Ministria e Punëve të Brendshme ka reaguar sot për deklaratën e Partisë Demokratike, e cila theksoi se kryeministri Edi Rama ka urdhëruar gjobitjen e personave që morën pjesë në protestën e së hënës, duke ndalur makinat e tyre kundër çmimit të lartë të naftës.
Ministria sqaron për qytetarët se, Shërbimet e Policisë Rrugore morën masa për të menaxhuar vetëm trafikun e rënduar, dhe nuk kanë vendosur asnjë masë administrative me gjobë për mjetet, megjithëse ato ndaluan në kundravajtje, duke bllokuar trafikun dhe sollën shqetësim dhe vonesë për përdoruesit e tjerë të rrugës.
Edhe pse në protestë u përfshinë 330 automjete, kryesisht autovetura që ndaluan duke bllokuar trafikun, duke shkelur nenin 20 të Kodit Rrugor që parashikon: “Cilido që zë sipërfaqen rrugore pa lejen përkatëse, ose që, duke pasur leje, nuk zbaton kushtet e saj, i nënshtrohet masës administrative me gjobë nga njëzet e pesë mijë deri në njëqind mijë lekë”, asnjë masë nuk është marrë për ta.
Por kjo nuk ka ndalur verifikimet për këto automjete, sipas të cilave, rreth 30% e këtyre mjeteve janë konstatuar edhe si mjete debitore, duke pasur minimumi të paktën dy gjoba të papaguara dhe maksimumi 19 gjoba.
“Policia e Shtetit është e vendosur në çdo rast të godasë paligjshmërinë, e çdo forme qoftë, e për këtë arsye fton qytetarët të bashkëpunojnë me Policinë në luftën e përbashkët kundër informalitetit, paligjshmërisë dhe kriminalitetit duke garantuar një Shqipëri më të sigurt, ku ligji është i barabartë për të gjithë pa dallim”, thuhet ne deklaratën e ministrisë.