Eksperti i njohur, ish-ministri i Financave, Arben Malaj e ka vlerësuar marrëveshjen me FMN-në si një mundësi për t’i rikthyer vendit kredibilitetin përballë institucioneve financiare dhe tregjeve ndërkombëtare. Malaj thotë se jo në pak raste,“kushtet” e FMN-së kanë ndihmuar arritjen e miratimit të disa reformave të zvarritura apo reduktimin e disa politikave populiste me taksat dhe shpenzimet që ushqenin krizat
Çfarë do të thotë për ekonominë shqiptare marrëveshja e sapozbardhur trevjeçare me Fondin Monetar Ndërkombëtar?
Për kushtet dhe nivelet në të cilat po rrezikohej ekonomia jonë, marrëveshja me FMN-në ishte e domosdoshme. Ishim në një situatë kur rritja ekonomike u tkurr 0.7 % të GDP-së. Në çdo klasifikim ndërkombëtar për ambientin e biznesit, funksionimin e shtetit ligjor dhe përhapjen e korrupsionit, morëm vlerësime të përkeqësuara. Vendi humbi kredibilitetin përballë institucioneve financiare dhe tregjeve ndërkombëtare. Pasiguria u bë më e madhe. Shkaqet kryesore ishin rënia e rritjes ekonomike në nivele shumë të ulëta dhe rritja e borxhit publik në nivele kritike. Konsumatorët dhe investitorët ndikohen jo pak edhe nga pritshmëritë që ofron një vend pas rotacionit politik. Investitorët dhe tregjet e kapitaleve janë shumë sensibël ndaj risqeve në rritje, ata kërkojnë prova të qarta dhe të plota për reduktimin e tyre. Edhe në eksperiencat e shumë vendeve të tjera, kur janë ndodhur në situata kritike, marrëveshjet me institucionet financiare ndërkombëtare kanë shërbyer si një mundësi për të dhënë sinjale pozitive tek konsumatorët, investitorët dhe tregjet e kapitaleve. Në jo pak raste,“kushtet” e tyre kanë ndihmuar arritjen e miratimit të disa reformave të zvarritura apo reduktimin e disa politikave populiste me taksat dhe shpenzimet që ushqenin krizat. Me këtë marrëveshje, vendi ynë nuk duhet të konsiderojë si përfitim kryesor shumën prej 331 milionë euro; ajo që ka fituar realisht dhe që duhet ta përdorë me efektivitet maksimal është koha për të bërë reformat që mbështesin një rritje më të lartë ekonomike dhe qëndrueshmëri më të mirë të financave publike. Marrëveshja është një mundësi, por jo një garanci. Kjo vërtetohet edhe në rastet e fundit me disa vende të BE-së. Mosimplementimi i suksesshëm i reformave, mosrealizimi i objektivave dhe treguesve të saj i bënë më të vështira kushtet e shtuara.
A është e rreptë më shumë se sa i takonte Shqipërisë kjo marrëveshje?
Nuk mund të themi kështu, të gjitha vendet që kanë përjetuar kriza të ngjashme si Turqia e Bullgaria në vitet1996-1997 dhe aktualisht Greqia, Spanja, Portugalia, u janë drejtuar FMN-së, BB, BQE dhe Komisionit Europian për të ndalur përkeqësimin dhe rikthyer rritjet ekonomike, punësimin dhe stabilitetin e financave publike. Disa nga taksat dhe masat që prezantohen sot si “lista e faqes 29” e Marrëveshjes me FMN-në, në fakt janë opsione të diskutuara nëse pengohet rritja ekonomike dhe nuk ulet borxhi publik.
Marrëveshja parashikon një sërë reformash dhe masash, të cilat nëse implementohen në mënyrë profesionale, mund ta ndihmojnë një rritje ekonomike më të lartë dhe të lehtësojnë stabilitetin e financave publike, pa imponuar rritje të shpeshta të taksave apo shkurtime të konsiderueshme të shpenzimeve. Reduktimi i informalitetit, i humbjeve joteknike, reduktimi i subvencioneve të hapura apo të fshehta për energjinë dhe ujin, mbledhja më mirë e detyrimeve për furnizimin me ujë dhe drita, përmirësimi i mbledhjes së taksave, tatimeve dhe i kontributeve për pensionet, në thelbin e tyre synojnë që të zvogëlojnë gropat e zeza në ekonominë tonë ku vidhen, humbasin apo keqpërdoren miliarda lekë të taksapaguesve, të cilat duhet të shkojnë për një cilësi më të mirë të arsimit, shëndetësisë, infrastrukturës etj. Me të drejtë konkludohet se në kushtet kur vendi ynë mbledh në buxhet rreth 24-26% GDP, ka pak hapësirë për shkurtim të shpenzimeve, ndaj fokusi i qeverisë duhet të synojë të zgjerojë dhe të përmirësojë bazën e të ardhurave.
Nëse rekomandimet e FMN nuk do të shoqëroheshin me administrim fiskal, a do të kthehej në rrezik për ekonominë marrëveshja, duke krijuar në vend të rritjes një stanjacion?
Është e qartë se suksesi i reformave dhe sfidat e ekonomisë sonë janë të kushtëzuara ndjeshëm nga implementimi i suksesshëm i tyre; janë të kushtëzuara nga profesionalizmi i administratës publike, nga funksionimi i shtetit ligjor, nga reformat që përmirësojnë mirëqeverisjen e vendit. Biznesi do të rrisë investimet në ekonomi në varësi edhe nga administrimi, pikërisht nga kontakti i përditshëm. Nëse nuk arrihen parametrat e parashikuar në marrëveshje për uljen e deficitit dhe borxhit, FMN-ja, siç ka ndodhur edhe me Greqinë, Spanjën, Portugalinë, do të imponojë masa shtesë, të cilat nënkuptojnë shkurtime më të mëdha në shpenzimet sociale dhe rritje të disa taksave. FMN thekson se strategjia më e mirë për të ardhmen është suksesi i reformave që sigurojnë rritje ekonomike më të lartë, më të qëndrueshme dhe më gjithëpërfshirëse. Ajo është shumë kritike dhe imponuese, kur konstatohet se borxhi i lartë mund t’i zërë frymën ekonomisë. Në këto momente, në programet e tyre marrin prioritet masat pro stabilitetit të financave publike, të cilat në afatshkurtër mund të jenë shtrënguese.
Në vlerësimin tuaj, sa është duke iu përgjigjur qeveria rekomandimeve në marrëveshje?
Qeveria plotësoi parakushtin për marrëveshjen, miratimin e paketës fiskale. Marrëveshja është trevjeçare, e cila fillon zbatimin ligjor pas miratimit nga Parlamenti. Qeveria duhet të bëjë gjithçka që treguesit e parashikuar për vitin 2014, si rritja ekonomike, niveli i deficitit dhe borxhit, të respektohen. Një angazhim i përditshëm me reforma pro biznes, një angazhim pro rritjes ekonomike duke reduktuar pengesat dhe duke përmirësuar cilësinë e shërbimit në çdo nivel dhe hallkë të administratës publike, mund të sjellin efekte pozitive të qëndrueshme. Opozita e mbështeti rikthimin e bashkëpunimit me FMN dhe ky hap pozitiv duhet vlerësuar nga mazhoranca. Ndoshta nuk do të mbetet hapi i vetëm, opozita mund të luajë një rol të përgjegjshëm e pozitiv nëse e fokuson kontributin e saj më shumë tek opsionet profesionale, se sa te pritshmëritë populiste. Kjo e rrit si cilësinë e negociatave dhe bashkëpunimit të qeverisë me FMN dhe institucionet e tjera ndërkombëtare, ashtu edhe cilësinë dhe impaktin e reformave. Në shumë vende ky bashkëpunim ka ndodhur vetëm pasi kriza i ka goditur rëndë ato. Në rastin tonë, ai është i dobishëm kur parandalon krizat dhe mbështet prioritetet kombëtare.