MASH cakton datat viti shkollor nis me 10 shtator

MASH cakton datat, viti shkollor nis me 10 shtator
Viti i ri shkollor në arsimin parauniversitar do të nisë më 10 shtator. Ministria e Arsimit ka përcaktuar edhe datat për pushimet semestrale të arsimit bazë dhe atij të mesëm.

“Pushimet e dimrit fillojnë në datën 24 dhjetor 2012 dhe përfundojnë më 6 janar 2013”, bëri me dije MASH. Semestri i parë i shkollave të arsimit bazë përfundon më datë 23 janar 2013 dhe semestri i dytë fillon më datë 28 janar 2013. Për të gjithë sistemin e arsimit parauniversitar do të ketë pushim në periudhën 27 – 31 mars 2013. Në udhëzimin e Ministrisë përcaktohet se arsimi bazë e mbyll vitin shkollor më 7 qershor 2013. Periudha e Provimeve të Lirimit do të jetë në datat  10 – 23 qershor 2013. “Arsimi i mesëm (pa Maturën) do të përfundojë më 14 qershor 2013.

Për maturantët viti shkollor do të mbyllet më 24 maj 2013. Periudha e provimeve të Maturës Shtetërore do të jetë në datat 24 maj – 30 qershor 2013”, sqaroi MASH. Korrigjimi i provimeve me zgjedhje ka nisur dhe me marrjen e rezultateve të tyre, nxënësit do të nisin të bëjnë llogaritjen e pikëve. Brenda pak ditësh pritet të publikohet udhëzimi për formularin A2, i cili për herë të parë do të plotësohet online. Maturantët do të kenë kohë deri më 30 korrik për ta dorëzuar në shkolla. Me anë të këtij formulari, nxënësit do të caktojnë 10 preferencat e tyre për në universitet. Do të jenë pikët ato që do të përcaktojnë se cilët do të jenë fituesit. Ata do shpallen të tillë vetëm në një degë. Janë 26.072 studentë që do të pranohen vitin e ardhshëm akademik në 11 universitetet publike të vendit. Studimet me kohë të pjesshme pritet t’i ndjekin këtë vit rreth 9 mijë studentë. Në total, bashkë me ciklin e parë të studimeve për vitin e ri akademik do të ulen në auditorë rreth 35.000 studentë.

  • Viti i ri shkollor
  • Arsimi parauniversitar
  • Viti shkollor nis në datën 10 shtator 2012
  • Pushimet e dimrit fillojnë në datën 24 dhjetor 2012 -6 janar 2013
  • Semestri i parë i shkollave të arsimit bazë përfundon më datë 23 janar 2013
  • Semestri i dytë fillon më datë 28 janar 2013

Pushimet 27 – 31 mars 2013
  • Përfundimi i shkollës
  • Arsimi bazë, 7 qershor 2013.
  • Periudha e Provimeve të Lirimit, 10 – 23 qershor 2013
  • Arsimi i mesëm (pa Maturën), 14 qershor 2013
  • Matura mbyll vitin më 24 maj 2013.
  • Periudha e provimeve të MSH, 24 maj – 30 qershor 2013

Pikët

Ndryshimi i kurrikulave ka bërë që ky brez të mos ketë në dispozicion formulën standarde të përdorur 6 vitet e shkuara për llogaritjen e pikëve. Kush ka caktuar tri lëndë me zgjedhje, do të zbatojë formulën e dytë, të bërë tashmë publike nga Ministria e Arsimit. Ndërsa nxënësit që do t’i nënshtrohen testimit për dy të tilla, do të zbatojnë atë standarden të vendosur 5 vitet e shkuara. Në nisje të maturës janë bërë publike  koeficientet, të cilat janë të domosdoshme për të bërë llogaritë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama