kaloni sërish nga ndërtuesi?

Ka dy mënyra. E para, Bashkia një për një, por me një sistem të shpejtë, në një kohë fare të shkurtër, të shqyrtojë të gjitha rastet. Së pari, të zhbollokojë të gjitha rastet që nuk kanë asnjë problem ligjor apo gjyqësor, për të marrë hipotekat. Do analizohet pse ka ndodhur ky bllokim. Duhet të hartohen disa akte nënligjore që të mos ndodhë më ky problem. Kjo është përgjegjësia që ka Bashkia ndaj qytetarëve. Më këtë do merrem, por dhe shumë gjëra të tjera ku Bashkia ka qenë një murë memec për qytetarët. Sepse Bashkia ekziston për t’i shërbyer qytetarit.

Bashkia ka qenë një memece ndaj qytetarit. Ç’kuptim ka që të financojmë një Bashki, në rast se ajo nuk është në shërbim të qytetarit. Do rishikohen me shpejtësi të gjitha lejet e ndërtimit. Do mënjanohet menjëherë problemi i atyre që nuk kanë devijuar nga projekti. Do jepet leje ndërtimi e kushtëzuar për ato pjesë që nuk janë në përputhje me projektin. Sigurisht, kur këto ndërtime nuk kanë cënuar sigurinë e projektit. Dhe e dyta, nëse nuk kanë cënuar pronë apo interesa private. Për pjesën tjetër do jepet leje shfrytëzimi e kushtëzuar deri sa ndërtuesit të paguajnë detyrimet e tyre. Po kështu, ekipi im po diskuton aktualisht dhe me mysafiren e madhe në qytetin tonë, se qeveria është mysafire në Tiranë. Kjo mund të bëhet me një ligj të veçantë që mund të kursejë kohë, që do të thotë që ky proces mund zgjidhet edhe me një ligj të ri. Ligji i 1998 parashikon të gjitha hapat, ku etapa e fundit janë ato të kolaudimit, që kanë mbajtur peng hipotekat gjithë këtë kohë. Me këto ndërhyrje, brenda një kohe të caktuar i gjithë problemi zgjidhet pa patur nevojë të kalojë në analet e Bashkisë.
 
Çfarë përqasje do zgjidhni?

Unë do zgjedh përqasjen që është më e thjeshtë për qytetarët dhe kjo me një ligj të veçantë.
 
Pse nuk e ka bërë qeveria deri tani?

Ky problem nuk është ngritur nga askush. Ky është një problem që unë e kam hasur tek qytetarët. Kam marrë përsipër ta zgjidh këtë problem. Do ta zgjidh sepse ky problem përbën një pjesë të prioritetit tim, që unë kam shpallur, që është punësimi.
 
Këto para shkojnë në xhepin e qeverisë?

Shkojnë në xhepin tënd Çani, se hipoteka nuk do jepet kundrejt një takse.
 
Po flas për para që unë si qytetar do të paguaj për të marrë një hipotekë?

Tarifa që paguan i shkon qeverisë qëndrore, po kjo faturë nuk është 800 milion euro. Fatura shkon shumë më pak. 800 milion euro është vlera e shtëpive që kanë në pronësi qytetarët, shumë që është e ngrirë. Këto para mund të përdoren për një kredi, për një investim. Janë 800 milion euro që futen në qarkullim. Tirana nuk e ka këtë luks që të mos i fusë në qarkullim klëto para. Kjo i shërben punësimit që është problemi kryesor që ka qyteti. Si mund të mos mendosh se kemi 800 milion euro të ngrira për shkak të përgjegjësisë tënde si Kryebashkiak. Duhet nxjerrë ky kapital i cili sot është tulla dhe beton dhe ta kthesh në kapital likuid.  Ky kapital do krijojë para, sepse paraja krijon para, krijon më shumë vende pune, mirëqenie.
 
Njerëzit po më thonë se, nëse nuk ke vërtetim tatimesh nuk e merr dot hipotekën?

Sipas informacionit që unë kam, këto janë detyrime tatimore që janë falur me ligjin e faljes fiskale. Falja fiskale përfshin dhe detyrimet që kanë pasur pa paguar. Ajo që e pengon hipotekimin është mungesa e lejeve të shfrytëzimit. Kur ke lejen e shfrytëzimit, deri në fund të vitit 2010, janë falur të gjitha detyrimet. Edhe një herë, ju jap fjalën se ky kapital i qytetit, do të shkrihet brenda 6 mujorit të parë. Qytetarët do të kenë hipotekat.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama