Kur pak ditë më parë kreu i opozitësh shqiptare, në një tryezë të rrumbullakët të zhvilluar me sipërmarrjen shqiptare tha se, ishte i befasuar nga niveli i lartë profesional dhe argumentimi praktik i dukurive që shqetësonin një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare, atë të konfeksioneve dhe të veshjeve, (pas një takimi të zhvilluar për rreth dy orë me Bordin Drejtues të Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve), kjo nuk kaloi pa u vënë re. Arsyeja ishte e thjeshtë: kryetari kishte shkuar në takimin me fasonistët, mbi bazën e disa shënimeve që i ishin servirur nga këshilltarët e bashkëpunëtorët e tij. Por ai mësoi shumë më tepër, madje u “hoqi kryq” disa prej shënimeve të tij. Dhe u detyrua ta përmendte këtë edhe në takimin që sipërshënova…
Pse e kujtova këtë episode, jo aq të rëndësishëm…
Një zyrtar i lartë i qeverisë shqiptare, pikërisht zëvendëskryeministri dhe Ministri i Ekonomisë, ka një axhendë të ngjedhur në takimet me sipërmarrjen, një axhendë që duhet përshëndetur. Duhet shkuar tek biznesi, aq më tepër kur je në qeverisje, kur mund të premtosh e ta mbash fjalën, ku të dëgjosh dhe të argumentosh apo të kundërshtosh. Këtë “ves”, në fakt e ka të zhvilluar në mënyrë të dukshme, kryeministri i vendit. Ai dëgjon dhe kundërshton apo pranon ato që kërkon biznesi, por të paktën është “me këmbë në tokë” kur flet dhe premton.
Tani kjo histori nuk është si “burrë i mirë, burrë i keq”!
Ja sepse…
Dëgjoja të premten zëvendëskryeministrin në një takim të rëndësishëm ndërkombëtar. Flitej për sektorin e regjimit të përpunimit aktiv, siç i quajmë, fasonistët. Të Shqipërisë, por edhe të Ballkanit. Të paktën kështu u tha edhe nga njoftimi zyrtar.
Po çfarë u tha në këtë takim? Në ligjëratë të drejtë ishte kjo gjë: “Industria e tekstileve dhe këpucëve është punëdhënësi më i madh në sektorin e industrisë”-Po shumë bukur, kështu është- “Shumë të rëndësishme janë edhe incentivat e tjera, incentivat fiskale, sistemi fiskal në Shqipëri”- Jo zoti zëvendëskryeministër! Nuk është tërësisht kështu! Ja shikoni “Doing Business 2013”. Ne kemi taksën e sheshtë, më të ulët në të gjithë Europën, thoni Ju,- vetëm 10 %! Po, por ne paguajmë tatim 38,7 lekë në 100 lekë që fitojmë dhe kjo është shifra më e lartë e rajonit?
“E rëndësishme për ne është edhe heqja e taksës doganore për lëndët e para të importit”(?!).
Atëhere t’i japim Çezarit atë çfarë i takon Çezarit. Rregjimi i përpunimit aktiv pra, fasoni, nuk paguan asnjë taksë doganore në doganë që nga viti kur një sistem i tillë i shërbimit me material porositësi filloi të funksionjë në Shqipëri. Zerimi i taksës doganore të importit të lëndëve ndihmëse dhe materialeve të tjera nuk i takon sektorit të fasonit, sepse të gjithë aksesorët që përdoren për të nxjerrë produktin e gatshëm janë me taksë doganore zero.
Fasonistët nuk paguajnë asnjë qindarkë në doganë! Nuk kanë paguar asnjëherë! Nuk keni se çfarë taksë doganore të hiqni për lëndët e para të importit. Ato i sjell porositësi dhe i merr përsëri në formën e produktit të gatshëm. Të vetmen gjë që bën qeveria për këtë sektor është TVSH, pra taksa mbi vlerën e shtuar, e cila mbahet në import dhe duhet të rimbursohet. Por të mos hyjmë tek kjo “kleçkë” se duhet të ngatërrojmë me të edhe Ministrinë e Financave!
Zëvendëskryeministri: “Duhet të punojmë sëbashku që qëndrueshmëria e këtij sektori, rritja e mundësisë për punësim, të bëjë të mundur realizimin e objektivave të përbashkëta dhe më kryesori, mbyllja e ciklit të prodhimit. Duhet të realizojmë së bashku me politika jo vetëm nga qeveria, por edhe nga vet organizimi i operatorëve në këtë industri të prodhimit të atyre inputeve që janë të domosdoshme që ky cikël prodhimi të mbyllet në Shqipëri, pra të prodhohen produkte “Made in Albania”.
Në fakt kjo është e bukur (fjalia nuk është se është formuluar aq bukur) dhe drejt asaj duhet të shkohet. Por është e vështirë. Ja sepse: Po e nis nga fundi, për ta thënë kryesoren në fund, si në vend të ëmbëlsirës.
Sektori i rregjimit të përpunimit aktiv, fasoni, ka punuar si sektor shërbimi, thjesht ka shitur krahun e lirë të punës. Asetet, pasuria, pronat sigurisht që nuk kanë pasur pronar këtë biznes, sepse janë shfrytëzuar (dhe shfrytëzohen) ish ndërmarrjet ekzistuese të periudhës komuniste. Pak subjekte kanë investuar dhe investojnë. Nuk ka pasuri të rregjistruara në emër të këtyre bizneseve, por vetëm pasuri në përdorim.
Këto biznese nuk mund të marrin kredi në banka se nuk kanë çfarë të kolaterojnë! Por ato marrin kredi dhe disa herë nuk kanë as mundësi t’i kthejnë, sepse këtë kredi nuk e përdorin për investim e inovacion, por thjesht si likuiditet të munguar nga kontraktorët e huaj (tani koha e pagesës për punën e kryer ka kaluar nga një mesatare 30 ditë që ishte para krizës në rreth 90-120 ditë!) të cilën e paguajnë për detyrimet korrente (paga, sigurime shoqërore e shëndetësore, tarifa e taksa vendore etj).
Të thuash “mbyllje e ciklit të prodhimit” dhe produkt “Made in Albania” në këtë kohë, është si të përmendësh litarin në shtëpinë e të mbyturit! Dhjetra e qindra fabrika e ndërmarrje sot janë në kushtet e mungesës së kontratave të reja, në kushtet e reduktimit të numrit të të punësuarëve. Dhjetra e qindra të tjerë janë duke bërë më të mirën humane të mundshme, sepse po mbajnë në punë familje të tëra, në një sakrificë që duhet vlerësuar, në fakt. Dhjetra e qindra të tjera janë mbyllur! Shkoni në Korçë, në Devoll, ne Berat, në Vlorë, në Fier, në Elbasan, në Gjirokastër, por edhe në Durrës dhe në Tiranë dhe pyesni se sa ndërmarrje janë, me sytë nga deti e nga toka, në pritje të kontraktorëve.
Po nëse as këto nuk i besoni, besoini INSTAT që tkurrjen e këtij biznesi e mat me rënien rreth 24 % krahasuar me një vit më parë. Edhe shifrat e eksportit të fasonit janë në rënie që nga fund ii 2008-ës (me përjashtimet fragmentare të 2010-ës (tremujori i fundit_ dhe të 2011 (tremujori i parë). Minus 5,1 për qind janë këtë sezon! Por nuk po flasim për 10-15 kompani që kanë kapital dhe strategji, por edhe burime njerëzore dhe kanë diversifikuar portofolet e tyre të investimeve dhe po përballojnë dukshëm krizën!
Po flasim për më shumë se 500 kompani të tjera, që punësojnë qindra mijëra njerëz, jo nga qytetet, por kryesisht nga zonat suburbane, jo me arsim të mjaftueshëm, por fare pa arsim, jo burra e djem të fortë, por 95 % gra e vajza! Këto kompani janë në vështirësi dhe që e ngrënë zërin me të drejtë! Në konfeksione apo në sektorin e këpucëve. Këta e kanë të vështirë, në këto kushte, të mendojnë për “Made in Albania”. Por këta duan dhe duhet të mbijetojnë!
