Malajn e duan ne Kukes Greca eshte gati per Tiranen

Malajn e duan në Kukës, Greca është gati për Tiranën

Argjend Malaj në "fokusin" e Kukësit. Dhe nuk bëhet fjalë për një dëshirë, pasi verilindorët kanë shkuar më larg. Kosovari është kontaktuar nga drejtues të klubit në fjalë, ku i kanë bërë me dije se e kanë në plane për sezonin e ardhshëm. Gjithçka ka mbetur e hapur, pasi tashmë pritet përgjigjja e 20-vjeçarit.

12987105_1059430200782140_1379431827929759209_nPor ky i fundit nuk ka ndër mend që të marrë asnjë hap pa folur fillimisht me Tiranën. Përpara se vendosë për të ardhmen, paraprakisht duhet që të ulet me drejtuesit kryeqytetas për të diskutuar për opsionin e rinovimit.

Për llogari të tij ka shfaqur interes edhe Flamurtari me Skënderbeun, por vetëm ditët në vazhdim mund të sjellin konkretizime rreth Malajt.

Greca

Tirana do Bedri Grecën. Lojtari ishte në planet e klubit që në merkaton e janarit, megjithatë fakti që ai ishte nën kontratë me Flamurtarin pezulloi "operacionin". Tashmë që ai mbetet i lirë në treg, bardheblutë kanë nisur bisedimet me mesfushorin 25-vjeçar. Vetë Greca për "Panorama Sport" pranon bisedimet me kryeqytetasit, megjithatë sqaron se ende nuk ka asgjë konkrete. "Të them të drejtën, oferta kam nga shumë ekipe, por Tirana është më afër. Edhe vetë dëshiroj që të luaj për kryeqytetasit", thotë shkurtimisht mesfushori për gazetën.

Fukui

Tirana kërkon që të blindojë Masato Fukuin, megjithatë negociatat prej ditësh kanë ngecur. Veç rrogës, të cilën e do gati dyfish më të lartë (nga 3 mijë euro në muaj, ai do që t'i bëhet 5 mijë euro), japonezi ka edhe kushte të tjera për rinovimin.

Dhe, në bazë të përllogaritjeve, sikundër pohojnë burime në klub për gazetën, kontrata do të ishte trefish më e lartë në aspektin financiar, krahasuar me sezonin 2015-2016.

Japonezi ka rritur "pjacën" dhe fakti që është vënë në qendër të vëmendjes në merkato, e ka vendosur në udhëkryq atë. Mesfushori me tipare sulmuese kërkon nga Tirana që në kontratë t'i shtohen edhe bonuse për objektivat.

Jo vetëm kaq, pasi ai kërkon që të marrë edhe një këst parash në dorë, ndryshe nuk është gati që të hedhë "të zezën mbi të bardhë". Rritja e pretendimeve që futbollisti ka kanë krijuar një stepje te klubi.

Ata, edhe pse e kanë në plane lojtarin, nuk janë gati që të pranojnë trefishimin e kontratës në terma financiarë. "Samuraji" i bardhebluve është në udhëkryq momentalisht dhe pritet që vetëm në vazhdim të vendosë zyrtarisht për të ardhmen e tij.

ADELA MERKO


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama