Razip Mahmutaj, i akuzuar si kryesuesi i grupit kriminal që qëlloi më armë ndaj policisë dhe grupit të xhirimit të televizionit A1 REPORT mohoi dje se ishte i implikuar në këto ngjarje. Në një lidhje telefonike, Mahmutaj tha se nuk ka lidhje me këtë ngjarje dhe se në momentin e përplasjeve me armë ka qëne duke kullotur bagëtinë. “Ju betohem për kokë të familjes që nuk di fare në lidhje me këtë ngjarje. Di vetëm që më kanë akuzuar mua sikur kam krijuar një grup kriminal, por janë të gjitha mashtrime. Nuk kam qëlluar asnjë, kam qenë në punën time me bagëti. Tani jam në një fshat dhe nuk kam lidhje me këtë ngjarje. Për trafikantët nuk e di, por unë nuk kam përdorur kurrë armë dhe nuk kam fare armë. Unë nuk jam dorëzuar sepse nuk më ka ardhur asnjë thirrje. Unë kam qenë me bagëtinë dhe kanë ardhur fëmijët që më kanë vënë në dijeni për këtë, por do të shkoj të sqarohem në polici”. Ai thotë se përpara se të përfitonte nga aministia është mbajtur në qeli pa të drejtë dhe falenderon ish-presidentin Moisiu, i cili ka firmosur dhe dekretin e aministisë në vitin 2006.
I shumëkërkuari Razip Mahmutaj, datëlindja 1968, lindur dhe banues në Lazarat të Gjirokastrës, është autor i plagosjes me armë zjarri të një punonjësi policie në datën 17. 05. 2000 në rrugën nacionale Gjirokastër-Kakavijë, në vendin e quajtur kthesa e Lazaratit. Ky shtetas ka qëlluar më armë zjarri tip kallashnikov në drejtim të automjetit të grupit të gatshëm të policisë, të cilët patrullonin aksin e sipër përmendur. Për këtë prokuroria ka kërkuar 28 vite burg, gjykata ka vendosur 23 vite e ndërsa ka bërë vetëm 1 muaj burg. 20 gusht të vitit 2004 Razip Mahmutaj hap breshëri mitolozi ndaj helikopterit të Interforcës Italiane që monitoronte me pajisje të specializuara, filmime dhe fotografime apo skanime të territorit të Lazaratit për drogë. Breshëritë e një mitralozi për pak se nuk e rrëzuan helikopterin me ekuipazh italian dhe specialistë shqiptarë të Antidrogës. Mjeti fluturues u shpua në tre vende, po për fat të mirë pa të lënduar. Kurse nga të shtënat e vetë banorëve u plagos në këmbë edhe një grua e fshatit prej plumbi qorr. Një muaj pas incidentit, më 27 shtator 2004, dy skuadra speciale të RENEA-s, në sekret të plotë dhe operacion spektakolar, depërtuan në fshat me sukses të plotë. Lokalizuan në një prej lokaleve të dyshuarin Razip Mahmutaj, një i dënuar në mungesë me 22 vite burg nga Apeli për vrasje, por edhe i identifikuar si njeriu që për pak sa nuk rrëzoi helikopterin italian me plumba.
Arrestimi
Razip Mahmutaj ndodhej në një nga lokalet në qendër të fshatit Lazarat. Në bazë të planit të hartuar është kryer ndërhyrja në katin e dytë të lokalit të shtetasit Drini Aliko. Në momentin që forcat e policisë hynë në lokal, duke bërë thirrje ”Kontroll, policia”, personat që ndodheshin aty kanë reaguar duke qëlluar me armë zjarri. Brenda pak çastesh edhe persona të tjerë nga jashtë lokalit filluan të qëllojnë në drejtim të policisë. Në këto kushte, duke vlerësuar situatën mjaft kritike të krijuar forcat “RENEA” janë detyruar t’u përgjigjen me armë sulmeve ndaj tyre, veçanërisht sulmeve të personave që ndodheshin në lokal. Në një situatë shumë të vështirë dhe me një rrezikshmëri të lartë, forcat speciale “Renea” me një profesionalizëm e shkallë të lartë efikasiteti, kanë arritur të neutralizojnë dhe të kapin shtetasin shumë të kërkuar Razip Mahmuti, i njohur me nofkën "Gate", i cili ishte njëri prej atyre që po qëllonin me armë ndaj policisë. Personat e tjerë të ndodhur në lokal, të cilët nuk kanë qenë objekt i ndërhyrjes së forcave “Renea”, kanë mundur të largohen nga lokali të ndihmuar dhe nga disa persona të tjerë të fshatit, të cilët kanë qëlluar në drejtim të forcave të policisë, menjëherë sapo ata kanë nisur ndërhyrjen.
Personat, të cilët kanë qenë në lokal dhe që kanë qëlluar në drejtim të policisë, janë identifikuar si shtetasit: Razip Mahmuti, Drini Aliko, Ali Rabi, Abaz Rabi, Altin Bejko, Kastriot Basha, Lorenc Basha, Sabri Shurdhi si dhe disa persona të tjerë, të cilët nuk janë arritur të identifikohen. Nga shkëmbimi i zjarrit gjatë largimit të këtyre personave, ka mbetur i plagosur shtetasi Altin Bejko. Policia e Shtetit ka realizuar në datë 27.10.2004, rreth orës 21.15, një operacion të suksesshëm për kapjen e personave të dyshuar si autorë të goditjes me armë zjarri të helikopterit të misionit Interforcë, në 18.08.2004 në fshatin Lazarat të rrethit të Gjirokastrës. Në bazë të Ligjit Nr.8292, datë 25.02.1998, “Për Forcat Speciale” dhe Ligjit Nr. 8751, datë 26.03.2001, “Për disa shtesa dhe ndryshime të ligjit nr.8292”, si dhe në zbatim të Urdhrit të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, forcat speciale “Renea” kanë kryer një operacion në fshatin Lazarat për kapjen e shtetasit Razip Mahmutaj, i dyshuari kryesor si autor i goditjes së helikopterit të misionit Interforcë në datën 18.08.2004 si dhe i dënuar nga Gjykata e Apelit me 22 vjet heqje lirie.
Lista e policisë, të akuzuarit mohojnë se janë në Lazarat
Publikimi i listës së personave që qëlluan mbi policinë në Lazarat, duket se ka pasur disa pasaktësi, të paktën kjo është pretenduar nga disa persona që janë në këtë listë. Disa persona thanë se nuk ndodheshin në vatrën më të nxehtë të Shqipërisë. Në listën me 26 persona të publikuar nga policia e shtetit është edhe emri i Kostandin Xhuvanit, djali i aktores së njohur dhe deputetes së partsië socialiste Luiza Xhuvani. Kostandini pretendon se nuk ka lidhje më këtë ngjarje dhe se ka qënë gjatë gjithë kohës në shtëpi me familjen e tij. “Nuk kam lidhje, mos më përmendni”-tha ai për “Ora Neës”. Tre prej të akuzuarve të tjerë si pjesë e grupit prej 28 personash që kanë qëlluar mbi policinë nën Lazarat mohojnë të kenë lidhje me ngjarjen. Në lidhje telefonike, Sokol Skëndi, Ali Basha dhe Shkëlqim Krishti te indinjuar thanë se nuk ka lidhje me ngjarjen për të cilën akuzohen. Skëndi deklaroi se ka 7 vite që është shpërngulur nga Lazarati dhe banon në zonën industriale në hyrje të Gjirokastrës, 50 metra nga postoblloku i policisë.
Skëndi tha se ndodhet në shtëpinë e tij dhe për të vërtetuar këtë ai shprehu gadishmërinë për të pritur një grup xhirimi. Të njëjtën gjë deklaroi edhe Shkëlqim Krishti, pjesë e listës së Ministrisë së Brendëshme. Ai tha se ka qenë tek vëllai i tij në momentin e ngjarjes dhe se nuk ka qëlluar mbi policinë. Krishti pranoi se është në një proces gjyqësor për lëndë narkotike, por kjo sipas tij nuk mund ta implikojë në sulmin mbi policinë. Nga ana tjetër Ali Basha, i liruar nga burgu vetëm një muaj më parë për grabitje, tha se nuk ka dalë nga shtëpia e tij që prej orës 12:00 të ditës së djeshme. Ai kërkoi nga organet kompetente të bëhet drejtësi. Pas dëshmive të dhëna nga tre prej të akuzuarve nga policia për sulmin me armë në Lazarat, Policia e Shtetit fton të gjithë ata persona, të cilët pretendojnë që nuk kanë qënë të pranishëm në sulmin me armë ndaj strukturave të Policisë së Shtetit, të paraqiten në Komisariatin më të afërt në vendet ku ato ndodhen. Përmes një komunikate për mediat, Policia e Shtetit thekson se në të gjithë veprimet e saj ka qenë në krah të banorëve të Lazaratit, duke i ndarë ata nga pjesa e inkriminuar. “Strukturat e Policisë do të vijojnë veprimet për përmbushjen e objektivave të vendosur në mbrojtje dhe të banorëve të Lazaratit nga personat e inkriminuar”.
Trafikantët dhunojnë gazetarët, djegin makinën e “A1Report”
Situata e tensionuar në Lazarat ka prekur edhe grupin e xhirimit të A1 Report, të cilët janë qëlluar me breshëri automatiku nga trafikantë të maskuar dhe të armatosur rëndë. Grupi i xhirimit dhe gazetarët e A1 Report kanë braktisur makinën, dhe janë të gjithë mirë. Ndërkohë personat përgjegjës për sulmin kanë shkatërruar dhe i kanë vënë flakën makinës së A1 Report dhe gjithë pajisjet teknike.
Grupi i televizionit të A1 Report është nxjerrë nga makina dhe është mbajtur peng për rreth 15 minuta nga trafikantët të cilët kanë qenë të maskuar. Sipas gazetarit të A1 Report Gerti Xhaja, i cili raportoi pas sulmit, siguroi se të gjithë janë mirë ndërsa shtoi se persona të maskuar kanë qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të tyre edhe pse makina ishte me logon e medias së A1 Report. Ndërkohë grupi i televizionit të A1 Report më pas është marrë nën mbrojtjen e policisë dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ndërkaq gazetarja e Top-Channel Kristina Fidhi, dëshmitare në vendngjarje sqaroi se grupi i televizionit A1 Report u sulmua nga 20 kriminelë të armatosur dhe se ndërhyrja e një prej banorëve të zonës i shpëtoi.