Pas akuzave të opozitës se Kostandin Xhuvani, autor i katër vrasjeve në një lokal nate në Tiranë, ka qenë një person i shpallur në kërkim nga policia, Ministria e Punëve të Brendshme, ka dalë me një deklaratë për shtyp, duke sqaruar opinionin publik se gjatë kohës që ai ka qenë në kërkim policor, nga organi i Prokurorisë, nuk është vendosur masë sigurie ndaj këtij shtetasi. Në këtë mënyrë, është anuluar kërkimi ndaj këtij shtetasi për tejkalim të afatit policor.
Nga ana e saj, edhe Prokuroria e Përgjithshme ka konfirmuar pushimin e hetimeve për Kostandin Xhuvanin për ngjarjen e ndodhur në Gjirokastër. Sipas Prokurorisë, shtetasi K.Xhuvani u akuzua për kanosje me armë ndaj tre shtetasve, por pushimi i hetimeve erdhi, pasi nuk u provua vepra penale. Sipas Prokurorisë, shtetasi K.Xhuvani paraqiti alibi të provuar natën e ngjarjes.
Deklarata e MPB-së
Lidhur me akuzat e ngritura nga Partia Demokratike se shtetasi Kostandin Xhuvani ka qenë person i shpallur në kërkim dhe Policia e Shtetit qëllimisht e ka lënë të lirë, Ministria e Punëve të Brendshme sqaron opinionin publik se:
- Në datë 25.04.2014, rreth orës 19:30, shërbimet e Policisë së Komisariatit Gjirokastër janë njoftuar se pranë lokal “Lithiumit” në lagjen “18 Shtatori” ka ndodhur një konflikt me armë ku një person ka qëlluar me pistoletë në ajër. Menjëherë policia ka shkuar në vendin e ngjarjes ku është bërë sigurimi i vendit të ngjarjes si dhe shoqërimi për në Komisariat i disa personave të pranishëm.
Nga informacionet paraprake për këtë ngjarje është mësuar se në brendësi te bar-lokal “SËEET” pranë stadiumit të qytetit, ka nisur nje konflikt midis disa personave për shkak të një femre. Për zbardhjen e kësaj ngjarjeje janë shoqëruar dhe janë pyetur në cilësinë e personave që kanë dijeni për veprën penale 11 persona.
Nga pyetja e dëshmitarëve në vendngjarje ka rezultuar se një konflikt ishte shkaktuar për shkak të dy vajzave, mes një grupi prej 3 të rinjsh dhe të tjetër shtetasi që shoqërohej me vajzat. Djemtë pasi kishin dalë nga lokali kishin filluar të ofendoheshin me njëri-tjetrin dhe të shtyheshin me duar, por pa u goditur. Më pas, njëri prej tyre ka nxjerrë nga brezi një armë zjarri, të tipit pistoletë, me të cilën ka qëlluar tre herë në ajër dhe pas kësaj ai është larguar në drejtim të vendit ku qëndrojnë taksitë. Nga të shtënat u dëmtua xhami i një automjeti, por nuk ka pasur persona të dëmtuar.
Nga informacionet e menjëhershme të marra në rrugë operative është mësuar se i dyshuar për këtë ngjarje ishte shtetasi Kostandin Xhuvani. Për dokumentimin e kësaj ngjarje bazuar dhe në nenet 171, 172 dhe 174 të Kodit të Procedurës Penale është proceduar duke siguruar e kqyrur nga Sistemi TIMS fotografitë si dhe të dhënat e këtij shtetasi të dyshuar. Gjithashtu janë kqyrur dhe marrë edhe fotografitë e të dhënat e tre personave të tjerë, me ngjashmëri të përafërt me personin e dyshuar.
Fotografitë e marra janë përdorur për paraqitjen për njohje nga personat e pranishëm në vendngjarje.
Është bërë veprimi hetimor i paraqitjes për njohje me anë të fotografisë, dhe të tre personat e pranishëm në momentin e ngjarjes kanë identifikuar fotografinë e të njëjtit person, e cila i përkiste shtetasit Kostandin Gjergj Xhuvani, i cili ka qënë personi që është konfliktuar me shtetasin Ergys Gashi si dhe ka qëlluar me armë zjarri në ajër.
Po atë ditë me shkresë nr. ekstra (883), datë 25.04.2014 është bërë shpallja në kërkim me kartelë me ngjyrë “rozë” e personit të dyshuar për këtë ngjarje, shtetasit Kostandin Gjergj Xhuvani.
Me shkresën nr.786, datë 27.04.2014, materialet proceduriale në ngarkim të shtetasit Kostandin Xhuvani i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprat penale të “Kanosjes” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe e municioneve”, të parashikuara nga neni 84 dhe 278, të K. Penal.
Gjatë kohës që ky shtetas ka qenë në kërkim policor, nga organi i Prokurorisë nuk është vendosur masë sigurimi ndaj këtij shtetasi, ndaj dhe mbështetur edhe në Udhëzimin e Ministrit të Brendshëm nr. 56/1 datë 27.05.2013, “Për përdorimin e burimeve të informacionit, marrjen, administrimin, verifikimin dhe vlerësimin e të dhënave” nga Policia e Gjirokastrës në datë 27.05.2014, është bërë anulimi i kërkimit të këtij shtetasi për kalim të afatit policor.