Lumturia tashme eshte skandinave

Lumturia tashme eshte skandinave
Janë vende që ndodhen në Veri, në të ftohtë dhe shpesh në errësirë, por që vazhdimisht cilësohen si më të lumturat në botë. Vitet e fundit po kryesojnë bindshëm në botë. Ja disa nga përse-të e një suksesi të tillë. Kur u hedh një sy klasifikimeve të përvitshme në listën e vendeve që kanë përqindjen më të madhe të lumturisë në botë, sheh se janë nordikët ata që kryesojnë vazhdimisht. Edhe në klasifikimin e fundit të bie në sy një vend skandinav si Finlanda, që zë vendin e parë dhe më pas Suedia, në vendin e tretë, e ndjekur nga Norvegjia në vendin e gjashtë dhe Danimarka në të dhjetin. Pra 10 vendet, popujt e të cilëve gëzojnë një jetë shpirtërisht të shëndetshme, janë kryesisht vende nga veriu i botës. Pyetja që të lind natyrshëm në një rast të tillë është se përse ndodh gjithmonë që kjo popullsi ka arritur të krijojë balanca të tilla për të qenë e lumtur, madje edhe në kohë krizash, kur vende të tjera vuajnë?

Duke qenë se klima e këtyre vendeve krijon një situatë në të cilën predominon grija, errësira dhe të ftohtët për një pjesë të madhe të vitit, ndoshta banorët e këtyre vendeve kanë krijuar një minibotë të brendshme dhe bëhet fjalë për një krijim në perfeksion, që bie në kundërshti me klimën depresive që mbizotëron jashtë. Intuitivisht njerëzit mund të mendojnë se në vendet ku mbizotëron klima e ngrohtë, pra ku njerëzit përgjatë pjesës më të madhe të vitit jetojnë në të ngrohtë, ndihen më mirë se njerëzit që jetojnë në një klimë më të ashpër. Ky mendim bie kryekëput poshtë, sepse numrin e parë për popullsinë më të lumtur e ka Finlanda dhe jo, të themi Burkina Faso, një vend ku dielli djeg e pjek gjatë gjithë vitit, por që për nga koeficienti i lumturisë renditet në vendin e 100-të.

Lidhja mes klimës së ftohtë dhe renditjes në krye të klasifikimit bëhet edhe më e qartë kur na vihen përpara disa argumente. Kështu, një klasë e ngrohtë është më mirë se sa të jesh jashtë, nën hije të palmës. Ja ku del rëndësia e arsyes së të qenit i lumtur. Të lëvizësh me shpejtësi për shkak të të ftohtit, është veç të tjerash edhe e shëndetshme për organizmin, sepse kjo të bën robust dhe të shëndetshëm. Edhe marrëdhëniet njerëzore përmirësohen kur njerëzit, për t’i shpëtuar të ftohtit, i rrinë shumë afër njëri-tjetrit.

 Kjo duket edhe në ambientin politik, që synon të zgjidhë gjithçka në tryezë, sepse të dalësh jashtë në demonstratë nuk është e mundur për shkak të temperaturave tepër të ulëta dhe së fundmi dinamizmi ekonomik tenton që të jetë i lartë te njerëzit që kanë mësuar se si t’i mbijetojnë acarit të natyrës, duke gjetur një ekuilibër dhe duke arritur të bashkëjetojnë.

Të ftohtët të bën të zgjuar dhe nikoqir në përdorimin forcave të tua. Një nga arsyet kryesore të mirëqenies së popullsisë së Finlandës është edhe reputacioni që ka ky popull për krenarinë dhe diplomacinë. Ky popull ka luftuar dhe u ka rezistuar me shumë dinjitet dy pushtuesve shumë të rrezikshëm: rusëve dhe gjermanëve. Le të shohim tani vendin që zë numrin 2 në këtë listë, Zvicrën. Edhe ky vend neutral ka pak a shumë të njëjtën histori me atë të Finlandës: është i kufizuar me fuqi të mëdha, ka një natyrë të shëndetshme që anon nga të ftohtët, duke qenë se ka edhe Alpet e famshme, që do të thotë se edhe ushqimi është shumë më i shëndetshëm. Më pas vijnë bankat, ose të paktën deri së fundmi, që janë shumë të mira për të të dhënë kredi kur je në vështirësi, apo për të të mbajtur paratë që mund të mos vijnë nga burime aq të pastra dhe mbi të gjitha ka edhe të ashtuquajturin “neutralitet”, pra mospërfshirje në luftëra dhe konflikte. Të gjitha këto dhe të tjera të marra së bashku, të kombinuara, e kanë bërë Zvicrën një vend me të vërtetë të dëshirueshëm për të jetuar.

A e dini për shembull që në Zvicër, në Alpe, ka tunele shumë të gjatë, të gjithë të mbushur me ushqim për popullsinë në rast të shpërthimit të një lufte bërthamore? Në fakt mund të përmendim edhe djathin, apo çokollatën, përveç orëve që janë një tregues tjetër i një mirëqenieje jetësore, duke qenë se flasin për saktësinë dhe korrektesën. Kështu mund të vazhdonim me të gjitha vendet që ndodhen në krye të listës dhe në përfundim do të thoshim pak a shumë se ato kanë të njëjtat karakteristika që janë jetike për mirëqenien shpirtërore të një populli. Ato fillojnë me faktin elementar, atë të të mosqenit në luftë, apo të përfshirë qoftë edhe në mënyrë të tërthortë në konflikte.

Një tjetër fakt i përbashkët është se bëhet fjalë për vende të ftohta, ku njerëzit përveçse janë të lumtur, kanë edhe një përqindje jo të vogël depresiviteti. Kjo ndoshta i atribuohet faktit se një pjesë e jeton në errësirë një periudhë të vitit. Po shtetet e mëdha? Shtetet e Bashkuara të Amerikës renditen në vendin e 11-të të listës. Kjo edhe pse ky vend është i vetmi në botë që e ka të shkruar si të drejtë kushtetuese për njerëzit “të drejtën për të kërkuar lumturinë”. Por, pavarësisht kësaj, kjo është një e drejtë që vitet e fundit u është kufizuar shumë amerikanëve, për arsye të ndryshme.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama