TIRANE, 19 Shtator/ATSH/- Ministria e Punëve të Brendshme reagoi të shtunën ndaj deklaratës të Partisë Demokratike, përmes së cilës ngrihen akuza për lidhje të ministrit Saimir Tahiri, me bandat e trafikut.
"Nuk ka mbetur asgjë tjetër përveçse ta falenderojmë Partinë Demokratike që me konferencat e saj të përditshme për të përbaltur sukseset e Policisë së Shtetit, në fakt i bën jehonë këtyre sukseseve që po shënojnë një kthesë historike në rrugën e ndërtimit të shtetit modern europian shqiptar", thuhet në deklaratën e shpërndarë nga Ministria e Brendshme.
Më tej, deklarata citon se "falenderimet tona janë edhe më të veçanta, kur PD i bën jehonë goditjeve me zero tolerancë ndaj çdokujt që nën kostumin e pushtetit të maxhorancës apo i lidhur në cilëndo mënyrë me përfaqësuesit politik të maxhorancës, goditet me forcën e ligjit për shkeljen e ligjit".
Urojmë, thuhet më tej në deklaratë, që Partia Demokratike të mos pushojë asnjë ditë në këtë përpjekje të dëshpëruar për të, por të mirëseardhur për qeverinë tonë, e cila edhe falë konferencave të baltës së SHQUP-it, përçon tek shqiptarët mesazhin e saj kryesor: Koha e të fortëve të veshur me pushtet apo e të paprekshmëve për shkak të lidhjeve me pushtetin, vijon deklarata, ka vdekur bashkë me pushtetin e korruptuar të Sali Berishës. "Kjo është koha e Rilindjes së besimit të shqiptarëve tek Shqipëria dhe shteti europian i shqiptarëve", deklaron MPB-ja
Më herët, ish ministri i Brendshëm, deputeti i PD-së, Flamur Noka doli në një konferencë për mediat, ku vijoi akuzat ndaj kreut aktual të MB-së.
Noka tha se Tahiri është i lidhur me bandat e trafikut dhe këtë, sipas tij, e provojnë akuzat e bëra nga një oficer i lartë i policisë, që siç vazhdoi Noka, është i vlerësuar nga partnerët për punën e tij./a.gjonaj/ /a.g/