I kërkuam koleksionistit i cili i ka mbledhur këto dëshmi nga miq, shokë, fotografi dhe kartolinat e kohës, të bënte një historik të shkatërrimit të monumenteve edhe e ka të e vështirë sepse historia e shkatërrimit të monumenteve ka ndodhur në të gjitha kohërat dhe periudhat janë të pandashme. "Historia fillon që me periudhën e degradimit të Perandorisë Osmane, ku bie fuqia ekonomike e vendit dhe fillon degradimi i një pjese të kësaj trashëgimie. Ky proces forcohet për shkak të mosmirëmbatjes në gjysmën e parë të shek. XX.
Një pjesë e monumenteve janë zhdukur në atë periudhë për shkak të mosdijes, në momentin kur filluan të bëheshin veprat e mëdha inxhinierike dhe publike të viteve '30. Nuk ekzistonte ndjeshmëria dhe objektet zhdukeshin. Për shembull, ajo që shërben edhe si ikonë e kësaj ekspozite, një nga hyrjet kryesore të qytetit të Kalasë së Durrësit, Porta e Jallisë quhej, është prishur pikërisht në vitin 1930, për t'i hapur vend rrugës, në një kohë që rruga mund të devijohej. Pjesa tjetër e shkatërrimeve i takon periudhës së pasluftës. Një batërdi më vete është ajo e periudhës së mbylljes të objekteve të kultit. Dhe tashmë, pas viteve 2000, ka një ringjallje të shkatërrimit, por që nuk e përfshin kjo ekspozitë."
Lame radhit ndër shkaqet e degradimit të monumenteve të kulturës mungesën e fondeve, mungesën e nivelit teknik të institucioneve dhe krijimit të veprave. Koleksionisti ndjen se po rikthehet procesi i ndërtimit të veprave publike si në vitet '30, duke dëmtuar edhe atë pak trashëgimi që ka mbetur. "Pra, kur s'ka para prishet se nuk kemi ta ndreqim, kur ka para dëmtohet për të bërë një gjë tjetër." Duke iu përmbajtur periudhave të mëdha të shkatërrimit të objekteve të trashëgimisë që Lame përmend, e ftojmë lexuesin në një vizitë imagjinare nëpër këtë histori, aq sa na krijon mundësi ekspozita.
Historia e shkatërrimeve nis me Urën e Bahçallëkut në Shkodër (shek XVIII), që u shkatërrua në fund të shekullit XIX. Gjatë Luftës së Parë Botërore u shkatërruan: Ura e Vezirit, që ishte rruga Shkodër- Kosovë dhe Ura e Përmetit, të dyja të ndërtuara në shekullin e XVIII. Asnjë gjurmë nuk ka që të kujtojë kohën. Në vitet '30 fillon një valë shkatërrimesh ndaj ndërtesave kryesisht në Durrës. Shkatërrohet Konaku, Pallati i Princ Vidit, që ishte djegur fillimisht më 1916 dhe shkatërrohet më 1930, Porta Aurea, Porta e Jallisë, Shkolla Greke, Vila Presidenciale Kisha e Vllehëve në Korçë, Ujësjellësi i Kalasë së Gjirokastër, Kisha e Shirgjit në Shkodër, një kishë e moçme, kushtuar shenjtërve Shën Sergj dhe Baku.
Me fotografinë në dorë, Lame shpjegon: "Kjo është fotografi e viteve '30 dhe këtu kisha paraqitet me fasadën ende në këmbë. Tani është zhdukur, nuk ekziston më. Nga katër mure të kishës, ekziston vetëm njëri, mur anësor. Për më tepër fasada ishte edhe pjesa më interesante pasi kishte edhe shkrimet origjinale të gdhendura në traun e portës".
Një valë tjetër shkatërrimesh vjen në vitet '50. Jemi në një nga valët që kanë shkaktuar shkatërrime të qëllimshme nga dora e njeriut. "Lista të zeza" politike ashtu si të listat e zhdukurve, desaparecidos, në diktaturat ushtarake të Amerikës së Jugut, prekën u krijuan edhe me monumentet. Në vitit 1954 në Shkodër rrafshohet Bezisteni, Pazari i Shkodrës, i djegur më parë nga Malazezët. Në mesin e shek. XX shkatërrohet Kafehania Ballkani, u shkatërruan Sarajet e Zogollëve në Mat (Vitet '50), Sarajet e Ali Pashës në Tepelenë (vitet '50 të shek XX).
Në batërdinë e vitit 1967, nisi vala e shkatërrimit të objekteve të kultit: Interieri i Kishës së Jezuitëve dhe Interieri i Kishës Françeskane në Shkodër (ndërtesa të shekullit XIX), Abacia e Oroshit, Mirditë, Kuvendi Françeskan në Lezhë, Kuvendi Françeskan në Rrubik, Teqja e Krujës, Kisha Ortodokse në Fier, Kisha e Shën Gjergjit në Korçë, Xhamia në Vlorë, Kisha e Re e Shën Mërisë në Va Dejë, kurse Kisha e Vjetër u shkatërrua më 1974.
Monumentet e tjera të shkatërruara janë të ditëve tona. Një histori që flet për plaçkitje, shkatërrime dhe ndërtime të reja mbi to. Në vitin 2000, Lulishtja e Shkodrës, e ndërtuar në vitet '30, është zënë me ndërtime. Vetëm në Tiranë gjatë shek. XX, kanë ndodhur këto ndryshime: ka ndryshuar Kulla e Sahatit në vitin 1928, është shkatërruar Ura e Terzinjve në vitet '40, është djegur Xhamia e Vjetër e Sulejman Pashës dhe është shkatërruar më 1945, është shkatërruar Mauzoleu i Nanës Mbretneshë dhe Lokal Kursal në vitet '70, është shkatërruar Bashkia e Tiranës në vitet '80. Në vitin 1995 është shkatërruar Shtëpia e Themelimit të Partisë dhe së fundmi po ndryshohet Sheshi Skënderbej, të cilit në vitin 1946 iu hoq shatërvani dhe tani siç duket edhe lulishtja.
Me koleksionin e Lames, ku shihen edhe fotografi me autorë Marubi apo Teki Selenica, përpilohet një hartë e plotë e shkatërrimit të monumenteve nga veriu në jug, nga Ura e Vezirit Shkodër-Kosovë, te Ura e Peratit në kufi me Greqinë. Një hartë që nuk është shteruese. Qëllimi i autorit të ekspozitës është ndërgjegjësimi për këtë trashëgimi të humbur, "të cilës për fat të keq, po i zhduket edhe kujtesa".
Një punë e tillë ka edhe më tepër vlerë në një kohë kur institucioni përgjegjës për këtë punë, Instituti i Monumenteve, bën vetëm listat me heqjen dhe shtimin e monumenteve. Për Lamen, ky "Institut i Monumenteve është një kufomë, që tashmë ka vdekur dhe sa më shpejt ta varrosin, aq më pak do të bjerë erë mbi dhe".
Ekspozita "50 më pak" rri hapur deri më 15 mars në Universitetin Evropian të Tiranës.
Diçitura
Bezisteni i Shkodrës shek. XVIII djegur nga malazezët 1913 rrafshuar 1954
Xhamia e vjetër e Sulejman Pashës Tiranë ndërtuar 1614 shkatërruar 1945
Kisha e Shën Gjergjit Korçë ndërtuar 1905 shkatërruar 1967
Ujësjellësi Gjirokastër, ndërtuar shek. XIX rrafshuar vitet 30 shek. XX.
Manastiri i 40 shenjtorëve Sarandë ndërtuar shek. VI shkatërruar 1944
Xhami Vlorë ndërtuar shek. XIX shkatërruar 1967
Bashkia Tiranë ndërtuar 1932 shkatërruar 1980