Klubi i Skënderbeut ka publikuar sot një tjetër intervistë të shkurtër me një prej lojtarëve të rinj të afruar gjatë verës, Argjend Malajn. 21 vjeçari nga Vushtrria luan prej dy sezonesh në Kategorinë Superiore ku numëron 55 ndeshje zyrtare, ndërsa në vitin e kaluar mbante veshur fanellën e Tiranës. Në intervistën e tij, mesfushori ka shpjeguar se pse braktisi bardheblutë për t'iu bashkuar projektit të ri në Korçë.
Cilat janë objektivat tuaja personale dhe ku do të arrish me fanellën e Skënderbeut?
Unë dëshiroj të kthehem në një lojtar të rëndësishëm për klubin, do jap më të mirën time në fushën e lojës me shpresën që ky Skënderbe do përsëritë sukseset e vitit të shkuar.
A ndjehesh i lumtur që ke firmosur për Skënderbeun?
Normale që ndihem i lumtur, Skënderbeu po dominon futbollin shqiptar në vitet e fundit, për mua është një vlerësim i madh te jem pjesë e klubit.
Pse e le Tiranën për një kundërshtar si Skënderbeu?
Dëshiroja të bëja një hap të madh në karrierë dhe Korça ishte zgjidhja më e mirë në Shqipëri. Klubi punon me të rinjtë dhe do shpresoja që në të ardhmen ky kalim të shërbente si një trampolinë për një kampionat më të fortë.
Mendoni se ky ekip ka potencialin për të përsëritur suksesin e vitit të kaluar duke hyrë në grupet e Europa League?
Mendoj se potenciali i klubit është edhe më i madh se një vit më parë dhe shpresoj që të përsëritim ato suksese por me një ndryshim, këtë vit do kërkojmë grupet e Champions League. Këto ditë të para kam vënë re se ky klub ka një potencial të jashtëzakonshëm dhe arritjet e viteve të fundit nuk janë kurrsesi rastësi por 'fryti' i një punë të mirë nga drejtuesit.
Cili është mesazhi juaj për tifozërinë?
Dua të them që 'Ujqërit e Dëborës' kanë një meritë të madhe për këto suksese të klubit. Janë një ndër pikat më të forta të skuadrës dhe shpresoj të mos ndalen kurrë duke na mbështetur. I përshëndes të gjithë tifozët bardhekuq.