MPJ pret ambasadorin maqedonas Denojme dhunen ndaj protestuesve

MPJ pret ambasadorin maqedonas: Denojme dhunen ndaj protestuesve

Gjatë kohës së zhvillimit të protestave në Shkup, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë thirri në takim ambasadorin e Republikës së Maqedonisë në Tiranë, për t’i shprehur  keqardhjen dhe pakënaqësinë për moskuptimin e mesazheve të përcjella nëpërmjet deklaratave të zyrtarëve shqiptarë, referuar zhvillimeve të fundit në Maqedoni.

Ambasadorit iu rishpreh shqetësimi për dhunën e ushtruar gjatë demonstratave. MPJ theksoi se kjo mënyrë sjelljeje,  nuk ndihmon në zbardhjen e çështjes, dëmton marrëdhëniet ndër-etnike e harmoninë midis komuniteteve.

Gjatë takimit, ambasadorit iu vu ne dukje se këto deklarata nuk mund të konsiderohen si ndërhyrje në punët e brendshme të Maqedonisë. Ato përbejnë një shprehje të natyrshme të shqetësimit për situatën e krijuar dhe njëkohësisht bëjnë thirrje për maturi dhe gjetjen e zgjidhjeve.

Republika e Shqipërisë është e interesuar për ndërtimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me Maqedoninë, bazuar në parimet e respektit të ndërsjellë, theksohet në njoftimin e MPJ-së.

Në njoftimin për shtyp të MPJ shqiptare theksohet:

“Ambasadorit maqedonas iu theksua se kemi përshtypjen se nota verbale e MPJ-së së Maqedonisë është më shumë një përpjekje për të spostuar vëmendjen nga thelbi i çështjes. Jemi të mendimit se shkaqet e këtyre situatave duhen kërkuar brenda Maqedonisë dhe tek mos zbatimi i marrëveshjes së Ohrit. Çdo përpjekje për të kërkuar shkaqe apo faktorë te tjerë  dhe për më tepër jashtë kufijve të Maqedonisë, do të ishte joproduktive”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama