Lumturimi i Nene Terezes harrohet memoriali

Lumturimi i Nene Terezes, harrohet memoriali
Sot shënohen nëntë vjet nga lumturimi i Nënë Terezës. E shpallur tashmë festë kombëtare, kjo ditë është pushim për administratën shtetërore dhe tek-tuk shënohet edhe ndonjë aktivitet. Dy ditë më parë, Mehmet Gëzhilli, i cili ka botuar disa vëllime për Nënë Terezën ka hapur një ekspozitë në një universitet privat, ndërsa mbrëmë fondacioni që mban të njëjtin emër, themeluar nga zonja Liri Berisha ka çelur një ekspozitë në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Ishte ky fondacion që në rastin e 100-vjetorit të lindjes së bamirëses shqiptare bëri një prezantim pompoz të projektit për ngritjen e memorialit kushtuar Nënë Terezës. Ishte menduar të ngrihej ne vendin e njohur si “Kolonat”, u ngrit për këtë rast edhe një grup pune i drejtuar nga Nikollë Lesi, u pasua me debate të forta për vendin e zgjedhur. Shumë nga specialistët e kundërshtuan idenë, madje pati edhe nga ata që u shprehën se një projekt i tillë nuk do të realizohej kurrë dhe kjo do të ishte gjëja më e mirë.

“Nuk jam marrë më me atë projekt”, shprehet Nikollë Lesi, ndërkohë që pjesa më e madhe e opinionit ishte i bindur që një gjë e tillë nuk do të realizohej. Ishte vetëm një propagandim i kujdesit ndaj kësaj figure në këtë 100-vjetor. Nënë Tereza, bamirësja dhe nobelistja shqiptare u lumturua më 19 tetor 2003 në Vatikan nga Papa Gjon Pali 2. “Në emër të të varfërve e të dashurisë për Zotin” ishte motivi që mijëra besimtarë e dhjetëra personalitete të mblidheshin në festimet e organizuara në sheshin e Shën Pjetrit me këtë rast. Pjesëmarrësit që mendohej të ishin 300.000, midis të cilëve 3000 të sëmurë dhe të pastrehë, të mbledhur nën autoritetin apostolik të Papës, festonin hapin e parë të hedhur drejt shenjtërimit të saj.

“Kujtoni se Zoti ka krijuar secilin prej nesh për gjëra të mëdha?  Të duam dhe të na duan, ky është kuptimi i jetës, të cilin asnjë vuajtje nuk mund ta largojë prej nesh.” … Nëna po lutet shumë për të gjithë popullin tim të dashur të Shqipërisë, derisa secili të mësojë të dashurojë deri në dhimbje, në mënyrë që t’i sjellë paqe vendit dhe zemrave të gjithsecilit”, ka qenë një nga mesazhet e saj drejtuar shqiptarëve.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama