Sa më shumë që po i afrohemi datës “fatale” 21 dhjetor 2012, ekspertët për kalendarin e Majave gjithnjë e më shumë po përpiqen të bindin njerëzit se majat nuk e kanë parashikuar apokalipsin në fund të këtij viti. Arkeologët, antropologët dhe shkencëtarët tjerë u takuan në qytetin Merida, në Meksikë, për të biseduar për implikacionet e kalendarit të majave, i cili përbëhet nga 13 periudha prej rreth 394 viteve, të te ashtuquajturave baktuna. Ekspertët vlerësojnë se numërimi i viteve ka filluar nga viti 3114 para epokës tonë, ndërsa 13 baktunët, respektivisht 5125 vitet pritet të përfundojnë më 21 dhjetor të këtij viti. Gjithashtu, ata janë të mendimit se numri 13 ka pasur një rëndësi të veçantë në kulturën e majave, prandaj në këtë rast paraqet një kthesë, por jo edhe fundin. Arkeologu meksikan që punon në Institutin Kombëtar për Antropologji dhe Histori të Meksikës, Alfredo Barera, theksoi se është e vërtetë se majat kanë parashikuar disa dukuri, si për shembull thatësira apo epidemi të ndryshme. “Majat kanë pasur parashikime, por jo në kuptimin fatalist, por në kuptimin e ngjarjeve të cilat në konceptin ciklik historik mund të përsëriten edhe në të ardhmen”, tha Barera.
Ekspertët gjithashtu theksuan se majat, të njohur për kulturën e shkrimit, astronomisë dhe tempujve kompleks, një prej popujve më të zhvilluar në mesin e popujve indianë, klutura e të cilëve ka lulëzuar ndërmjet viteve 300 dhe 900 të epokës së re, kanë qenë tejet të interesuar për ardhmërinë dhe ngjarjet në të ardhmen dhe atë interesim, i cili shkon shumë përtej 21 dhjetorit të vitit 2012. “Ka shumë përmendore të vjetra të majave, të cilat flasin për ngjarjet në të ardhmen e largët”, tha Jefrey Bresvel, antropolog në Universitetin e Kalifornisë në San Diego. “Majat me gjasë kanë besuar se gjërat mund të parashikohen. Si për shembull, pushtetari majas i qytetit Palenquea, K'inich Hanaab Pakal, ka besuar se pas disa mijëra viteve do të kthehet në tokë dhe të qeverisë sërish.
Në anën tjetër, disa përmendore dëshmojnë për gjërat, të cilat kanë ndodhur para vitit 3114 para epokës tonë”, deklaroi Bresvel për agjencinë amerikane të lajmeve, Associated Press. Vetëm disa referenca rreth datës kontestuese 21 dhjetor 2012 janë gjetur të skalitura në përmendoret në vendet, në të cilat kanë qeverisur majat dhe asnjëra nga ato nuk i referohet dhe nuk ka të bëjë me apokalipsin. Këto vizione në të vërtetë në Perëndim janë të pranishme në 1 mijë vitet e fundit dhe ndërlidhen me mënyrën e krishtere të të menduarit dhe nuk janë fare pjesë e kulturës së majave. “Është kjo një mënyrë e të menduarit, e cila nuk ka fare lidhje me kulturën e majave. Apokalipsi dhe fundi i botës nuk janë fare në kulturën e tyre”, tha Alexander Vos, antropolog nga Universiteti Univerzizeza Quintana Roo në Meksikë. Bresvel kalendarin e majave dhe sistemin e tij qarkor e ka krahasuar me matësit e kilometrazhit.
“Sistemi kalendarik i majave në të vërtetë është si numëruesi i kilometrazhit në automjet. Automobili im i parë nuk ka pasur nevojë që të numërojë më shumë se 160 mijë kilometra, por kjo nuk do të thotë se unë i kam kaluar ato dhe se automjeti duhet të shpërthejë”, shpjegoi Bresvel, duke aluduar në apokalipsin dhe përfundimin e kalendarit të majave.