Made in Albania Nje shkolle qe shkaterron nje park

'Made in Albania': Nje shkolle qe shkaterron nje park
Babëzia nuk njeh kufinj në Shqipëri. Në emër të zgjerimit të një shkolle, shkatërrohet parku i vetëm që kryeqyteti shqiptar ka në pronësi, ai i liqenit artificial. Dhe ky është morali që u injektohet nxënësve, kjo është dashuria për mjedisin dhe pronën publike që u mësohet atyre.

Tiranë – Një masakër mjedisore është cilësuar nga Bashkia e Tiranës dëmi që ka shkaktuar ndërtimi i shkollës “Willson” në parkun e Liqenit Artificial në kryeqytet. Për këtë arsye Bashkia ka bërë sot një kallëzim penal ndaj institucionit arsimor “Wilson”, duke denuar aktin e prerjes së pemëve në këtë zone dhe duke kërkuar penalizimin e sipërmarrësve të saj. Nënkryetari i Bashkisë më të madhe në vend, Edmond Panariti, theksoi se një institucion arsimor duhet të japë shembull pozitiv dhe jo të shkatojë një krim mjedisor.

“Më lejoni të shpreh tronditjen e thellë por njëkohësisht edhe indinjatën e thellë për këtë masakër mjedisore, për këtë krim mjedisor, por njëkohësisht më lejoni  të shpreh edhe përçmimin e neverinë, ndaj aktorëve që janë protagonistë të këtij shkatërrimi, të kësaj prerje abuzive, të prerjes së pemëve në parkun Natyror të Liqenit Artificial. Bëhet akoma më dramatike dhe problematike kjo situatë, kur në qendër të ngjarjes ndodhet i përfshirë një institucion arsimor, i cili duhet të bëjë të kundërtën. Ai duhet të promovojë dashurinë e studentëve dhe nxënësve për mjedisin, për ruajtjen e tij dhe për fat të keq jep shembullin e kundërt”- u shpreh Panariti.

Më tej ai shtoi se Bashkia është e vendosur që do të çojë para drejtësisë çdokënd që shkakton të tilla masakra mjedisore, dhe paralajmeroi se do të merren masa të rrepta deri në heqje të licensës.

“Më lejoni njëkohësisht t’ju bëj të ditur edhe vendosmërinë e Bashkisë së Tiranës, për të marrë masa të rrepta, për të bërë kallëzim penal ndaj aktorëve që janë përgjegjës për këtë masakër mjedisore. Njëkohësisht, në bashkëpunim me organet e  pushtetit qëndror, ne do të marrim të gjithë masat e tjera, deri në revokim të liçencës për ushtrimin e aktivitetit”- nënvizoi Panariti.

Nënkryetari i Bashkisë Panariti u shpreh se pas afro tre ditësh Liqeni Artificial do të mbrohet me ligj, duke kaluar në statusin e Parkut Rajonal Natyror. Në këtë mënyrë do të rritet garancia për mos shkatërrimin e pasurive natyrore.

“Duke filluar që nga dita e nesërme, Bashkia e Tiranës do të organizohet për të bërë një inventarizim të detajuar të çdo bime, të çdo peme , të çdo shkurre dekorative në Parkun e  Liqenit Artificial dhe kjo pas dy tre ditësh do të shoqërohet edhe me kalimin e statusit të Parkut Natyror Rajonal për Liqenin që do të jetë garancia dhe mbrojtja ligjore që do i jepet këtij fondi të vyer të kryeqytetit”- përfundoi deklaratën e tij Panariti.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama