Këshilltari i kryeministrit Rama për çështjet e Rajonit, Shkëlzen Maliqi, zbuloi disa detaje të reja për vizitën e Ramës në Serbi dhe më saktë, darkën pa protokoll mes dy delegacioneve. Ai deklaroi për A1 report se gjatë darkës atmosfera ka qenë mjaft relaksuese, aq sa ministri i jashtëm serb, Daçiç edhe ka kënduar! Por për kryeministrin Vuçiç, thotë Maliqi, ishte e vështirë të pranohej deklarata e Ramës se “Kosova e pavarur është fakt i patjetërsueshëm dhe se duhet respektuar”.
Herë pas here, Vuçiç i ankohej kryeministrit Rama, dhe siç shpjegon Maliqi, kjo lidhet me presionet e brendshme që mund të marrë Vuçiç nga kundërshtarët e tij politikë, të cilët sipas tij mund ta konsiderojnë të dobët përballë guximit të Edi Ramës për të prekur në mes të Beogradit një çështje të “nxehtë” për ta.
Maliqi: Ishte darkë pa protokoll, ushqim të bollshëm dhe muzikë
Një ditë pas përmbylljes së vizitës historike të kryeministrit shqiptar në Serbi, këshilltari për rajonin i Edi Ramës, rrëfen detajet e pazbuluara më parë për mediat mbi darkën pa protokoll të dy delegacioneve në Beograd. Sipas Maliqit, në ndryshim nga tensioni përgjatë konferencës të dy kryeministrave Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç, darka pa protokoll ofroi një tjetër atmosferë.
Këshilltari i Ramës për çështjet e Rajonit, zbuloi për A1 REPORT se darka nuk është mbajtur në restorant, siç u përfol në disa media, por në një pjesë të ish-rezidencës së Presidentit të ish-Jugosllavisë Tito. Madje sjell dhe një detaj mjaft interesant për ministrin e Jashtëm serb Ivica Daçiç....
“Ata e quajnë “Shtëpia e Gjahut”. Ka qenë një atmosferë e relaksuar, darkë pa protokoll, në të cilën ishin vetëm delegacionet e ngushta, kryeministrat dhe anëtarët e delegacionit. Kishte ushqim të bollshëm, pak muzikë, madje zv/kryeministri Ivica Daçiç ka kënduar arie dhe këngë të popullarizuara”, tha Maliqi.
Maliqi: Vuçiç ankohej te Rama për deklaratën e Kosovës
Për kryeministrin serb Vuçiç ka qenë e vështirë të “kapërdijë” deklaratën e kryeministrit Rama për pavarësinë e Kosovës. Kështu ka deklaruar Maliqi. Ai e shpjegon këtë fakt me presionet e brendshme që mund të marrë Vuçiç nga kundërshtarët e tij politikë, të cilët sipas tij mund ta konsiderojnë të dobët, përballë guximit të Edi Ramës për të prekur në mes të Beogradit, një çështje të “nxehtë” për ta.
“Vuçiç është ankuar te Rama se i ka sjellë shumë probleme me atë deklaratë. Kohë pas kohë ia kujtonte këtë, por atmosfera ka qenë pa tensione, me biseda dhe batuta të këndshme siç takohen një grup njerëzish që edhe pse nuk janë miq pretendojnë të nisin një frymë të re marrëdhëniesh mes tyre. Kishte disa momente kur Vuçiç përsëri shpërthente ose e shprehte pakënaqësinë se nuk duhej që Rama të hapte temën e Kosovës, ai ka brengat e veta, ka kundërshtarët e vet politik që mund ta shfrytëzojnë këtë për të thënë se Vuçiç është politikan i dobët”, tha Maliqi.
Maliqi: Këpucët e Ramës? Lajm vetëm për shtypin e verdhë
Artikulli i shkruar nga “Kurir” për këpucët e kryeministrit Rama, me pretendimin se i kishte zgjedhur me takë për t’u dukur më i gjatë se Vuçiç, Maliqi e cilësoi si një lajm për shtypin e verdhë:
“Kurir” merret me këto imtësira. Edhe unë e shikoja kur parakalonin se kush ishte më i gjatë dhe reflektimet e mia është se në rajon i paskemi disa liderë të gjatë. Por kjo nuk ka rëndësi por vetëm për shtypin e verdhë”.
Maliqi: Gjithçka shkoi mirë në vizitën e Ramës në Preshevë
Këshilltari i Ramës për Rajonin, Shkëlzen Maliqi tha se serbët donin të mos bëhej kjo vizitë edhe për faktin se sipas tij kishin frikë se nuk do të mbanin dot sigurinë e kryeministrit në këtë komunë. Por në fund, -thotë ai, -“gjithçka doli mirë”.
Rama udhëtoi me avion boshnjak, Maliqi: Një rastësi
Kryeministri Rama, delegacioni shqiptar dhe grupi i gazetarëve që do të ndiqte nga afër vizitën e Ramës në Serbi, udhëtuan nga aeroporti i Rinasit drejt Beogradit me një avion të Bosnjë-Hercegovinës, por për Maliqin, kjo ndoshta ka qenë një rastësi.
Maliqi: Pritja në Beograd si shtetrrethim
Maliqi tha se përgatitja e Beogradit për vizitën e kryeministrit shqiptar nuk ishte e njëjtë me pritjen e udhëheqësve të tjerë të huaj.
“Është vërejtur se nuk ka qenë atmosfera si zakonisht kur vjen një i huaj. Pa flamuj në qytet ashtu si edhe në aeroport, me këtë rast Beogradi ika vënë re këto. Ishte si një lloj shtetrrethimi ishte, policët në çdo vend, ne nuk shikonim as kalimtarë se ishin bllokuar të gjitha rrugët. Ky ka qenë një emocion i çuditshëm”, u shpreh këshilltari për A1 Report.