Malajzia tundon Sukajn shifra te parezistueshme

Malajzia tundon Sukajn, shifra të parezistueshme

Xhevahir Sukaj drejt Malajzisë. Sulmuesi shkodran ka marrë një superofertë nga kampionët në fuqi, Johor Darul Tazim dhe gjasat janë që të firmosë këto ditë. Burime të sigurta pranë lojtarit treguan dje për "Panorama Sport" se klubi aziatik i ka ofruar një kontratë 2-vjeçare për 500 mijë dollarë në total. Nga sa mësohet, në momentin e firmës sulmuesit i është premtuar se do të marrë direkt 150 mijë euro paradhënie. Kjo superofertë e ka joshur së tepërmi Sukajn, i cili duket gati për të nisur një aventurë të re drejt vendit aziatik.

sukaj

Skuadra e Johor Darul Tazim drejtohet nga argjentinasi Roberto Gomez. Shumica e lojtarëve janë malajzianë, ndërsa ka vetëm 4 të huaj: një mbrojtës brazilian, një mesfushori singaporian dhe dy sulmues argjentinas. Sulmuesi duhet të vendosë tashmë për të ardhmen, në një kohë oferta nga Malajzia mësohet se është më bindëse nga të gjitha që ka pasur deri më tani.

Prej tre vitesh Sukaj është aktivizuar në një tjetër shtet aziatik, pikërisht Iran, aty ku shkëlqeu me kampionët e Sepahanit. Aktivizimi në Ligën e Kampioneve të Azisë dhe golat që ka shënuar në këtë të fundit e kanë bërë sulmuesin shqiptar shumë të njohur. Kjo javë mendohet se është vendimtare për të ardhmen e tij, pasi kampionët e Malajzisë i kanë kërkuar sulmuesit të vendosë në pak ditë. Në këtë periudhë interesim për Sukajn ka pasur edhe nga klubi iranian i Sepahanit, për një rikthim në skuadrën ku bëri tre sezone mbresëlënëse. Njëkohësisht "sirena" ka pasur edhe nga Italia, aty ku Bari i Serisë B ka shfaqur interesim, por pa bërë hapin final.

sukaj

Partizani

Dy ditë më parë, kontrata e Sukajt me Partizanin përfundoi zyrtarisht. Mirëpo, në klubin e kuq sulmuesi e ka derën e hapur dhe rinovimi i është ofruar me kohë. Drejtuesit e Partizanit nuk mund të heqin dorë nga shkodrani, por fakti që ky i fundit ka marrë një ofertë joshëse, e bën thuajse të pamundur qëndrimin.Gjithçka mbetet në dorë të vetë sulmuesit, i cili tashmë nuk ka asnjë pengesë kontraktuale. Mësohet se Sukaj i ka premtuar presidentit të Partizanit se do të luajë vetëm për të kuqtë, nëse nuk zgjedh ofertat jashtë vendit. Te klubi i kuq shpresojnë se edhe këtë sezon Sukaj do të mbetet i Partizanit. Sulmuesi vjen pas një superkampionati me fanellën e "demave", ku arriti të realizonte 21 gola në 31 ndeshje të luajtura.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama