- Falë një granti japonez prej 4 milion dollarësh -
TIRANË, 14 Tetor/ATSH/.- Një grant prej 4 milion dollarësh i akorduar nga qeveria japoneze do t'i mundësojë qeverisë shqiptare të përfitojë makina mjedisore të tipit hibrid dhe me naftë të pastër.
Një marrëveshje ndihme mes qeverive të të dy vendeve parashikon furnizimin me automjete të gjeneratës së ardhshme, miqësore ndaj mjedisit, me qëllim zvogëlimin e ndotjes mjedisore dhe reduktimin e gazeve që shkaktojnë efektin serrë.
Makinat do të shfrytëzohen për përdorim publik, në përputhje me nevojat e sektorit publik për mjete transporti, ndërsa projekti do të ndikojë në përmirësimin e shërbimeve publike, optimizimin e shërbimeve mbështetëse administrative, për institucionet qeveritare, zbatimin e planeve të veprimit për rehabilitimin e zonave të dëmtuara mjedisore, etj.
Marrëveshja, e depozituar për ratifikim në Kuvend, nuk përcakton numrin e saktë të këtyre makinave, i cili do të saktësohet bashkarisht me palën japoneze, si dhe në varësi të procedurave të tenderimit, që do të zhvillohen në Japoni, në përputhje me ligjet dhe rregullat e palës japoneze.
Marrëveshja, e parashikuar të hyjë në fuqi brenda datës 27 tetor 2015, përcakton si përfitues të këtij projekti institucionet e mëposhtme: Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare, Agjencinë e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA), Agjencinë Rajonale Mjedisore dhe Inspektoratin Ndërtimor Urbanistik Kombëtar.
Makinat pritet të vijnë në Shqipëri në fillim të vitit 2016, ndërsa shpenzimet për transportin e tyre brenda vendit duhet të mbulohen nga qeveria shqiptare.
/a.s/ /a.g/