Lumturia eshte brenda nesh

Lumturia eshte brenda nesh
Lumturia mund të mësohet, por gjetja e domethënies dhe e një qëllimi në jetë është rruga drejt lumturisë dhe jo anasjelltas. Njerëzit e lumtur vlerësojnë dhe e kuptojnë se të jesh i lumtur, i shton vite jetës tënde dhe i jep jetë viteve të tua...

Qëllon shpesh që mes miqsh a njerëzish të afërm të na pyesim apo të drejtojmë pyetjen: a jeni të lumtur? Kjo është një pyetje që, edhe pse pa zë, ia bëjmë shpesh vetes në situata të ndryshme jetësore apo edhe në momente reflektimi. Në fund të fundit, është situata, gjendja shpirtërore që e kemi ëndërr të gjithë, që e dëshirojmë, për të cilën luftojmë e përpiqemi, ndonjëherë në mënyra që janë shumë larg arritjes së lumturisë. Lumturia është aq thelbësore për qenien tonë, sa edhe Kushtetuta amerikane e ka në preambulën e saj, kur thotë veç të tjerash se, “njeriu ka të drejtën që të përpiqet të jetë i lumtur”…

Shpesh i përgjigjemi njerëzve të afërt: po, jemi të lumtur. Këtë e bëjmë sepse mund të jetë e vërtetë, por edhe për t’u thënë se jemi me të vërtetë mirë. Zakonisht kur na e pyesin prindërit, të cilët në fund të jetës do të donin që të paktën të na kishin dhuruar momente të lumtura dhe të kishin rritur qenie të lumtura. E dimë se për ata, kjo do të ishte arritja më e madhe. Ka raste kur jemi në momente të këqija. Është mirë që t’ia pohojmë vetes, por ndërkohë të bëjmë dhe pohimin tjetër se, kjo është një situatë e përkohshme dhe se dielli i lumturisë do të shkëlqejë sërish në qiellin e jetës sonë, pavarësisht reve të përkohshme.

Debati mbi lumturinë është i vjetër dhe gjithëpërfshirës. Ekonomistët, politikanët, psikologët e të tjerë, flasin në mënyrë të vazhdueshme për mënyrat më të mira dhe më efikase për krijimin e një shoqërie të lumtur në përgjithësi. Madje, ekziston edhe indeksi i lumturisë në shumë vende për të testuar se sa të lumtur jemi. Ka edhe mijëra libra me këshilla dhe receta për të arritur dhe prekur lumturinë, për të zbërthyer sekretin e të qenët i lumtur me veten dhe jetën që bën. Megjithatë, studimet e mëdha, që mund të qëllojë të jenë edhe të vlefshme, thonë se çdo njeri prej nesh mund të ndërmarrë disa hapa të thjeshtë dhe të vegjël që mund të mos i dhurojnë lumturinë e menjëhershme, por të paktën mund ta ndihmojnë që të ndihet mirë dhe ta kuptojë më mirë veten. Ja disa nga këto këshilla të thjeshta dhe krejtësisht të mundshme për t’u vënë në jetë nga secili prej nesh.

Prano atë që ke

Kërkimet tregojnë se njerëzit e lumtur kanë nivele modeste pritshmërish dhe aspiratash. Zakonisht, ata duan dhe synojnë atë që mund ta arrijnë, ndërkohë që njerëzit që nuk ndihen të lumtur,  duket se nuk e arrijnë dot kurrë atë që duan. Ata dinë gjithashtu se si të shmangin të gjitha zhgënjimet dhe të krijojnë situata të këndshme dhe surpriza. Kjo, sepse ata punojnë dhe luftojnë për qëllime realiste, të arritshme dhe janë të lumtur me atë që kanë, edhe sikur të jenë të varfër. Pra, duhet që t’i pranojmë gjërat që na janë dhënë, që i kemi. Nuk duhet që të harxhojmë sasi të mëdha kohe duke u ankuar për gjërat që na kanë ndodhur dhe si pasojë e të cilave jemi frenuar që të ecim apo bëjmë përpara e si pasojë, të mos ndihemi të lumtur. Një nga prerogativat e të qenët i lumtur është që t’i gëzohemi asaj që kemi. Sigurisht, kjo nuk do të thotë që të mjaftohemi me aq, por të jemi realistë.

Kënaqu me atë që bën

Njerëzit e lumtur bëjnë gjëra që u pëlqejnë dhe pëlqejnë gjërat që bëjnë dhe mbi të gjitha, nuk shkojnë në kërkim të parave dhe pushtetit apo edhe lavdisë. Nuk ka, për shembull, asnjë arsye që të mbetesh i ngjitur pas punës që ke dhe që nuk e do, të vazhdosh të rrish i rrethuar nga kolegë që nuk kanë të bëjnë me ty dhe që të paragjykojnë apo me të cilët nuk ke asnjë gjë të përbashkët. Njerëzit shpesh harrojnë se ka mundësi që të jenë vërtetë të lumtur në punën e tyre dhe mbi të gjitha, harrojnë se duhet ta kërkojnë një gjë të tillë. Shumë njerëz kalojnë vitet më të mira të jetës së tyre duke u përpjekur që të bëjnë para për t’i pasur më pas në një moshë më të thyer, duke sakrifikuar shëndetin dhe familjen në këtë proces të gjatë, të vështirë dhe plot mungesa e stres. Dhe pastaj, kur i kanë bërë lekët, i shpenzojnë në pjesën më të madhe për problemet shëndetësore që u janë krijuar gjatë viteve të lodhshme të punës pa pushim dhe me shumë stres dhe mbingarkesë. Ndërkohë, edhe me familjen e tyre hasin vështirësi të mëdha, sepse kjo lloj pune u ka shkatërruar lidhjet e domosdoshme për të qenë në harmoni dhe për të dhënë e marrë dashuri.

Jeto për të sotmen

Mos jeto në të shkuarën, mos e mbaj mendjen tek ato gjëra që të shkuan ters, tek dështimet apo zhgënjimet. Njëherazi, mos krijo ide fikse për të ardhmen dhe mbi të gjitha, për të ardhmen e largët. Mos u streso dhe mos krijo ankthe për atë që do kohë që të vijë. Njerëzit e lumtur jetojnë për të tashmen. Ata kanë një mendësi pozitive. Nëse nuk mund të jesh i lumtur sot, atëherë si mendon se do të jesh i lumtur nesër? Përse vallë mendon se gjërat nesër do të jenë ndryshe?

Zgjidh lumturinë

Mos ki frikë që të rivlerësosh qëllimet dhe objektivat e tua në jetë. Imagjino jetën tënde si një histori që mund ta realizosh dhe ta ndryshosh sa herë që vendos ta bësh një gjë të tillë. Kjo mënyrë fleksibël kërkon një mendësi shumë pozitive dhe një mendje të hapur. Duhet që në mënyrë të vazhdueshme dhe aktive të zgjedhësh gjithmonë që të jesh i lumtur. Gjithmonë ke një mundësi tjetër, ke lirinë për të zgjedhur mënyrën në të cilën mund të zgjidhësh një situatë. Një studim ka nxjerrë në pah se njerëzit që e ndiejnë se kanë një mundësi zgjedhjeje dhe e kanë jetën e tyre nën kontroll, janë më të lumtur se fatalistët, pra njerëzit që mendojnë se asgjë nuk mund të ndryshohet me ndërhyrjen personale dhe se gjërat janë të shkruara një herë e mirë dhe nuk ndryshon asgjë. Sipas studimit, vendet e Europës Veriore janë shumë më optimistë, ndërkohë që jugu i kontinentit ka njerëz më fatalistë.

Marrëdhëniet

Ne e marrim lumturinë nga të tjerët dhe nga mbështetja që u japim të tjerëve. Kujtoni gjithmonë se ashtu sikundër të tjerët mund të na bëjnë ne të lumtur, edhe ne mund të bëjmë të lumtur të tjerët. Duhet t’i duam njerëzit që janë të rëndësishëm për ne. Një studim tregon se njerëzit e martuar janë më të lumtur se beqarët.

Rri me axhendën plot

Nëse dëshiron të jesh i lumtur, atëherë zhvillo një personalitet social – prano ftesat për të pirë një gotë jashtë, bëhu pjesë e klubeve të ndryshme, shko në aktivitete sociale. Mënyra më e mirë për të pasur kënaqësi, është që të jesh në shoqërinë e të tjerëve. Krijo një jetë të pasur sociale dhe bëje këtë jo si një detyrim, por si një shpërblim që i jep vetes pas një dite të lodhshme në punë dhe për hir të të bërit qejf.

Mos bëj krahasime

Ambicia në vetvete është e shëndetshme dhe i bën njerëzit të lumtur, por ndërkohë, një ndjenjë tjetër që ngjan me ambicien, por është tërësisht negative është zilia, dhe zilia të bën të palumtur. Duhet të krahasohesh me të tjerët, por në mënyrë të shëndetshme, jo të sëmurë. Në vend që të humbasësh energji në dëshirimin e pamundur të asaj që kanë të tjerët, më mirë përqendrohu tek objektivat e tu dhe do të ndihesh më mirë.

Ji vetvetja

Ashtu sikundër nuk duhet të krahasosh veten me të tjerët, nuk duhet as të vrasësh shumë mendjen për atë që mendojnë të tjerët për ty. Vetëm në këtë mënyrë do të jesh me të vërtetë vetvetja. Njerëzit e lumtur janë shumë spontanë, natyralë dhe të vërtetë. Ata thonë atë që mendojnë dhe nuk janë shumë të shqetësuar se çfarë mendojnë të tjerët për ta. Të qenët vetvetja, të bën të lirë dhe autentik.

Mos u shqetëso

Mos e merr veten shumë seriozisht. Njerëzit e lumtur nuk  shqetësohen shumë dhe e dinë mirë se 90% e shqetësimeve që kanë nuk janë të vërteta.

Organizohu

Mund t’i keni zili ata njerëzit që bëjnë jetë boheme, ku ‘rafsha mos u vrafsha’, pra i bëjnë gjërat duke ndjekur nxitjen e momentit, por mos u gënjeni. Njerëzit e lumtur planifikojnë dhe organizojnë jetën e tyre, kanë qëllime dhe objektiva. Mund të arrish atë që dëshiron vetëm në rast se në radhë të parë e di mirë çfarë dëshiron me të vërtetë. Këtu fillon gjithçka dhe më pas tek organizimi i realizimit të objektivit tënd.

Mendo pozitiv

Grumbullimi i emocioneve negative dhe ndjenjave të këqija krijon një shtrëngim të madh psikologjik dhe mungesë rehatie fizike. Njerëzit e lumtur, duke drejtuar gishtin tregues nga gjoksi, vendi ku ndodhet stresi, i thonë këtij të fundit: Ik që këndej, ose do të iki unë nga ty! Njerëzit e lumtur tentojnë që të shohin gjithmonë anën e mirë të gjërave, edhe në rastet më të errëta. Atletët e suksesshëm e dinë si të përqendrohen dhe të fitojnë dhe nuk e nisin një garë me frikën e humbjes. Duhet që të zhvendosemi nga mendësia negative dhe e dështimit dhe të bëjmë tonën ndjesinë pozitive dhe atë të fitimtarit. Optimizmi është një mekanizëm natyral i mendjes kundër depresionit.

Vlerësoje lumturinë

Lumturia mund të mësohet, por gjetja e domethënies dhe e një qëllimi në jetë është rruga drejt lumturisë dhe jo anasjelltas. Njerëzit e lumtur vlerësojnë dhe e kuptojnë se të jesh i lumtur, i shton vite jetës tënde dhe i jep jetë viteve të tua.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama