Prej vitesh, çdo 23 prill, në të pesë kontinentet festohet Dita Botërore e Librit. Kjo ditë është caktuar nga UNESCO në nderim të shkrimtarit të shquar anglez Shekspir, pasi më 23 prill ai ka ditën e lindjes. Në këtë ditë ka vdekur edhe Miguel Servantes dhe Inca Garcialaso de la Viega, por kanë lindur edhe mjaft shkrimtarë të shquar, si Maurice Druon, K. Laxnes, Vladimir Nabukov, Josep Pla dhe Manuel Mejia Vallejo. Që nga viti 2002 edhe Shqipëria, fillimisht me nismën e Bibliotekës Kombëtare dhe e pasuar nga institucionet e tjera kulturore e arsimore, i është bashkëngjitur dhjetëra vendeve të tjera të botës për festimin e kësaj dite, pjesë të kalendarit kulturor botëror. Në vende të ndryshme, në këtë ditë të librit që i përfshin të gjithë, adhurues të librit kanë gjetur mënyra të veçanta për të festuar.
Vendi që e kremton 23 prillin me një traditë të dyfishtë është Spanja, pasi përkujtohet përvjetori i vdekjes së Miguel de Servantes dhe dita e San Jordit (patron i Katalunjës), një ditë shumë popullore në të cilën shkëmbehen libra dhe trëndafila. Që nga viti 1930, në këtë vend bëhet një lexim publik dhe i vazhduar i kryeveprës së Miguel De Servantes. Ambasada e Spanjës në Shqipëri i bashkëngjitet këtij kremtimi me dy akte në ditët 23 dhe 24 prill. Kështu, paraditen e sotme, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës do të iniciohet me dhënien e çmimeve ndaj tregimit më të mirë të Konkursit të Parë të Tregimit të Shkurtër, "Don Kishoti i Mançës". Më pas dita do të vazhdojë më tej me një takim me novelistin Fatos Kongoli, i cili kohët e fundit ka realizuar një udhëtim në tokën e aventurave të Don Kishotit dhe do të finalizohet me një lexim publik e kolektiv të dy kapitujve të parë të veprës së Servantesit, nga personalitete të jetës politike, kulturore dhe akademike të Tiranës.
Kurse mbrëmjen e nesërme, në Hollin e Muzikës së Dhomës të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit do të organizohet koncerti “Kishotë të tjerë”. Me një program të muzikës spanjolle e cila do të ndërthuret me fragmente të zgjedhura të veprës së Miguel de Servantes, në koncert do të interpretojnë Pandush Gjezi (violin), Francisco José Segovia Catalán (piano) dhe Gëzim Rudi (interpretim).
b.g
"Tirana Music Festival" në edicionin e tretë
"Tirana Music Festival" mbërrin në edicionin e tretë. Ashtu si edhe dy vitet e mëparshme, përveç një jave masterklasesh (falas) në ambientet e Akademisë së Arteve, me profesorë të njohur italianë, organizatorët (Akademia Muzikore e Umbrias dhe Instituti Italian i Kulturës) ofrojnë bursa studimi në Akademinë Italiane për studentët më të mirë shqiptarë, pjesëmarrje në koncerte dhe festivale që zhvillohen gjatë verës në Itali.
Me Stinën Koncertore të Pranverës
Trio e Akademisë së Arteve do të prezantohet sonte me një koncert në kuadër të Stinës Koncertore të Pranverës. Merita Rexha (piano), Arben Llozi (viola) dhe Fatos Qerimaj (klarinetë) do të ngjiten para publikut në interpretimin e pjesëve të Moxart, Schumann, Lebhaft, Ruhiges Temo, etj. , ndërsa një hapësirë i është lënë edhe "lojës" elektro-akustike. Trio e Akademisë së Arteve ka qenë disa herë pjesëmarrëse në projekte të rëndësishme të interpretimit klasik dhe atij bashkkëohor. Kjo Trio përfaqësohet nga artistët Fatos Qerimaj, Merita Rexha, Arben Llozi,me një aktivitet të përhershëm si solistë dhe pjesëtarë të disa
asambleve muzikore
"Gjoleka..." dhe "Parullat" në Ditët ballkanike
"Gjoleka, djali i Abazit" i regjisorit Dhimitër Anagnosti dhe "Parullat", filmi i Gjergj Xhuvanit, janë dy filmat që prezantojnë kinemanë shqiptare në Ditët e Filmit Ballkanik në Bruksel. I pari është shfaqur të hënën, në ditën e parë të aktivitetit, ndërsa filmi i Anagnostit shfaqet pasditen e sotme në përfundim të "Ditëve...". Gjatë tri ditëve janë shfaqur 8 filma nga Serbia, Kroacia, Bosnjë-Hercegovina, Shqipëria dhe Maqedonia. Ditët e filmit u hapën me "Armin", një prodhim kroat. Në këto ditë u shfaqën edhe filmi serb "Huddersfield" me regji të Ivan Živković, filmi maqedonas "Les Ombres" ("Hijet") i regjisorit Milčo Mančevski; "Grbavica – Sarajevo, mon amour" ("Grbavica – Sarajevo, dashuria ime) me regji të Jasmila Žbanić, Bosnjë-Hercegovinë; "Songe d'une nuit d'hiver", ("Ëndërr e një nate dimri") i regjisorit Goran Paskaljeviç, Serbi; "Tout est gratuity" ("Gjithçka është falas"), Antonio Nuić, Kroaci. Filmat projektohen në gjuhën origjinale, në anglisht dhe frëngjisht. "Ditët e filmit ballkanik" organizohet nga Komisioni Evropian (Drejtoria e Përgjithshme për Zgjerimin e KE-së) në bashkëpunim me Balkan Trafik Festival.
Nga Gazeta Metropol