T’i ndihmojmë!
Jo për t’ua bërë më të lehtë sipërmarrjen se nuk janë të aftë për të bërë, si ai grupi i vogël që përmenda më sipër. Të bëjmë atë që bëri Serbia për sektorin e fasonit. Sot firmat më të njohura dhe markat me potenciale po punojnë e investojnë në Beograd. Pse? Ishin kompani që kishin vite në vendet e “Pranverës Arabe”. Pothuajse të gjitha punojnë në Beograd. Dhe jo vetëm. Po a mund të vinin edhe në Shqipëri, e kishin rrugën më të shkurtër? Duhet t’i ndihmonim me incentivA, të realizueshme, dhe jo vetëm në letër. Ish zëvendësministri i Financave, aktualisht deputet i PD, Florjon Mima, me një këmbëngulje të vlerësuar kaloi një VKM, vite më parë,, sipas të cilit, çdo punëtor i ri, i marrë në punë në sektorin e fasonit, paguante vetëm 0.5 % të pagës bruto (nëpërmjet punëdhënësit) nga 21,6 që paguhej për punëtorët e rinj në sektorët e tjerë të ekonomisë. Një incentivë e hatashme!
Por askush nuk e pranon as dje, as sot, asnjë drejtori rajonale tatimesh nuk e pranon formularin përkatës! T’i ndihmojmë fasonistët, por jo duke u premtuar “zona të lira industriale”, as duke promovuar “brandet”, sepse ky përkufizim nuk u përket shërbyesve të rregjimit të përpunimit aktiv! Ata punojnë me “brande”, janë pjesë e kompanive ndërkombëtare, që janë marka dhe kanë produktet e tyre të certifikuara. Sot nuk ka fuqi punëtore të kualifikuar për sektorin, ka shkolla të larta që janë jashtë këtij tregu pune, nuk ka shkolla profesionale, ose ka shkolla pa laboratorë ku të ushtrohet profesioni! Bizneset po përballen me një konkurrencë të ashpër. Po ama, paga minimale në Shqipëri (edhe pse e ulët) është më e lartë se sa ajo në Bullgari ?! Etj, etj.
Embëlsira për në fund?
Duhet të prodhojmë për të shitur edhe në vend, pra për një cikël të mbyllur. Nuk po them “Made in Albania” se kjo kërkon ca standarte të tjera dhe ca kapitale më shumë. Por të paktën për të plotësuar nevojat e vendit. Ka kompani që e bëjnë këtë, me dhëmbë nëpër këmbë, po e bëjnë. Për shkok të Kinës e çmimeve të saj, etj, etj. Po shumica nuk mund ta blejnë lëndën e parë. Por edhe kur e blejnë, produkti i gatshëm del më i shtrenjtë se ai i importit (?!) A e dini pse z. Zëvendëskryeministër?
Sepse ka një vendim qeverie që autorizon një apo disa kompani (këtë duhet ta dini më mirë se unë) të cilat mund të importojnë veshje të gatshme (konfeksione dhe këpucë) nga 27 vendet e BE-së PA TAKSË DOGANORE. Ose më mirë me TAKSË DOGANORE ZERO!
Më thjesht, për ta kuptuar: Për të prodhuar një këmishë në Shqipëri dhe për ta shitur në Shqipëri (cikël i mbyllur) paguhet taksa doganore e lëndës së parë. Për të blerë një këmishë të BE-së nuk paguan asnjë taksë! Cila këmishë është më e lirë (edhe kur cilësia është e njëjtë) ? Ndryshojeni këtë gjë, që e ndërmorrët në të njëjtën ditë kur bëtë ZERO taksat doganore të importit për aksesorët e fasonit të veshjeve dhe të këpucëve dhe, mbase, disa prej bizneseve do të fillojnë të mendojnë se mund të prodhohet edhe “Made in Albania”…