Makina e Nexhmije Hoxhes dhe Myslym Pezes ne Durres

Makina e Nexhmije Hoxhës dhe Myslym Pezës në Durrës
Delegacioneve gjatë periudhës së socializmit, në koleksionin e koleksionistit durrsak të makinave ndodhen edhe vetura e përdorur nga “Babë Myslymi” si dhe “Benzi” limuzinë i ish-ministrit të Brendshëm dhe anëtarit të Byrosë Politike, Hekuran Isaj. Koleksioni i makinave përbëhet që nga makinat ruse “Pobjeda”, prodhim i fillimit të viteve ’50 të shekullit të kaluar, duke vijuar me 2 “Varshava” prodhim polak i vitit 1953, me makinat luksoze jashtë serie të “Volvo”-ve suedeze si dhe me një “Benx” limuzinë, prodhim i firmës më 1970. Në koleksionin e makinave të vjetra ndodhet edhe një “Pobjeda” për të hilen ka shfaqur dëshirë që ta blinte i ndjeri Tan Hoxha, pronari i “Top Chanel”, por që nuk donte ta shiste pronari i saj.

MAKINA E NEXHMIJES

Makinën e dyte që përdorte Nexhmije Hoxha, koleksionisti 31-vjeçar Klodian Kapiti e mban të mbyllur brenda në garazhin e shtëpisë ku banon dhe përballë këtij garazhi mban një qen race të llojit Bulldog. Makina është e tipit “Volvo” me targë përdorimi TR 28 71 B. Pronari i ri i saj shpjegon se është makinë në gjendje shumë të mirë përdorimi. Dhe se ka bërë shumë pak kilometra pasi është ruajtur për raste të veçanta shërbimesh. Në aparaturat që ka në kabinë kilometrazhi shënon rreth 110.000 km udhëtim gjithsej, tepër pak për një makinë me rreth 40 vjet përdorim, pasi siç dihet, vetëm për t’u shtruar motori norma e tij është rreth 50. 000 km udhëtim. “Kur e kam blerë,- thotë Kapiti,- shoferët e Parkut të Delegacioneve më kanë shpjeguar se kjo ka qenë makina e dytë në dispozicion të Zonjës së Parë të asaj kohe. Makina është “Volvo” de Kuxe 164 dhe i përket vitit të prodhimit 1964. Ajo është pjesë prodhimi e një serie me numër të kufizuar makinash, vetëm 1000 copë për të gjithë botën. Nga këto 1000 copë, sipas personave që kanë shkuar t’i marrin në dorëzim, 9 kanë qenë porosi e Shtetit Shqiptar dhe personeli i shërbimit i firmës austriake “DENZEL” që kishte ekskluzivitetin e shitjes së këtyre makinave shfaqën habinë se si Shqipëria po blinte një numër të konsiderueshëm automjetesh luksoze tepër të shtrenjta. Së bashku me to, sipas kujtimeve të miqve të tij, thotë Klodi, janë blerë dhe “Benxat” e udhëheqjes së asaj kohe me kosto 300.000 dollarë për copë, ndërsa “Limuzina” e Enver Hoxhës,- thotë ai,- është blerë me një vlerë prej 2.000.000. markash gjermane. Atij i vjen keq se si objekte të tilla kanë përfunduar në muzetë e botës sot, si mjeti super i blinduar i Hoxhës, prodhim jashtë serie dhe që thotë se është shkëmbyer me një “Benz” normal 190.

Koleksionisti Kapiti në garazhin e vet ka dhe një mjet modern “Jaguar” por shton se p.sh., dera e “Volvos” ka hapje shumë më perfekte se e “Jaguarit” të ri që ka në përdorim. Dhe sikur bën një mësim tregues duke përplasur në hapje e në mbyllje, derën e mjetit që ka përdorur dikur bashkëshortja e Enver Hoxhës. Ai thotë se, makina i ka të gjitha pajisjet dhe aksesorët origjinalë, madje deri tek radiolina e kroskotit, që është edhe ajo e markës suedeze “Volvo”. Një karikim baterie dhe një furnizim me karburant të mirë dhe makina mund të udhëtojë lirshëm në çdo destinacion që mund të dëshirosh.

MAKINAT E BURRAVE TË SHTETIT

Një “Volvo” tjetër dhe një “Benz” qëndrojnë në fushën ku zhvillon një pjesë të aktivitetit Klodiani. “Volvo” ka targë TR 11 07, ndërsa makina “Benz” Limuzinë është pa targa. Pronari i ri i tyre na shpjegon se “Volvo” i përkiste dikur Myslym Pezës, ndërsa makina e lyer jo mirë me ngjyrë të bardhe, i përkiste anëtarit të Byrosë Politike të KQ të PPSH, Hekuran Isait. Ky personalitet i atyre viteve ka mbajtur për shumë kohë, deri në ndërrimin e sistemeve shoqërore në Shqiperi, postin e Ministrit të Punëve të Brendshme. Makinat janë pranë e pranë dhe duket se janë renditur sipas afërsisë së krahinave nga e kishin edhe origjinën zyrtarët e lartë të atyre motive: Njëri nga Peza, ndërsa tjetri nga Peqini, një krahinë e afërt me Pezën, ku dhe Babë Myslymi siç njihej në vonë Myslym Peza, kishte miq të shumtë. Makina e Pezës, është prodhim i njëjtë me të makinës së Nexhmijes dhe në gjendje pune mjaft të mirë. Ky mjet është blerë nga Kapiti në vitin 2004 nga Gani Peza, kushëri i afërt i Myslymit, si dhe ish-kryetar i Grupit të Sigurimit të Eskortës së tij. Ndërsa makinën e Hekuran Isajt,- thotë Kapiti,- ia kam blerë një tiranasi që e mbante prej shumë kohësh tek Rruga e Ambasadave. Edhe kjo makine është blerë në vitin 2004. Pranë tyre ndodhen një grup mjetesh të markave “Pobjeda” dhe “Varshava” të përdorura në vitet ‘50 në Parkun e Delegacioneve që ishte nën vartësinë e Këshillit të Ministrave. Pamja e tyre paraqet interes pasi ky tip automjetesh kanë qenë kryesisht të vëna në dispozicion të drejtorëve të ndërmarrjeve të rretheve në bazë, dhe paraqitnin në funksion të markave të tyre edhe rangun e nivelit të kuadrove në hierarkinë shtetërore të asaj kohe. Rangjet më të larta në vitet ‘50-‘60 kishin mjetet “Pobjeda” dhe arrinin tek “Zim”-at që i përshkruan edhe I.Kadare në mënyre aq të spikatur tek romani i tij famoz “Dimri i Vetmisë së Madhe”.

KËRKESA E BOSIT TË “ T.CH.” ARTAN HOXHA

Klodian Kapiti kujton shumë vetë që kanë tentuar të blejnë mjetet që ai i ka koleksionuar, por që kanë ndeshur në kundërshtimin e tij. Ai thotë se këto makina përfaqësojnë një pjesë të historisë së vendit tonë dhe të sistemit të tij shoqëror gjatë shekullit të kaluar. Dhe si të tilla, ai nuk dëshiron t’i shesë ato. Kështu që, ka kthyer pas dhe shumë oferta të kripura në çmimet që i janë ofruar. Po më interesante i është dukur kërkesa për blerje që i ka ofruar ish-bosi i Top Medias i ndjeri Artan Hoxha një vit e gjysëm më parë. Lidhur me ketë Klodiani thotë se Artani erdhi e më takoi, pasi i kishte vënë syrin një makine “Pobjeda”, të cilën na e tregon me dorë. Është një makinë e vjetruar e lyer me ngjyrë të errët. Pikërisht për këtë kishte kërkesë Tani. Ai po ndërtonte një lokal në katin e dytë të ndërtesës dhe mendonte t’i vinte emrin “Havana”. Duke qenë se lidhej me një vend socialist që ka me shumicë makina të vendeve të Lindjes, Tan Hoxha, sqaron Kapiti, mendonte të vinte një makinë të tillë me vinç deri në katin e II-të të lokalit. Pasi nuk pranova që t’ia shes,- thotë ai,- Tani ma kërkoi për 5 vite me qera, sa të doja unë si kërkesë. Por dhe për këtë s’rashë dakord. Se dija se do të kishte pasur një fund të hidhur dhe kur mora vesh lajmin tragjik të vdekjes së tij, më erdhi keq që s’ia dhashë.

Nga Mark Brunga : Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama