U intervistuan më shumë se 5 mijë familje, nga ku 79,9% u identifikuan si myslimanë. Vlerësime të mëparshme tregonin se 70% e shqiptarëve ishin myslimanë, 20% ortodoksë dhe 10% katolikë. Studimi tregoi se numri i atyre që janë të sektit shia bektashi, i cili e ka selinë në Tiranë dhe thotë se është një fe më vete, ishte i papërfillshëm. Studimi për këtë arsye i kategorizoi bektashinjtë në kolona të tjera.
Veprimtaria fetare dhe ndjekja e besimit ishte e ndaluar në Shqipëri që në vitin 1967 nga regjimi komunist, i ish-stalinistit Enver Hoxha, që e shpalli Shqipërinë një vend ateist. Në nëntor të vitit 1990, në prag të rrëzimit të komunizmit, Shqipëria lejoi praktikimin e fesë. Që atëherë ka pasur debate të gjëra, nëse Shqipëria është një vend mysliman apo jo. Bazuar në këtë studim apo anketim, myslimanët përbëjnë një shumicë prej 2,5 milionësh brenda një popullsie prej rreth 3,1 milionë banorësh. Studimi nuk ka marrë në shqyrtim një milion shqiptarët që jetojnë jashtë vendit dhe që janë emigrantë.
Gjatë viteve '90 disa grupe fesh të reja erdhën në Shqipëri, përfshirë Kishat Evangjelike, Kisha e Jezu Krishtit dhe Shenjtorët e Ditëve të Mëvonshme, Dëshmitarët e Jehovait dhe disa sekte myslimane si Selefitë. Konvertimet dhe prozelitizmi nga lëvizjet e reja kristiane ngritën spekulime mes disa intelektualëve se Shqipëria nuk ishte më një vend me shumicë myslimane. Disa madje e kanë konsideruar shumicën myslimane si kripto kristiane, duke thënë se janë myslimanë në dukje dhe kristianë në besim.
Gazeta Shekulli