Lupa mbi gegerishte

Lupa mbi gegërishte
Gjuhëtarët marrin lupën për Fjalorin e Gjuhës Shqipe të hartuar nga Mehmet Elezi. Prurjet më të mëdha nga dialekti geg i pashfrytëzuar në vepra të tjera të këtij lloji

Kur një vit më parë doli në qarkullim Fjalori i Gjuhës Shqipe hartuar nga Mehmet Elezi, pati nga ata që e quajtën “krahinor”, apo sfidë të hapur ndaj Akademisë së Shkencave. Vetë autori i veprës që përmban 41 mijë fjalë, e pranon se në hartimin e këtij fjalori ka përdorur një koncept tërësisht të kundërt me atë të fjalorëve akademikë. Shpjegon se është për gjithëpërfshirjen në gjuhë, kundër përjashtimit të vlerave. Pasi ka kaluar kohë mjaftueshëm e ky fjalor ka shkuar tashmë tek përdoruesi dhe është përthithur nga gjuhëtarët, specialistët e fushës u mblodhën dje në një konferencë për të dhënë mendimin e tyre rreth kësaj pune voluminoze.

Sipas gjuhëtarit Kolec Topalli, një nga vlerat e fjalorit është depërtimi deri tek burimi, analiza etimologjike e fjalës edhe pse sipas tij “përqasja etimologjike nuk është aspak e thjeshtë”. Kurse gjuhëtari Pavli Haxhillazi e vlerëson si një hap të rëndësishëm në kodifikimin e gjuhës shqipe… Dhe të gjithë janë të mendimit që ky fjalor, ndryshe nga paraardhësit, i jep më shumë hapësira dialektit geg. Këtë e pranon vetë Elezi, i cili thotë se për fjalorin e tij ka qëmtuar fjalë dhe shprehje frazeologjike nga Veriu i Shqipërisë, nga Kosova, nga Plava e Gucia, nga Tetova e Lugina e Preshevës, për tu hedhur në Çamëri, te arbëreshët e Italisë dhe në katundet e Vlorës, në Gjirokastër a Lushnjë.

Gjuhëtari Haxhillazi thotë se gjuha shqipe ka pasuri të mëdha në të dy kryedialektet e saj, ende të pahulumtura deri në fund, por sipas tij, autori fokusohet më shumë tek lënda e mbledhur nga gegërishtja, duke na sjellë më shumë fjalë e shprehje frazeologjike prej saj. “Në fjalor ka më shumë fjalë të gjuhës shqipe, në dialektin geg të saj, sepse pikërisht pasuritë e gjuhës shqipe në dialektin geg u përjashtuan nga standardi”, -sqaron Elezi. Për të ndërtuar fjalorin e tij, Elezi i është referuar veprës së 40 autorëve shqiptarë, qoftë kjo letrare apo gjuhësore. Bien në sy autorë që veprat i kanë shkruar në gegërisht apo autorë që kanë jetuar në trojet shqiptare përtej kufirit. Mes tyre mund të përmendim Gjergj Fishtën, Ndre Mjedën, Ernest Koliqin, Martin Camajn, Anton Çetën, Anton Pashkun, Azem Shkrelin, Adem Demaçin, Ali Podrimjen, Kim Mehmetin, etj. (Pa mohuar faktin që si lëndë janë përdorur edhe vepra të autorëve si Faik Konica, Mitrush Kuteli, Ismail Kadare, apo autorë të konsideruar të ndaluar gjatë viteve të diktaturës si Malëshova, Pipa, Xhaferri, etj).

Dhe përpos këtyre shkrimtarëve janë shfrytëzuar edhe vepra madhore të shkruara po në dialektin geg, si Kanuni i Lekë Dukagjinit, Eposi i Kreshnikëve, Visaret e Kombit të Shtjefën Gjeçovit, apo vepra të mirëfillta leksikografike si fjalori i Gjon Gazullit, “Bashkimit”, etj. Kështu që animi nga gegërishtja është i dukshëm, edhe pse autori thotë se nuk i intereson as toskërishtja e as gegërishtja në veçanti, por gjuha shqipe. “Nëse në gjithë botën është punuar për pasurimin e fjalorëve, tek ne duket se është punuar për t’i varfëruar ata”, - shton autori.

Shfrytëzimi më së shumti i dialektit verior, shihet nga gjuhëtarët si një hap pozitiv për kodifikimin e gjuhës shqipe, e cila për vite me rradhë, siç thotë specialistja e gjuhës Aljula Bengu, ka qenë peng i politikës së kohës, e cila la jashtë gjuhës standarde vlera dhe la në hije pasuri të mëdha leksikore. Mbrojtëse e tezës së hapjes së gjuhës standarde ndaj pasurisë dialektikore gege është edhe gjuhëtarja Ledi Shkreli, e cila e sheh atë (dialektin) jo vetëm si pasuri kombëtare, por edhe si një “fuqi faktike të shqipes”. Gjuhëtarët thonë se ky fjalor nuk është shterues dhe se shqipja është shumë herë më e pasur se kaq. Edhe vetë autori është i bindur për këtë. I kanë mbetur jashtë veprës një numër shumë të madh fjalësh, edhe këto kryesisht nga gegërishtja, si nga Kanuni i Lekë Dukagjinit, Fishtës, Gjeçovit, Koliqi e Camajt. Fjalë të fjalorëve të “Bashkimit”, Gazullit, apo fjalorëve të hartuar në trevat shqiptare në ish-Jugosllavi, për shkak se nuk dinte të kapte kuptimet, apo të analizonte etimologjinë e tyre. Bëhet fjalë më shumë për emra bimësh mjekësore, kafshësh, zejesh, etj. “Por fatkeqësisht, nuk ndoqa këshillën e Çabejit, i cili thoshte se edhe fjalët që nuk i kupton duhen mbajtur shënim. Gjë që unë nuk e bëra gjatë mbledhjes së këtyre fjalëve”, - thotë Elezi, duke i lënë një rrugë të hapur gjuhëtarëve të tjerë, për të plotësuar boshllëqet e lëna. Por pavarësisht mungesave që i njihen tashmë këtij fjalori, për gjuhëtarin Kolec Topalli është një përpjekje për të ruajtur gjuhën, ashtu siç thoshte Pjetër Budi, që ajo “të mos bdarret e bastardohet”.

Alma Mile : Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama