Magjia e perkthimit te nje matrice poetike

Magjia e perkthimit te nje matrice poetike

Refleksione për librin " Striptizë poetike në Washington D.C. " të Moikom Zeqos, botim i Aparkeas – Abraxas Tiranë 2014

Një libër, një antologji e poeteve modernë amerikanë, një përkthim i përsosur  i 73 poetëve  të përzgjedhur nga poeti Moikom Zeqo. Përkthime të poezisë anglosaksone e veçanërisht të asaj amerikano-veriore. Të përkthesh një poezi të poetit të huaj do të thotë të përkthesh vetë poetin. Atëhere përkthimi nuk është më një përkthim. Është diçka tjetër që vetë Moikomi e quan "Striptizë poetike"  e që mund të thuhet dhe "Striptizë Shpirti". "Këta poetë janë brenda meje. Ose unë isha brenda tyre" – kështu shprehet Moikom Zeqo për këtë libër që është me tepër se antologjik. Kur e pyetën një njeri të ditur se ç'është poezia, ai u përgjigj:- Eshtë një mister i pashprehur. Po përkthimi i poezisë ? - do shtoja unë. Përgjigjen e gjej pikërisht në këtë libër ku janë përkthyer poetët më të mirë të Amerikës.
 
***

Letërsia anglosaksone ka ardhur relativisht vonë ne Shqipëri. Fan Noli e hapi portën e saj me Shekspirin dhe me Longfelloun. Pastaj erdhën " Fijet e barit" të Ëalt Ëitman- it  nga Skënder Luarasi dhe "Parajsa e humbur" e Xhon Miltonit përkthyer nga Alqi Kristo. Por poezia moderne kishte boshllek në vazhdimësi deri kur Gentian Çoçoli botoi të përkthyer kolanën komplete me dhjetë poetë amerikanë. Një plotësim  boshllëku i ndjeshëm jo vetëm për poetët dhe studjuesit shqiptarë.

 

***
 

Moikom Zeqo e filloi këtë punë madhore që në vitin 1996, në Ëashington D.C. , ku " ethet " e para u shprehën të botuara në librin e tij "Shtatë ditë të zbulimit të Amerikës" dhe me vonë në librin " Çfarë i thotë nata varkës se zbrazët" të poetit bashkohës amerikan Ëayne Miller. Ndërsa në librin e parë i dha një dritë inteligjente poetëve të "Beat generation", shoqëruar me rrezatimin profetik të Ëalt Ëitmanit, në librin e dytë Moikomi na fut në botën e poezisë urbane të ditëve tona në Amerikë.
  

Po këto nuk mjaftonin për zhveshjen e plotë të shpirtit poetik të  tij prandaj solli këtë vepër të papërsëritshme duke u futur në rrymat përçuese të  ideve të poezisë së Botës së re moderne.
  

Një rrugë e gjatë përkthimi, një aventurë elegante në tokat e pazbuluara poetike. Por rrugëtimi i gjatë nuk është e vetmja vështirësi. Poezia moderne amerikane përveç përzgjedhjes së autorëve ngërthen në vetvete mistere të reja , mistere ndryshe nga ato te poezisë eurocentriste. Umberto Eko thotë: " Përkthimi është një nga gjërat më të vështira por që e bën të njohur letërsinë në botë". Moikom Zeqo është shumë kërkues në këtë  fluks vështirësisë, fluks që tani, me këtë libër të poezisë amerikane është kthyer në një përmendore kuptimplotë.

***

Le të kthehem në boshllëkun që ekzistoi në Shqipëri , mungesën dhe largësinë e poezisë anglo - saksone në Shqipëri. Përse ky fenomen ?- Në Shqipëri u krijua matrica e eurocentrizmit, ngadalë por e plotesuar.- Poezia  e poetëve amerikanë nuk mund të perkthehet nga  mjeshtrit e mediokritetit. Dhe me të vërtetë Ezra Pound, një nga poetet  e mirë  amerikanë që guxoi ndermjet të tjerash të përkthejë poetët e mëdhej të Kinës e  të  Japonisë thotë fare thjeshtë:" Poetët e mëdhenj, përkthehen vetëm nga poetë të mëdhenj"...
  

I ndodhur në dhomën e mistereve të poezisë amerikane të kohës sonë, Moikom Zeqo ka ditur të orientohet me shqisën “e shtatë”, duke hedhur tej format konvencionale të studimit të poezisë. Antologjija me përkthime të poetëve moderne amerikanë " Striptizë poetike në Ëashington D.C. ",  nën ankthin e së vërtetës jepet me shumë perparesi të cilat po i paraqes të radhitura më poshtë: Eshtë një komplet i gjere poetik me 73 poetë që nga Ëitmani.


- Janë poezi që janë përkthyer vetëm nga Moikomi, çka përbën një veçanti madhore në botën  e përkthimeve.
- Eshtë përdorur teknika e kuptueshmërisë së vargjeve me formën e vargjeve te paraqitura në prozë. Kjo është forma e jashtme por që i jep krahë brendësisë për të kapur idenë në mënyrën më të plotë që poeti kërkon të shprehë.
- Ka sensin e estetikës në përkthim, gjë që në shumë përkthyes mungon. Ne se kjo estetikë nuk ekziston, atëhere një poet i madh i huaj duket tepër i rëndomtë.

***
 

Po të shohim historikisht një nga faktorët e mësipërm, pikërisht  përdorimin e  teknikës  të paraqitjes së poezisë në formë proze, gjejmë si paraardhës Faik Konicën që përktheu disa poetë të mëdhenj.Natyrisht që realizimi me art i kësaj eksperience nga ana e Moikom Zeqos, bazohet në përsosje të vazhdueshme të një pune të madhe edhe si poet origjinal. Ndryshe nuk do të gjendej kjo përshtatje kaq natyrale e përkthimit të poeteve moderne amerikane.Moikom Zeqo sjell poetë të tillë të njohur në gjuhën shqipe si William Blake, Walt Whitman, William Butler Yeats, Thomas Eliot, Ezra Pound, Ëallas Stevens, Silvia Plath, Gregory Corso, etj. Ai ka ditur të përzgjedhë poetët midis  detit të madh të poetëve amerikanë, ata poetë që   na afrohen me shumë si mesdhetarë por edhe si temperament prej shqiptari. Nga është nisur Moikomi ka bërë këtë përzgjedhje? Në radhë të parë ka qëmtuar vetëm pak poetë dhe në radhë të dytë nga krijimtaria e çdo poeti ka marrë vetëm pak poezi. Qindra vëllime qarkullojnë nëpër botën amerikane me poezi të këtyre poetëve por  në antologjinë delikate të Moikom Zeqos “ Striptizë poetike në Ëashington D.C.”,  do të gjejmë botën e shkuar të mpleksur me të tanishmen konkrete dhe me të ardhmen abstrakte.  Për shembull poeti Charles Simiç në poezinë “ Njeriu i padukshëm”duket sikur e përgjum të tanishmen dëftore dhe e trondit nga e ardhmja e foljeve qiellore....
 
***

Në këtë antologji lexuesi shqiptar do të gjejë kënaqësinë e intersektimit të botës së sotme amerikane me botët e lashtësisë europiane, me Biblën dhe me Odiseun, me Roterdamin dhe më Afërditën e Luvrit. Poeti nobelist Derek Ëalcot sjell në poezinë e tij “Odiseu”  një Odise tjetër , tepër të dëshiruar, por të kohëve tona. Metafora është e qartë.
  

Moikomi realizon kështu një tablo të munguar në Shqipëri, atë të pasqyrimit të poetëve amerikanë të Botës së Vjetër. Pikërisht  këto rikthime të poetëve modernë amerikanë në botën europiane të rrugëve romake, Pompeit, Francisco Goja-s, Paulo Uccelon, Jeruzalemit, Bizantit, Dantes e Karontit, etj  e bëjnë antologjinë që po analizoj me vlera të jashtëzakonshme. Në këtë prurje poetike mund të gjejmë përgjigjen në teorinë e “ kujtesës së drurit”. Kujtesa e drurit nuk është thjeshtë teknika e kthimit të pemës në letër tipografike, është shumë më tepër. Është kujtesa e kohës, kujtesa e pemëve jetë gjata që ruajnë në lëngun e tyre ngjarjet e jetës....
   

Gati gjysma e poetëve në këtë antologji i janë kushtuar Europës.
 
***


Një vend të posaçëm zë në këtë libër edhe poeti i sotëm Ëayne Miller. Përkthyes i poezive të Moikom Zeqos nga shqipja, ky poet është konsideruar një e ardhme e poezisë amerikane. Përkthimet e para të poezisë së tij u bënë nga Moikomi në vitin 2010 dhe tani e kemi përsëri në grup me poetët e tjerë modern amerikanë.  Poezia e tij është një skaner i jetës së qytetit amerikan të sotëm, ku lëvizja në dukje turbulente qetësohet nëpërmjet tre personazheve fëmijë: Justinës, Klarensit dhe Andit. Udhëtimet e tyre imagjinare nën figuracionin poetik  tejet modern të Millerit të kujtojnë “Lizën në Botën e çudirave”.Një skenë e çuditshme paraqitet në poezinë “Festival rruge” , poezi e cila është xhirimi i kamerës lëvizëse nëpër rrugët e qytetit: ‘Ku kulmet e palmave janë elektrizuar në flokë-/Ku fishekzjarret bëhen hi nga terri-/ ku dritaret janë copëza muzgu mbi rrugë-/ ku tingulli I dritës i jep zhurma lumit-.” Ëayne Milleri vjen i plotë në këtë libër striptize të poezisë. Duhet ta lexosh që të ndjesh frymëmarrjen e shpirtit të poetit, e bashkë me të do ndjesh dhe tingujt e rrugës, ditën dhe natë, do ndjesh lëvizjen kaotike të njerëzve në trotuaret e Nju Jorkut e në fund do të kuptosh se vetëm kaos nuk ka. Rregullsi jete, po!

***


Libri me poezi amerikane “Striptizë poetike në Ëashington D.C. “ mund të jetë dhe një tekst i mirëfilltë shkolle, që nga arsimi i mesëm  e deri te pasuniversitar. Dhe kjo nuk është thjeshtë një dëshirë, dhe as një propozim. Eshtë një domosdoshmëri për të thyer ato korraca të ngurtësuara të teksteve të letërsisë ku vetëm frymëmarrje shpërthyese të poezisë hapësinore s’ ka.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama