Lumturi amerikane

Lumturi amerikane
Një tjetër rezultat është se ata janë krahasuar me një brez më parë shumë më aktivë në jetën e tyre. Madje të qenit një person aktiv e social të ndihmon shumë të jesh në formë e të hedhësh pas krahëve melankolinë e moshës. Sipas autorit të studimit, lajmi i mirë është se me kalimin e viteve vjen edhe lumturia dhe se jeta përmirësohet ndërsa një person nis e avancon në moshë.

Të mësosh të jesh i kënaqur

Stresi në një sasi të caktuar në moshë të avancuar është i pashmangshëm, përfshi edhe dhimbje të ndryshme të trupit, frikëra dhe përjetimet e sëmundjeve, apo vdekjeve të njerëzve të familjes, apo edhe të miqve e shokëve të afërm. Megjithatë, personat e moshuar zakonisht kanë nisur që të kënaqen e të ndihen mirë me atë që kanë dhe kjo është diferenca e tyre me personat në mesomoshë, të cilët shpesh janë të pakënaqur me sa kanë arritur në jetë. Kjo ndodh pjesërisht për shkak se të moshuarit kanë mësuar se si t‘i ndryshojnë dhe t‘i zvogëlojnë objektivat e tyre, dikur të mëdha dhe të pranojnë veten për atë çka janë, të pranojnë arritjet dhe mosarritjet e tyre për ato që janë. Sipas një studiuesi, një person në moshë të avancuar arrin të kuptojë e kristalizojë në mendjen e tij se në fund të fundit ishte më mirë që në jetën e tij ishte një mësues i thjeshtë në vend të një fituesi të "Nobelit". Ky studim është i rëndësishëm, sepse njerëzit vazhdojnë të mendojnë se fazat e hershme të jetës janë më të bukura se ato të mëvonshmet dhe si pasojë rreth fazës së pjekurisë është krijuar një "mit i rremë" i mungesës së lumturisë. Gjetjet e reja të studimit bazohen në disa intervista ballë për ballë të bëra në mënyrë periodike me grupmosha amerikanësh nga mosha 18-vjeçare në atë 88-vjeçare. Gjithsej në studim morën pjesë 28 mijë persona. Për sa u përket shkallëve të lumturisë kishte shumë ulje e ngritje gjatë studimit, luhatje të cilat korrespondonin me periudhat e mira dhe më pak të mira ekonomike. Por e veçanta është se në të gjitha rastet amerikanët e grupmoshave më të avancuara ishin më të lumturit. Ndërkohë që të rinjtë me ngjyrë dhe të varfrit ishin ndër më të palumturit e të intervistuarve. Këto diferenca zbeheshin me plakjen e njerëzve. Në përgjithësi, shanset për të qenë të lumtur rriteshin me 5% me kalimin e çdo dhjetëvjeçari jete. Në përgjithësi, 33% e amerikanëve të moshës 80-vjeçare ishin të lumtur dhje kjo kundër atyre të moshës 18-vjeçare, të cilët ishin ndër grupmoshat më të palumtura. 20% e të intervistuarve nuk ishin aspak të lumtur me ekzistencën e tyre. Një studim i veçuar i Universitetit të Çikagos doli në përfundimin se 5% e njerëzve të moshave nga 57 deri në 85 përfshiheshin në një ose më shumë aktivitete sociale të paktën një herë në javë. Këto aktivitete përfshinin shoqërizimin me fqinjët, pjesëmarrjen në shërbime fetare, vullnetarizmin apo organizmin në takime grupesh. Personat e moshuar kishin dy herë më shumë predispozitë për të kryer ndonjë nga këto aktivitete se ata që ishin në të 50-at.

Miti i "plakut" të izoluar

Rrethet shoqërore të njerëzve kanë tendencë të tkurren me kalimin e moshës. Kjo për shkak të stereotipave të vjetër, por në fakt, studimi nxori në pah se kohët kanë filluar të ndryshojnë dhe bashkë me to kanë nisur të bien edhe stereotipat e vjetër. Sipas studimit 70-80-vjeçarët janë aktivë me kishën dhe me fqinjët dhe kryejnë aktivitete të përbashkëta me njëri-tjetrin edhe me pjesëmarrjen e bashkëshorteve e shpesh edhe të nipërve apo mbesave. Për shumë persona të moshuar, lumturia është dalja dhe shoqërizimi me njerëz dhe kjo është një këshillë shumë e mirë lumturie për ata që duan të jenë të lumtur. Për shumëkënd, qetësia dhe ndjenja e lumturisë është e lidhur me të pranuarit e situatës në të cilën ndodhesh dhe të vetvetes. Me kalimin e moshës, iluzionet për veten dhe jetën bien dhe më në fund njerëzit mbeten vetëm me veten e tyre, me atë vete të vërtetë të zhveshur nga ëndrrat e ambiciet e planet e parealizuara. Ndërkohë, studime të mëparshme kanë treguar se moshat e mesme kanë tendencë që të jenë më të stresuarat. "Të gjithë presin prej teje dhe ti ke shumë për të bërë dhe shpesh nuk bën asgjë dhe për këtë ndihesh i frustruar dhe si pasojë i palumtur", është shprehur një 50-vjeçar. Si përfundim, studimi i fundit mbyllet me shprehjen: "Nëse arrin t‘ia dalësh mbanë për shumë vite do të arrish të shohësh dritë në fund të tunelit".

Nga Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama