Makabritet burreror

Makabritet 'burreror'

A janë burra këta? A janë trima? A janë namusqarë? Çfarëdo epiteti që i kanë vënë vetes nuk janë. Nuk janë as burra, as trima, e as namusqarë. Janë thjesht burracakë. Kanë vrarë nënat e fëmijëve të tyre. Kushdo qoftë faji, i atyre fatzezave, apo i jetës së rëndë, reagimi i tyre është në kufijtë e kafshërisë.

Në kufij, sepse asnjë kafshë nuk e vret nënën e fëmijës së tij. Asnjë. Eshtë një javë e një muaj tmerri për Shqipërinë. Shqiptarët, burrat shqiptarë, është pak të thuash kanë shkarë. U janë sulur grave që kanë në shtëpi për të nxjerrë dufet e rrugës e të lokalit, dufet e paaftësive të tyre në çdo shkallë, për të shprazur mbi to ah-et e uh-et e përditshme.

Ku e hedhin nga dritarja, ku e gjuajnë me dru pas koke, ku e vrasin në mes të rrugës me thikë, e ku e qëllojnë gruan me automatik. Kjo s’është ego mashkullore. Nuk është as “dënim nderi” afganistanas. Eshtë një kurvllëk i burrave shqiptarë. Problemet nuk i zgjidh arma e as vdekja. Nuk i zgjidh as vrasja e shoqëruar me vetvrasje.

Kush do t’ua rrisë fëmijët, me nënën në varr e babën në burg të përbuzur nga të gjithë? Kush do t’i përkrahë në aktin e tyre? Kush do t’u thotë “bravo”? Çfarë janë këta lloj burrash. Nga dalin këta. Çfarë mitre i ka prodhuar? A nuk i ka lindur një nënë. A nuk kanë një motër. A nuk kanë një bijë. A ua vrau baba, nënën e tyre. A do u dhimbet motra nëse ua vret kunati. A do qajnë për vajzën nëse ua shpërfytyron dhëndëri.

E përditshmja po bëhet e frikshme. Titrat e ekraneve, çdo moment mund të mbushen me “lajmin e orës së fundit”, burri vret gruan. Duket se në ajër është përhapur një virus mbarëshoqëror, i cili godet pa mëshirë kudo, në fshat e qytet, në të paarsimuar e në ata me shkollë. Çmund të bëjë policia? Asgjë. Kot i hidhen policisë në grykë. Policia nuk mund të ruajë çdo familje shqiptare.

Nga një polic për çdo çift, do ishte një shkak më shumë për “dyshime”. Çmund të bëjë shoqëria? A nuk janë edhe këta pjesë e shoqërisë? A nuk i kanë takuar përditë? A nuk kanë biseduar me ta përditë? A mund të gjendet shkaktarët e kësaj që po ndodh? Apo ato nisin që në bankat e shkollës, vijojnë në emigrimet, ecin në martesat me të njohur e mblesëri, mbushen me ekonominë e rrënuar, e përfundojnë në varreza.

Këto nuk janë arsye. Janë justifikime. E pavarësisht se janë justifikime nuk është gruaja fajtori. Por ata që nuk përballen dot me botën e egër, gjejnë më të thjeshtën, përballen me botën e butë brenda shtëpisë, me atë që nuk ka forcë të kundërshtojë, e madje edhe e mbron. Sepse ky është problemi tjetër.

Gratë që mbrojnë dhunuesit e tyre. Sepse i tremben “turpit”, por i tremben edhe jetës pa shtyllën kaq vjeçare. E përfundojnë në faqet e gazetave. Dobësi. Kjo është dobësi e familjes. Ne shqiptarët kërkojmë shtet, kur ende nuk kemi familje. Ky është një makabritet që duhet të marrë fund. Ka gjyqe.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama