Ekspertët që raportin me paralajmërimet e tyre, të mbështetura në fakte dhe prova, e kanë parashtruar në Bruksel, vënë në dukje se, muajt e fundit, po krijohet një hartë e re kriminale në Ballkan, më saktë, një infrastrukturë terroristo-kriminale e re, e cila një pjesë të interesave dhe një numër objektivash të veta i realizon përmes veprimtarive dhe operacioneve, në pamje të jashtme, legale. "Me rend të ri kriminal duhet të kuptojmë integrimin operativ dhe hierarkik të një numri elementesh të rëndësishme. Ai (rendi) ndërtohet dhe mbështetet te forca e vetë e armatosur, tek institucionet e veta financiare, te shërbimi i vet i zbulimit, te një rrjet dhe logjistikë unike kuadrosh të veta në qendrat politike vendimmarrëse", thekson Domagoj Margetiç, pjesëtar i ekipit të lartpërmendur të ekspertëve evropianë.
Mafiozët në kolltukët e partive politike!
Situata e re e krijuar u përcaktua nga pjesëtarët e ekipit të lartpërmendur pas një analize dhe shqyrtimi të detajuar që ata u bënë veprimtarive të kohëve të fundit të mafies ballkanike, që i paraqitën në raportin përkatës të përgatitur prej tyre. Sipas ekspertëve, institucionet financiare në Ballkan, gjatë 20 viteve të fundit, kanë qenë aleati kryesor i kriminalitetit të organizuar. Klanet kriminale në Malin e Zi, Kroaci, Maqedoni, Bosnjë e Hercegovinë, Serbi, Kosovë dhe Shqipëri, si dhe partnerët e tyre jashtë kufijve, paratë e fituara, si rezultat i veprimtarive kriminale, kanë arritur t\'i legalizojnë përmes operacioneve financiare me ndërmjetësinë e bankave të ndryshme në Ballkan, por edhe më gjerësisht, në Evropë. Deri te konkluzione të tilla kanë arritur edhe ekspertët britanikë, të cilët morën pjesë në konferencën ndërkombëtare "Politika e kundërvënies ndaj krimit të organizuar", të zhvilluar në Beograd.
Ish-shefi i Skotland Jardit (policia britanike) Xhon Slejter (John Slater) paralajmëroi në këtë konferencë se krimi i organizuar në Ballkan po zhvillohet me një intensitet të tillë saqë grupet kriminale, krahas bizneseve jolegale, kanë edhe biznese legale. Këto grupe, duke pasur në dispozicion mjete të tilla financiare, sidomos, ato, në pamje të parë, legale, arrijnë të korruptojnë politikanë dhe policë që të arrijnë deri tek informacionet e nevojshme për ta. "Elementët kriminalë me peshë dhe influencë më të madhe kanë, madje, edhe partitë e veta politike, megjithëse njerëzit në këto parti nuk arrijnë ta dallojnë këtë", thotë ishnr. 1 i Skotland Jardit, që, sikurse dihet, është një prej policive më profesioniste evropiane. Sipas tij, veprimtaria primare e mafies ballkanike është kontrabanda e heroinës dhe transportimi i emigrantëve, e pasuar nga kontrabanda e kokainës dhe "larja" e parave. Kontrabanda e cigareve dhe tregtia e "mishit të bardhë" është një veprimtari sekondare e grupeve kriminale dhe kjo e fundit, në shumicën e rasteve, është një veprimtari që shoqëron kontrabandën e heroinës dhe shitjen e makinave të vjedhura. "Për realizimin e sigurt dhe të papenguar të këtyre aktiviteteve, mafia ka ngritur një sistem të kontrollit të aparatit shtetëror, ekonomisë, politikës dhe të organeve të ndryshme të medias në shtetet ballkanike", theksoi z. Slejter.
Krijimi i aleancave kriminale të reja jashtëballkanike
Polica e Bashkimit Evropian, Europol, konsideron se veprimtaria e grupeve kriminale në Ballkan është intensifikuar, sidomos, për shkak të rritjes së prodhimit të heroinës në Azi dhe të kokainës në Amerikën Jugore. Në të njëjtën kohë, duke ndjekur rregullat tregtare të lojës, janë rritur edhe ofertat dhe kërkesat për këto lloj drogash në Evropën Perëndimore, kështu që e ashtuquajtura "Rruga ballkanike e kontrabandës së drogës" është hiperaktivizuar. Kjo rrugë ka dy drejtime. Një drejtim vjen nga Turqia, përmes Bullgarisë dhe Rumanisë, kurse tjetri - nga Bullgaria të çon drejt Maqedonisë, Serbisë, Kosovës dhe Kroacisë. Kontrabanda përmes kësaj rruge, krahas me makina dhe kamionë, zhvillohet edhe me aeroplanë, pasagjerë, ndërkohë që janë konstatuar edhe raste, kur droga dërgohet edhe me dërgesa postare!
Në Europol thonë se përmes rrugës që përdoret, më së shumti, për kontrabandën e heroinës nga Afganistani, vitet e fundit, është transportuar intensivisht edhe kokaina, e cila, fillimisht, është sjellë nga Amerika Jugore dhe, përmes porteve të Afrikës Perëndimore, ka mbërritur në Portugali dhe Spanjë. Grupe të mafies shqiptare dhe tetë klane kriminale në Malin e Zi janë marrë vesh, tashmë, me narko-dilerët në Kolumbi, Bolivi dhe Peru dhe, kështu, droga me anije transportohet për në portet e Barit në Malin e Zi, si dhe në porte të Kroacisë dhe Shqipërisë ose edhe në Itali. Ekspertët policorë të Europolit kanë mendimin se rruga ballkanike e kontrabandës së drogës, që shfrytëzohet edhe për tregtinë e armëve dhe të emigrantëve, lidh të gjitha grupet transnacionale të krimit të organizuar në Evropë, madje edhe përtej saj.
Kjo, në praktikë, do të thotë se të gjithë grupet kriminale që nuk janë nga Ballkani, por duan ta përdorin këtë rrugë, duhet të merren vesh me kolegët e tyre ballkanikë. Situata e re e krijuar i shkon për shtat mafies ballkanike, e cila, në kushtet e reja, realizon fitime të dyfishta, së pari, falë rritjes së intensitetit të prurjeve të drogës nga Lindja e Mesme, dhe, së dyti, falë mundësive që ofron krijimi i aleancave kriminale të reja, përmes të cilave mund të akaparohen tregje të reja, si dhe të sigurohet aksesi te veprimtari kriminale të reja. Për shkak të rritjes së fitimeve, grupet kriminale në Ballkan po bashkohen, pavarësisht nga përkatësia etnike dhe nacionale dhe kjo gjë i bën këto grupe edhe më të rrezikshme, për të mos thënë jashtëzakonisht të rrezikshme.